E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSIG, gati për privatizim

Autori i Lajmit: red.
Fillimi i shtatorit është afati i shprehjes së interesit nga kompanitë që duan të privatizojnë INSIG-un. Prej më se një muaji, qeveria ka bërë shpalljen për këtë privatizim në gazetën “Financial Times”, në pritje të investitorëve të mundshëm. Procesi i shitjes së 61 për qind të aksioneve shtetërore të kompanisë së sigurimeve është parashikuar të mbyllet brenda këtij viti. Ndërkohë, kompania audituese KPMG po bën vlerësimin e aseteve të INSIG-ut. Në këtë mënyrë qeveria do të dijë vlerën e kompanisë së sigurimeve dhe do të ketë mundësi që të vendosë çmimin e referencës. Raporti i auditimit duhet të ishte dorëzur në fund të korrikut, por procesi është zgjatur për shkak të vlerësimit fizik të kompanisë. Procesi i privatizimit të 61 për qind të aksioneve të kompanisë INSIG është hapur që në vitin 2004. Pjesa e mbetur e aksioneve të kompanisë zotërohet nga instiucionet financiare ndërkombëtare BERZH dhe IFC, secila nga 19.5 për qind, ku njëkohësisht janë partnerë mbështetës të qeverisë në privatizimin e shoqërisë në fjalë.
Ky lajm është publikuar: 14/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›