Pasaportat, nga sot prodhohen vetëm biometrike
Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, nuk do të pranojë më dokumente për pajisjen e shqiptarëve me pasaportën ekzistuese
TIRANË- Përfundon "epoka" e pasaportave 10-vjeçare, dhe zëvendësohet me pasaportat biometrike, që kanë nisur të prodhohen. Nga sot, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, nuk pranon më dokumente për pajisjen e qytetarëve me pasaportën ekzistuese.
Përmes një njoftimi zyrtar nga policia e kryeqytetit, u bë e ditur se strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, duke filluar nga data 2 prill 2009, do të ndërpresin pranimin e dokumenteve, për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportën ekzistuese.
Pra, nga sot, qytetarët duhet të aplikojnë për pasaportën biometrike, procedurë e cila do të kryhet në qendrat pranë njësive bashkiake përkatëse, ku aktualisht qytetarët po aplikojnë për t'u pajisur me karta identiteti. Për këtë arsye, policisë së kryeqytetit i ka mbetur të prodhojë vetëm pasaportat e personave, të cilët kanë aplikuar deri më datë 1 prill të këtij viti.
Zyrtarisht, policia e Tiranës njoftoi se qytetarët, që kanë dorëzuar dokumentet për t'u pajisur me pasaportën për udhëtim jashtë shtetit, do t'i tërheqin ato pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, brenda dy javësh nga dita e aplikimit.
Kartat e identitetit
Ndërkohë, dje, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin e bërë publik vetëm pak ditë më parë nga Ministria e Brendshme, ku, ndër të tjera thuhej se, procedura e aplikimit me kartë identiteti për shtetasit që disponojnë pasaportë, fillon në datën 1 maj 2009. "Bëjnë përjashtim nga ky rregull shtetasit që kanë aplikuar përpara datës 31 janar 2009, për të cilët pajisja do të vazhdojë rregullisht",- thuhet në vendimin e djeshëm.
Sipas vendimit të miratuar, nga data 1 prill 2009 deri më 1 maj 2009, shtetasit që disponojnë pasaportë, nuk do të lejohen të aplikojnë për pajisjen me letërnjoftim. Në njësitë e qeverisjes vendore, ku ende nuk ka filluar procesi i aplikimit për pajisjen me letërnjoftim, procedura e aplikimit për shtetasit që disponojnë pasaportë, do të fillojë më 1 qershor 2009.
Po dje, Këshilli i Ministrave ka vendosur se, nëse nga grupet e monitorimit vërehen, gjatë aplikimit, shkelje të afateve e të procedurave, të parashikuara në këtë vendim, nga punonjësit përkatës të zyrës së gjendjes civile, për shtetasit, që disponojnë pasaportë, kostoja e aplikimit do t'i ngarkohet punonjësit përgjegjës.
Po dje u miratuan edhe tarifat e reja lehtësuese për disa kategori, që nuk janë të pajisur me pasaportë, konkretisht për pensionistët me pension minimal dhe studentët. Ndërsa për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, si dhe për personat e verbër, karta e identitetit do të shpërndahet falas.