E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Detyrimi ynë, në 2010 qytetarët të lëvizin pa viza

SHKODËR - Komunat Bushat, Dajç e Bërdicë në Shkodër, ka qenë agjenda e takimeve të Kryetares së Kuvendit,Jozefina Topalli, gjatë së mërkurës.

E shoqëruar nga drejtues vendorë dhe deputetë të Shkodrës, Topalli është ndalur fillimisht në komunën e Bushatit, ku ndër të tjera ka theksuar se të gjithë duhet të ndihen krenarë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ndërsa para banorëve të Dajçit, komunë me emigracion të lartë, Topalli premtoi se, në rast fitoreje, vitin e parë të mandatit të ardhshëm, do të mundësohet lëvizja e lirë e shqiptarëve.

"Nuk ka gjë më të rëndësishme se sa të bëjmë të mundur, që në fund të vitit të parë të mandatit të ardhshëm, të arrijmë liberalizimin e vizave.

Në komunën tuaj, pjesa më e madhe është në emigrim. Unë jam vetë nënë. Kam një vajzë, një djalë, dhe e kuptoj sesa e vështirë është për prindin, që nuk mund të shkojë për ta parë fëmijën, kudo që ndodhet, në Europë, në Amerikë.

S'ka detyrim më të madh për ne, sesa t'i themi çdo shqiptari se në fund të vitit të parë të mandatit tjetër, ne do të bëjmë të mundur që të lëvizim pa viza. Sepse ky komb ka 1/3 e popullsisë në emigracion. Ne ju themi se mbas 1 viti e pak, ju do të lëvizni për të parë fëmijët tuaj, duke mos pasur siklet, se kur do të merrni vizën. Unë mendoj se ky është detyrimi ynë",- tha Topalli.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›