Gogoli ndrit vetë
Ndërsa "adoptimi i Gogolit" është bërë konflikt i ditës ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, në Shqipëri, injorimi me heshtje i 200- vjetorit të lindjes së Nikollai Gogolit, është thuajse detyrë burokratike. Atalanta Pasko, bija e Mitrush Kutelit, përkthyesi që solli në shqipe "Frymë të vdekura", i kthehet aktualitetit të veprës dhe çështjes së cenzurës
Modern që ka dyqind vjet i lindur. Atalanta kapërcen faqet dhe ndalet tek "Hunda" (1842), historia e një asesori kolegji që kur zgjohet një ditë, në vend të hundës kishte një vend fare të sheshtë. Shtatëdhjetë vjet më vonë, tek "Metamorfoza" (1915) e Franc Kafkës, një djalosh gdhihet i kapur nga një absurditet edhe më makabër që vetja dhe të tjerë kanë ushtruar me pushtet ndaj tij.
Pa pasur qëllim shpalljen e pionierëve të modernitetit, Atalanta Pasko një nga trashëgimtarët e të drejtave të veprës së Mitrush Kutelit, përfshi përkthimet, ndalet,si për ta mbyllur një argument, te fundi i tregimit të Nikollai Gogolit.
Aty shkruan: "Ja se ç'ngjarje ka ndodhur në kryeqytetin e veriut të shtetit tonë shumë të madh! Tani, kur e peshojmë mirë punën shohim se shumë gjëra nga kjo ngjarje nuk janë të besueshme.
Duke lënë mënjanë faktin se është shumë e çuditshme shkëputja e mbinatyrshme e hundës nga fytyra dhe avitja e saj nëpër vende të ndryshme në trajtën e një këshilltari shteti, - mund të pyesim se si nuk i mbushej mendja Kovaliovit se nuk mund të bënte një shpallje në gazetë për hundën e tij. Këtu nuk dua ta them.
Se kjo shpallje do të kushtonte shumë shtrenjtë: kjo është marrëzi sepse unë s'jam nga ata njerëz kopracë. Por s'është mirë, s'ka lezet, s'është bukur!"
Atëkohë, kur botohej kjo histori e përfshirë në shqipe në vëllimin "Tregimet e Petërburgut" (1959), Gogoli ka pasur periudhën më të begatë të krijimtarisë së tij.
Po atëhere, më 1842, del pas shumë vëshirësish për marrjen e lejes së botimit nga komisioni i cenzurës, poemi satirik "Frymët e vdekura". Një vepër që të fut në
atmosferë të një misteri, e përhime, haluçinante, që edhe pasi je shkëputur prej saj të ngjan se ekziston jo vetëm si realitet ndjesish dhe figurash.
Ndërsa "adoptimi i Gogolit" është bërë konflikt i ditës ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, në Shqipëri injorimi me heshtje i 200- vjetorit të lindjes së Nikollai Gogolit, është thuajse detyrë burokratike. Kurse Atalanta Pasko, bija e Mitrush Kutelit, përkthyesi që solli në shqipe "Frymët e vdekura", "Tregimet e Petërburgut", i kthehet aktualitetit të veprës dhe cenzurës së pushteteve që ia patën frikën këtij shkrimtari.
Pikërisht për këtë Kuteli i kushtoi parathënien e vitit 1962, të cilës i referohemi edhe në këtë bisedë me Atalantën për të përkujtuar shkrimtarin, sot në ditën kur u lind, 1 prill 1809.
Ja çfarë shkruan Paskoja, atje: "Komiteti i cenzurës, të cilit ia kish paraqitur dorëshkrimin në fund të vitit 1841, ja hodhi poshtë kërkesën. Ja se qysh ia përshkruan ay këtë ngjarje mikut të tij Pletnievit në letrën e 7 janarit 1842: "Për mua grushti është fare i papritur: ma hodhën poshtë kërkesën...
Duket se komiteti ish përgatitur me kohë të loste këtë komedi. Sapo që Gollohvastovi, kryetari, dëgjoi titullin "Frymë të vdekura" thirri me zërin e një romani të moçëm: "Jo, këtë nuk do ta lejoj kurrë. Fryma është e pavdekshme. Nuk mund të ketë frymë të vdekur.
