E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtina synon të tregojë forcën

Të shtunën në kryeqytet do të përballen dy kandidatët më seriozë për titullin e kampionit, Prishtina dhe Trepça ’89 – në derbin e xhiros së 19-të të Superligës. Bardhekaltrit janë të bindur se ndaj ‘xehetarëve’ do t’ia dalin ta dëshmojnë fuqinë e vërtetë të tyre dhe ta ruajnë kreun. Ndërsa mitrovicasit aq shumë janë të bindur se do ta mposhtin liderin, saqë thonë se fitorja eventuale e bardhekatërve ndaj tyre do të ishte befasi.

Derbi i xhiros së nëntëmbëdhjetë i Superligës së Kosovës në futboll do të zhvillohet të shtunën në kryeqytet, ku do të përballen dy kandidatët më seriozë për titullin e kampionit, Prishtina dhe Trepça ’89.

Njëherësh kjo ndeshje konsiderohet si njëra prej përballjeve më interesante të këtij stinori, andaj edhe numri i shikuesve pritet të jetë i madh. Kjo pasi bëhet fjalë për një luftë, fituesi i së cilës do ta bënte një hap të madh drejt titullit të kampionit, ani pse ka edhe shumë ndeshje tjera për t’u zhvilluar deri në fund.

Prishtina aktualisht është e para në renditjen tabelore me 35 pikë, tri më pak sesa Drita, Trepça e Vëllaznimi që pozicionohen në pozitat dy, tre dhe katër.

Bardhekaltrit e kanë nisur dobët sezonin pranveror, pasi në javën e kaluar nuk ka mundur ta fitojnë më shumë sesa një pikë përballë ekipit të fundit të renditjes tabelore, KEK-ut, e po ashtu paraqitja e djelmoshave të Wolfgang Jeratit ishte goxha e zbehtë.

Mirëpo, prishtinasit pohojnë se kanë punuar gjatë gjithë javës për t’i përmirësuar ato gabime që i bënin në duel me KEK-un, andaj pretendojnë t’i fitojnë pikët e plota në duel me rivalët e vjetër të tyre nga Mitrovica, për ta ruajtur pozicionimin e tyre në krye të renditjes tabelore.

“Loja me KEK-un ishte e para pas një pushimi të gjatë dimëror dhe nuk kemi mundur ta tregojmë fuqinë tonë të vërtetë. Mirëpo, jemi të bindur se do të ‘shpërthejmë’ në duel me Trepçën ’89, ndaj të cilës normalisht që synojmë fitore, meqenëse objektiv e kemi titullin”, deklaroi për Express kapiteni i bardhekaltërve, Azem Ahmeti.

Në anën tjetër, edhe Trepça ’89 synon që nga Prishtina në Mitrovicë të kthehet me tri pikë. Madje sulmuesi kryesor i saj, aktualisht më i miri në Superligë, Berat Hyseni beson se ekipi i tij pa problem do ta mposhtë ekipin kryeqytetas për t’iu afruar edhe më afër titullit të kampionit. Hyseni nuk heziton ta konsiderojë si befasi fitoren eventuale të Prishtinës ndaj ekipit të tij.

“Ne shënuam fitore ndaj Hysit në xhiron e parë. Hysi është ekip më i mirë sesa Prishtina. Kështu që besoj se do ta mposhtim Prishtinës, pasi të gjithë jemi të mobilizuar për ta fituar titullin të kampionit. Edhe nëse ndodh befasia, pra nëse fiton Prishtina, ne do të jemi favoritët kryesorë për ta fituar titullin, sepse ka edhe shumë ndeshje deri në fund”, deklaroi Hyseni për Express. Takimi mes Prishtinës e Hysit nis në orën 13:15.

Box: Trepça ’89, premi lojtarëve për fitore

Anëtarët e kryesisë së Trepçës ’89 kanë vendosur t’i hapin kuletat me qëllim që t’i stimulojnë futbollistët e tyre ta japin maksimumin për ta mposhtur Prishtinën. Zyrtarët e klubit mitrovicas u kanë premtuar premi goxha të mëdha lojtarëve të tyre, nëse ia dalin ta mposhtin Prishtinën, por pa ua saktësuar shumën. Kështu kanë njoftuar disa lojtarë të këtij ekipi në kushte anonimiteti. Kurse futbollistët bardhekaltër i thanë Express-it se deri të premten askush nga kryesia nuk u ka premtuar premi, por ata ishin optimistë se një gjë të tillë do ta bëjnë pak para fillimit të ndeshjes.

Superliga – Xhiroja e 19-të

E shtunë

Prishtina – Trepça ’89 13:15

KEK-u – Liria 14:00

E diel

Trepça – Vëllaznimi 13:15

Gjilani – Drenica 14:00

Besa – Drita 14:00

Lepenci – Hysi 14:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›