E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu: Pro Federatës, jo shkrirjes me PD

Autori i Lajmit: red.
Partia Republikane është shprehur dje nëpërmjet Kryetarit të saj, Fatmir Mediu, se është dakord me idenë e Kryetarit të PD-së, Berisha, për krijimin e një Federate të Qendrës së Djathtë për zgjedhjet e 2009-ës. Mediu, në një takim që ka pasur me drejtuesit e partisë, në këto ditë të pushtuara nga ethet paraelektorale, ka prekur dhe çështjen e shumëpërfolur në koalicionin mazhoritar, atë të Federatës dhe aleancave të saj të ardhshme. Duke pranuar se në gjirin e republikanëve ka zëra të ndryshëm, për sa i përket kësaj çështjeje, Mediu tha se gjithçka do të varet nga kodi i ri zgjedhor. “Ajo që përcakton pozicionin tonë politiko-elektoral është e lidhur ngushtë me kodin e ri zgjedhor që shpresojmë të përfundojë në shtator. Ne i mbetemi idesë se e djathta duhet të funksionojë e bashkuar, sepse kështu ne i mbetemi idesë që e djathta të realizojë programin e saj duhet të funksionojë në unison”. Në kohën kur nga PD dhe PDR vijnë deklarata për një shkrirje mes dy forcave politike, një mënyrë për drejtuesit e PDR-së për të mbijetuar politikisht në një sistem proporcional rajonal, Mediu ka prekur edhe një herë idenë e një federate brenda së djathtës, një formë bashkimi, ku forcat politike do të ruajnë identitetet e tyre. Ai u shpreh se “Partia Republikane e ka hedhur idenë e një bashkimi të së djathtës, por ngelet për t u parë se si do të jetë organizimi dhe ku do të ruhen identitetet e këtyre partive”. Si forcë e tretë politike pas zgjedhjeve të 2005-ës PR-ja vihet përballë pikëpyetjes se çfarë mund t`i ofrojë PD-së dhe se çfarë do të marrë prej saj. Sipas kryetarit Mediu, rezultatet e zgjedhjeve të fundit lokale treguan se PR ka shumë për t i ofruar koalicionit.
Ky lajm është publikuar: 14/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›