E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qato, gati për evenimentin 500 mijë dollarësh

Kreshnik Qato vazhdon përgatitjet intensive për duelin e 20 dhjetorit kundër amerikanit me origjinë guatemalo-meksikane, David Estrada. Boksieri 30-vjeçar nga Durrësi do të debutojë në ringun e SHBA-së në duelin për të mbrojtur titullin e kampionit të botës për peshat e mesme në versionin WBF. Kur kanë mbetur vetëm shtatë ditë nga sfida, e cila do të zhvillohet në kompleksin sportiv, "Burr Arena" të universitetit "Hauard" në Uashington D.C., janë bërë publike edhe shifrat financiare të evenimentit. Edhe pse shuma nuk është dhënë zyrtarisht, përflitet se aktiviteti do të arrijë një kosto prej afro 500 mijë dollarësh amerikanë. Ndërkohë, pala shqiptare saktëson se 1/3 e kësaj shume do të përballohet pikërisht prej tyre. Ndeshja e shqiptarit është më e rëndësishmja e mbrëmjes dhe do të shoqërohet nga tri ndeshje të tjera të boksit profesionist, tri ndeshje të boksit amator dhe tri ndeshje të arteve marciale. I gjithë ky aktivitet, që zhvillohet me bashkëpunimin e kompanisë amerikane "Baby-Girl-Production" dhe asaj shqiptare, "Yldon" Sh.p.k., ka edhe një vlerë të veçantë, pasi ka mision humanitar. Në fakt, kompania amerikane, synon që nëpërmjet boksit të largojë të rinjtë nga jeta e rrugës dhe krimit, e t‘i afrojë ata drejt sportit, më saktësisht drejt boksit.

Organizatorët amerikanë saktësojnë se përgatitjet janë në rrugë të mbarë dhe tashmë pritet vetëm mbrëmja kur Qato do të hipë në ring për të mbrojtur kurorën në versionin WBF. Gjithçka është gati, duke filluar nga reklamat e këtij evenimenti me përmasa të mëdha, deri te posterat ku pasqyrohen sfidat që do të zhvillohen. Në mbrëmjen e 20 dhjetorit, në ring do të ngjiten edhe disa boksierë të rinj, që premtojnë shumë për të ardhmen. Njëri prej tyre është Markis Tejlor, ndërkohë që mjaft interesante paraqitet edhe sfida e peshës së rëndë ndërmjet Hores Grant dhe Çarls Braun, apo dueli për kurorën panamerikane në versionin WBF, ku Uejn Kuper dhe Uilliam Prieto do të kryqëzojnë dorezat. Arena ku do të mbahet ky aktivitet ka një kapacitet prej 3000 vendesh, ndërkohë që biletat më të shtrenjta janë ato për 600 ulëset përqark ringut: 100 dollarë. Ndërsa tribunat e tjera në kompleksin sportiv të universitetit "Hauard" do të kushtojnë 25 dollarë amerikanë.

David Estrada, kundërshtari i Kreshnik Qatos është një boksier me përvojë në ringun e përtej Atlantikut. Gjithsesi, nuk mund të anashkalohet fakti se ai ka fituar vetëm diçka më shumë se gjysmën e sfidave ku ka marrë pjesë. Në 22 duele, guatemalo-meksikani me pasaportë amerikane ka fituar 12 (9 prej të cilave me KO) dhe humbur 10.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›