Gogla të pamëshirshme për Milanin
Shorti/ Fat i paimagjinueshëm për Real Madridin, Bajern Mynih gjen Marsejën.
Kuqezinjtë e Alegrit do përballen me Barcelonën e Mesit & Co
Kampionia në fuqi e Europës, Barcelona, do të sfidojë Milanin në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Reali i Madridit, skuadra më me shumë tituj në kontinent, do të përballet me hirushen e kompeticionit, qipriotët e APOEl Nikosisë. Marseja ka kundërshtar rekordmenët e Gjermanisë, Bajernin e Munihut, ndërsa Benfika do të përballet me Çelsin, skuadrën e vetme angleze të mbijetuar në kompeticionet europiane. Ky ka qenë verdikti i djeshëm i shortit, i cili ka rezultuar i pamëshirshëm për Milanin dhe Barcelonën, ndërsa me shumë, shumë fat për Realin e Mourinjos. Shorti ka përcaktuar edhe rrugën drejt finales, ku është shmangur një përplasje midis Barcelonës dhe Realit të Madridit në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. Fituesi e çiftit Marsejë-Bajern do të luajë me fituesen APOEL-Real Madrid, ndërsa fituesi Milan-Barcelona do të luajë kundër Benfika-Çelsi. Finalja e Ligës së Kampioneve do të zhvillohet më 19 maj në Mynih dhe Bajerni i Mynihut ëndërron të jetë pjesë e finales që do të luhet në shtëpi. Ndërsa nga dje ka rinisur kuotimi i dy skuadrave që do kenë shansin për të shkuar në finale dhe duket se në plan të parë janë Barcelona dhe Reali. Kështu, sipas bastexhinjve, finalja e sivjetme mund të jetë e tëra spanjolle.
Çerekfinalet
27 mars/ 04 prill
1. APOEL (Qipro)-Real Madrid (Spanjë)
28 mars/ 03 prill
2. Marsejë (Francë)-Bajern Munih (Gjermani)
27 mars/ 04 prill
3. Benfika (Portugali)-Çelsi (Angli)
28 mars/ 03 prill
4. Milan (Itali)-Barcelona (Spanjë)GJYSMËFINALET
17 dhe 25 prill
1. Marsejë/Bajern-APOEL/Madrid
18 dhe 24 prill
2. Benfika/Çelsi-Milan/BarcelonaFINALJA
19 maj 2012, Arena Munih
Fituesi 1-Fituesi 2
Reagimet pas shortit
Alegri, trajner i Milanit: Jemi përballë skuadrës më të fortë në botë. Shpresojmë që deri atëherë të rikuperojmë disa të dëmtuar, por do të bëjmë më të mirën sido që të jetë.
Guardiola, trajner i Barcelonës: Për të qenë kampionë, ne duhet të luftojmë me skuadra të mëdha. Na duhet të luajmë mirë në ndeshjen e parë, sepse luajmë në një stadium të vështirë si San Siro.
Butragenjo, drejtues i Real Madrid: Në letër, të gjithë kërkonin APOEL-in, por asnjëherë nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë. Ata kanë bërë një Champions të mrekullueshëm dhe nuk janë rastësisht midis tetë ekipeve më të mira.
Polodirou, zv/president i APOEL: Reali, një klub i nivelit botëror, por topi do të vazhdojë të rrotullohet në të njëjtën mënyrë. Mbase këtë herë më e mira jonë mund të mos mjaftojë.
Rumenige, president i Bajern: Nuk do të jetë e lehtë, por mendoj se duhet të jemi të kënaqur nga fati, duke parë se cilat ekipe mund të ishin kundërshtarë të tjerë.
Deshamps, trajner i Marsejës: Nuk prisnim një kundërshtar të lehtë në çerekfinale. Nga ana tjetër, Bajern është një prej rivalëve më të vështirë që mund të na sillte shorti.
Gourlaj, shefi ekzekutiv i Çelsit: Jemi të kënaqur me këtë short, por do të ishte e pafalshme të fillonim të mendonim për gjysmëfinalet, pasi kemi me të vërtetë një rival të vështirë.
Rui Kosta, drejtor i Benfikës: Nuk kishim preferencë, pasi të gjitha skuadrat ishin tepër të forta. Çelsi? Të gjithë e njohin potencialin e tyre, por ne jemi të përgatitur për gjithçka.