E Shtunë, 31 Tetor 2026

Goglat zgjedhin gjyqtarët e "Bashës"

Goglat kanë vendosur gjykatësin Spiro Spiro, si relator për kolegjin që do të gjykojë në Gjykatën e Lartë ish-ministrin e Transporteve, Lulzim Basha. Rastësisht ky gjyqtar ka pasur në dorë katër vite më parë edhe çështjen gjyqësore mes bashkëshortes së ish-kryeministrit Fatos Nano dhe deputetit Nikollë Lesi. Në fakt, në vitin 2004, kryesuesi i kolegjit, Spiro Spiro, i kërkoi Parlamentit të hiqte imunitetin pas padisë së Xhoana Nanos, e cila pretendoi në gjykatë se ishte fyer nga deputeti. Së bashku me gjyqtarin Spiro, që është anëtar në Gjykatën e Lartë me dekretin e vitit 2001 nga Presidenti Rexhep Meidani, janë në kolegj Aleksandër Muskaj dekretuar nga Presidenti Bamir Topi, Irma Bala (Hebovija), Perikli Zaharia dhe Besnik Imeraj. Ky i fundit është gjyqtari që la në fuqi vendimet e shkallëve të tjera të gjyqësorit për lënien në burg ish-zëvendësministrin e Transporteve, Nikolin Jaka. Pesëshja e kolegjit që do të gjykojë ish-ministrin e Transporteve, Lulzim Basha dhe ish-drejtorin juridik, Andi Toma, është përzgjedhur sipas shortit me gogla. Për këtë procedurë, pak ditë më parë anëtarët e Gjykatës së Lartë kryen një mbledhje të posaçme, për shkak se Lulzim Basha është i vetmi ministër që gjykohet direkt nga Gjykata e Lartë. Përveç zgjedhjes së trupës gjykuese, tashmë ka mbetur për t‘u fiksuar edhe data e çeljes së procesit, e cila është pas katër javësh, pra në javën e dytë të viti 2009.

GJYKATËSIT:
Relator
Spiro Spiro

Anëtarë
Aleksandër Muskaj
Irma Bala (Hebovija)
Besnik Ymeri
Perikli Zaharia


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›