Autori godet pavdekësinë!" Me zor të madh mundi të kuptojë, më në fund, i mënçuri kryetar se aty ish fjala për frymë të revizionuara... Kur cenzorët e tjerë bashkë me kryetarin mësuan përse bëhej fjala, plasi një urrejtje edhe më e madhe. "Jo! - thirri kryetari, dhe pas tij gjysma e cenzorëve - kjo s'mund të lejohet aq më fort, sepse është një goditje kundër së drejtës së bujkrobërisë."
Ndërsa është marrë me gatitjen për botim të veprës së atit, Atalantës i është dashur të ballafaqojë përkthimet në shqipe me origjinalin rusisht.
Nisur nga kjo njohje e Gogolit dhe e punës së të atit në rrethana shtrënguese prej cenzurës dhe normës së përkthimit, ajo na çon tek ajri i pyjeve të librit, paçka se jetojmë në një kohë kur (dhe këtu i referohemi fjalëve të Atalantës) njerëzit edhe pse me rroba janë lakuriqësuar nga zhveshja që i kanë bërë fjalëve, mendimeve, dialogut mes tyre.
Kanë qenë vitet '50-'60 kur Kuteli u ngarkua me detyrën për të përkthyer Gogolin. Çfarë do veçonit për përkthimin në shqipe të veprës?
Mitrush Kuteli e ka ndjerë thellë gjeninë e pendës së Gogolit, e ka ndjerë aq sa e ka respektuar në përkthim, në detaje. Kur janë bërë ribotimet, ka qenë rasti për të parë dhe për të bërë një konfrontime, duke krahasuar variantin e propozuar në botimin e dytë, me variantin e parë dhe me origjinalin rusisht.
Kam vënë re si është ruajtur struktura e shqipes, sintaksa e shqipes duke respektuar aq bukur autorin deri në detaje që kanë të bëjnë jo vetëm me tregimin po edhe me emocionin e shkrimtarit. Këtë e kemi vënë re edhe në botimin e Tregimeve të Petërburgut edhe në botimin e "Frymëve të vdekura".
Këto vepra vinin krahas atyre të autorëve të tjerë rusë, Turgeniev, Pushkin, Shçedrin, Tolstoi, Gorki që Paskoja pati përkthyer pasi doli nga burgu.
Sipas meje, botimet e para, fillimisht mbas burgut, dmth pas vitit 1949, për të cilat ishin të interesuara autoritetet, nuk ishin autorë të shquar.
Ka edhe shumë vepra të përkthyera me detyrë sepse ishte një normë që duhej bërë dhe ngarkonin përkthyesin që të përkthejë atë ose këtë vepër, qoftë edhe me një nivel të diskutueshëm artistik. Botimi i parë i "Frymëve të vdekura" është bërë më 1962, ndërsa ishte bërë më 59-n botimi i parë i "Tregimeve të Petërburgut". Gjithsesi, kanë një shkëputje botimet e fillimeve të viteve pesëdhjetë nga autorët e zgjedhur në botimet e mëvonshme.
Titulli i "Frymëve të vdekura", siç e përmend edhe përkthyesi në parathënie, pati probleme me komisionin e cenzurës cariste, i cili sugjeronte "Aventurat e Çiçikovit". Kurse në shqipe, pasi u botua me titullin "Shpirtra të vdekur", në ribotimin e vitit 1974, e gjejmë "Frymë të vdekura".
Autoritetet ruse të asaj kohe i frikësonte fjala "frymë e vdekur", dhe ata ishin më të qetë, më të lehtësuar, po të merrte vepra titullin "Aventura e Çiçikovit". Aventura, nuk i prishte punë askujt edhe 200 vjet përpara. Kurse fryma ka qenë gjithnjë e frikshme, edhe atëherë kur mund të ishte një ideologji zyrtare.
Kur u botua për herë të parë në gjuhën shqipe "Shpirtra të vdekur", Kuteli mendoi që e kishte bërë gabim atë përkthim të "Mjortvie Dushi", sepse do të ishte më i saktë të përkthehet "Frymë të vdekura". Kjo gjë nuk e linte të qetë dhe iu drejtua menjëherë shtëpisë botuese.
Mirëpo ndërkohë të gjitha procedurat e botimit kishin mbaruar. Mbasi kishte dalë edhe libri në treg, e la me porosi, e thënë ndryshe amanet, që në botimin tjetër "shpirtra" të bëhet "frymë". Ai e dinte me siguri që libri do të botohej përsëri, por nuk dinte me siguri nëse ai do të ishte gjallë kur të bëhej ky ribotim.
Dhe amaneti i tij u përmbush...
