Kuzhe, 900 mijë euro borxh, banka i shet shtëpinë

Shtëpia e Josip Kuzhesë
Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare nuk shleu kredinë.
Josip Kuzhe ka kaluar shumë probleme financiare gjatë jetës së tij, por humbjet e mëdha në bixhoz nuk i kanë mjaftuar që të mësojë se vesi që ka po e rrënon.
Kur drejtonte Dinamon e Zagrebit, u fotografua në një loto, më pas i dogjën makinën për shkak të borxheve që kishte prej lojërave të fatit, ndërsa tashmë i marrin shtëpinë. Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare nuk e ka më vilën prej 500 metrash katrorë, pasi iu shit nga banka në një ankand publik. Arsyeja? Kroati nuk arriti të paguajë kredinë, e cila kapte shifrën e plot 920 mijë eurove (1.1 milionë franga). Të detyruar nga mosshlyerja e asnjë kësti, banka në të cilën Kuzhe kishte marrë paratë, vendosi ta shesë shtëpinë në një ankand publik më datën 16 prill. E përditshmja kroate Vecernji ka kontaktuar me trajnerin aktual të klubit kinez Tianjin Teda dhe, në fakt, ai ka pranuar gjithçka.
Përshëndetje, zoti Kuzhe! Është e vërtetë që shtëpinë tuaj në zonën Gornji Grad të Zagrebit e ka shitur banka, për shkak se nuk shlyet një kredi prej 1.1 milionë frangash?
Mendoja se do më pyesnit për diçka që ka lidhje me sportin ose me ndonjë analizë taktike. Gjithsesi, meqë këmbëngulni për jetën time private, po ju sqaroj edhe situatën e shtëpisë. Unë nuk kisha nevojë për një vilë prej 500 metrash katrorë, aq më tepër që bashkëshortja ime jetonte vetëm. Ishte një shpenzim i tepruar.
Pra, ju e pranoni faktin që banka e ka shitur, madje më datë 16 prill?
Nuk ishte problemi për të shlyer kredinë prej 1.1 milionë frangash. Unë përfitoj 100 mijë dollarë në muaj në Kinë (në fakt, përfiton më pak) dhe, po të doja, i kisha shlyer ato para. Kisha rreth një vit që tentoja ta shisja vilën, por nuk arrita ta bëj dot një gjë të tillë. U konsultova me bashkëshorten dhe djalin dhe vendosëm që të mos e shlyejmë kredinë. Pra, bëmë një bilanc të vlerës dhe menduam që më e mira ishte tia linim bankës.
Nuk mendoni se shtëpia juaj vlente më shumë se kredia që kishit marrë?
Paratë nuk janë gjithçka në jetë. Unë mundohem të kem një familje të lumtur. Pastaj e thashë që, nëse do e mbanim, kishte shpenzime të mëdha.
Po bashkëshortja juaj ku po jeton tashmë?
Kemi marrë një apartament më të vogël.
Mos vallë ju nuk arritët të paguanit kredinë, për shkak të ndonjë problemi tjetër?
Të them të drejtën, jam lodhur duke shpjeguar gjithçka mbi jetën time personale gjatë këtyre viteve. Kam folur shumë për to. Unë e përsëris që për mua paratë nuk janë diçka kryesore. Unë mundohem të bëj një jetë normale, në harmoni të plotë familjare. Për mua janë thënë shumë gjëra. Madje, dyshuan mbi mua, edhe kur dikush kishte përmendur në telefon se: – Kam folur me trajnerin e Shqipërisë, që në atë kohë isha unë dhe ndeshja që ata kanë me Malin e Zi është trukuar. Pra, janë thënë gjëra nga më të ndryshmet. Unë jam në një situatë të mirë financiare, aq sa ia plotësoj kushtet vetes dhe ndihmoj financiarisht djalin tim…
Trajneri
Josip Kuzhe duket se është i mirëstërvitur me borxhet në banka, pasi mori kredi edhe gjatë kohës që drejtonte Kombëtaren e Shqipërisë, në një prej bankave të vendit tonë. Madje, ai e pranoi vetë në atë kohë: Po, është e vërtetë që kam marrë një kredi të vogël, por e kam shlyer dhe nuk kam më detyrime në bankë, u shpreh në atë kohë kroati. Tashmë kredia e marrë duket se e ka lënë pa strehë, edhe pse sipas deklaratës së tij ka vendosur të jetojë në një apartament të vogël me bashkëshorten.