Kishte shtatë vjet që nuk jetonte më, por Donika Omari që ishte shefe e redaksisë në shtëpinë botuese, mbajti mend këtë porosi. Në brendi, fjala shpirtra është bërë frymë. Ka ndodhur dhe diçka tjetër në atë botim të 74-s. Ndërkohë kishte ndodhur Kongresi i Drejtshkrimit dhe bashkë me ketë u bënë edhe disa ndërhyrje që nuk e di si do të reagonte përkthyesi.
E vërteta është që amaneti i tij në atë botim u respektua. Kur u ribotua nga "Onufri" në vitet nëntëdhjetë, askujt nuk i shkoi mendja që ndryshimi nga botimi i parë në të dytin ishte bërë me kërkesën e përkthyesit. Dhe u shkoi mendja, që përderisa u ndryshua nga "shpirtra" në "frymë", regjimi komunist kishte frikë nga fjala shpirt dhe prandaj u bë frymë. Ishte një matematikë e gabuar dhe kjo u korrigjua në botimin e katërt.
Me aq sa mbani mend, të paktën në vitin '74, si është pritur vepra nga lexuesi?
Është një nga librat më të pëlqyer nga lexuesi shqiptar në të gjitha periudhat. Kanë ditur ta kuptojnë dhe t'i hyjnë në thellësi humorit, satirës, talljes së veseve të shoqërisë që vlen për të gjitha kohërat. Çdo shoqëri ka anët e saj qesharake, kalbësinë e vetë. Ky libër i ka treguar shumë bukur.
Kuteli e pati përkthyer në kushte të vështira këtë vepër të Gogolit: në kushtet e cenzurës, pa leje krijimtarie, kishte bërë burg politik. Fati i përkthimit ka deri diku ngjashmëri me fatin e botimit të veprës.
Në të vërtetë, është zgjedhur për t'u përkthyer një variant i vitit 1949, është një variant i plotë. Kur kemi bërë një konfrontim na është dashur për të verifikuar, për të saktësuar një gabim shtypi, pamë se kishte një botim pas këtij të '49-s, që ishte jo i plotë, në origjinal.
Dhe si duket në asnjë kohë s'ka qenë komode për t'u pranuar e plotë fjala e Gogolit. Nga ana tjetër Kuteli përfitoi kur u botua "Shpirtra të vdekur" të bëjë një parathënie. Ia porositën parathënien dhe ia pranuan.
Ai guxoi të këlthasë fort kundër cenzurës në ato vite kur cenzura ishte ajo që bënte ligjin në Shqipëri. Ai e tha për cenzurën cariste, por kushdo që dinte të lexonte mund të kuptonte se ç'donte të thoshte dhe ç'kërkonte të thoshte autori i parathënies.
Dhe parathënia e Kutelit nënkupton pikërisht këto mesazhe, edhe kur iu referohet kritikave që cenzura e kohës i bënte veprës si "vepër që dëmton imazhin e Rusisë".
Kur Kuteli shkroi këtë parathënie, lexoi shumë, mblodhi shumë material, u lodh, pikërisht sepse gjeti një fushë ku ai megjithë mend mund të sillte tek lexuesi shqiptar një mesazh. Gjeti një rrugë të hapur për të thënë një mesazh që ndryshe do ta kishte shumë të vështirë që ta thoshte.
E tha përmes Gogolit. Ishte autor i përshtatshëm për të futur pyka në trup të diktaturave. Të paktën kështu më duket mua. Por ishte një dashuri shumë, shumë e madhe e përkthyesit për autorin e veprës të cilën ai po e përkthente.
Çfarë ruani tek kjo fletore?
(Atalanta mban në dorë një fletore aritmetike) Janë vërejtjet që unë kam bërë duke e krahasuar dhe me variantin rusisht. Kur u bë botimi i një vepre të zgjedhur të Gogolit, dhe u botua "Tregimet e Petërburgut", siç ishte zakon, një korrektor letrar punonte mbi punën e një përkthyesi dhe të një korrektori letrar të shumë viteve më parë. Dhe secili do që të bëjë të tijën, të vërë vulën.
Nuk mund të rrijë pa vënë shenjë në libër edhe atje ku mbase nuk është e nevojshme. Në këtë rast unë kam bërë konfrontime me origjinalin rusisht dhe pikërisht atëhere kam parë se ishte shumë afër përkthimi në shqip me origjinalin rusisht.
Konstatova sa shumë e kishte respektuar Kuteli gjuhën e Gogolit, qoftë në formulimin e fjalive, qoftë në fjalitë shumë të gjata, të përkthyera me fjali po aq të gjata pa i ndryshuar strukturën e mendimit, organizimin e mendimit dhe unë i kam të ruajtura këto.
Kur e keni bërë këtë ballafaqim?
Kjo është bërë në vitin 86-87. Ishte përvoja e keqe e ribotimit të Gorkit me shumë, shumë ndërhyrje tek veprat e përkthyera nga përkthyesi që nuk jetonte më. Dhe ishin shumë të pakta ndërhyrjet e bëra nga përkthyesit e gjallë. Megjithatë, diku edhe Vedat Kokona e kishte pësuar një çikë me ribotimin e "Fundërrinave".
Dhe pikërisht sepse e kisha pasur një përvojë bashkëpunimi me shtëpinë botuese, u angazhova për të bërë këtë konfrontim që nuk kishte asnjë lloj përfitimi përveç një libri që të dilte i saktë, me sa më shumë respekt për fjalën qoftë të autorit, qoftë për variantin që ka dhënë përkthyesi. Ky ishte i vetmi përfitim dhe bëhej vetëm me dashuri. Nuk kishte asnjë gjë tjetër që të të frymëzonte për të bërë një punë të tillë.
Ju folët me entusiazëm për modernizmin e Gogolit tek tregimi "Hunda". Po cili është momenti më i bukur për ju tek "Frymë të vdekura"?
Në të vërtetë, zbulimi në fund është i jashtëzakonshëm. Mënyra se si auori e zbulon kush është Çiçikovi. Ajo faqe që e hap papritur, hedh diell. Autori të ka mbajtur gjatë gjithë kohës në një mjergull që ti shikon që dikush bën ca veprime të çuditshme. Papritur në faqet e fundit çel dritën dhe hedh diell në të gjithën.
Është megjithë mend shumë, shumë e bukur. Nuk bëhet si në një roman policor që të të mbajë me ankth ose ankthi të të shtyjë, ai të mban përdore, të mban të lidhur, ai të tërheq me fuqinë artistike të mënyrës së tij të të treguarit dhe më në fund të thotë: ja ç'kam dashur të them.
Dhe këtë ta tregon në fund fare kur t'i zbulon të gjitha këndet, të gjitha skutat e tregimit t'i ndriçon dhe, pa qenë aspak didaktik, pa dashur të japë mend, ai të mëson shumë gjëra të bukura.
Modern është edhe tek "Shënimet e një të çmenduri". Modernizimi i Gogolit është i pafund, janë detaje që mbase në leximin e parë dhe të dytë nuk i ke kapur.
Më 1 prill (sot) bëhen 200 vjet nga lindja e Gogolit. Çfarë mund të bëhej në Shqipëri për ta përkujtuar?
Mund të shfrytëzoheshin të gjitha mundësitë për ta bërë të pranishme fjalën e Gogolit në jetën e sotme: për shembull një pjesë teatrale, një shfaqje ku të recitoheshin pjesë të Gogolit të ndërthuruara me mundësitë e sotme teknike, me fotografi të vendeve ku ka jetuar, me muzikë, për ta bërë lehtësisht të asimilueshme edhe për ata që s'kanë lexuar asgjë prej tij, mbase do të nxiteshin që të lexonin.
Gogoli i ka dhënë shumë kulturës së qytetërimit botëror, vazhdon t'i japë edhe sot. Ata që kanë më shumë fantazi mund të bënin më shumë për këtë ditë.
Gogoli në vendin e Putin-Medvedevit
Nikollai Gogol u lind më 1 prill 1809 në Poltava, Ukrainë ku jetoi deri në moshën 19-vjeçare, për t'u larguar drejt Shën Peterburgut. Dha shpirt në Moskë më 1852. Pikërisht në atë vend ku ai vdiq në kushte të mjerueshme, është hapur këto ditë Muzeu i Gogolit, i rikrijuar si një mjedis luksoz ku ndodhet edhe oxhaku në të cilin shkrimtari i "Mantelit", "Taras Bulbës", "Revizorit", "Ditarit të një të çmenduri", dogji pjesën e dytë në dorëshkrim të "Frymëve të vdekura".
Studiues rusë të veprës së Gogolit thonë se ky muze nuk ka fare lidhje me vendin modest ku shkrimtari dha shpirt. "Liberation", e përditshmja franceze shkruan për një lloj putinizimi të Gogolit. Ajo shkruan: Në vendin e Putin-Medvedevit, Gogoli është padyshim shumë aktual për të qenë i vlerësuar sinqerisht.