Golashënuesit duarthatë

‘Rroftë, rroftë Goleadori’, thuhej dikur. Por, kjo thirrje është simbol i një kohe të shkuar, që të paktën në këtë sezon nuk ‘piu shumë ujë’.
‘Bomberët’ e mëdhenj evropianë i kanë gëzuar pa masë tifozët, por llogaritë e bëra në fund japin pak më pak se ‘zeru tituli’.
50 gola nuk i mjaftuan Lionel Messit ta fitojë La Ligan, sikurse 30 të Robin van Persie, 29 të Klaas Jan Huntelaarit apo 28 të Zlatan Ibrahimovicit për të triumfuar në Angli, Gjermani e Itali.
Ndoshta kaq shumë goleadorë pa trofe së bashku nuk ishin parë kurrë më herët. Qindra gola kanë shkuar dëm, pasi dihet që në fund mbahet mend ai që ngre trofeun.
Për shembull, më tepër mbahet mend kupa e ngritur nga Alessandro del Piero me 3 gola në tërë kampionatin sesa Ibrahimovic, i cili u shpall shënuesi më i mirë i Serie A.
Kurrë më parë sesa në këtë sezon vlejti cilësia, çasti i duhur për ta çuar topin në rrjet më tepër sesa sasia e golave.
Sepse, nëse një lojtari si Messi realizon 50 gola në kampionat (i vetëm, sulmi i tetë më i mirë i La Ligas) e në fund sheh që trofeun e ngre armiku Cristiano Ronaldo, kupton se diçka e çuditshme po ndodh.
Nëse shembulli spanjoll nuk duket edhe aq bindës për shkak të shifrave gjithashtu të frikshme të portugezit Ronaldo (46 gola), ndalemi në Premierligë.
Edin Dzeko, Mario Balotelli, Carlos Tevez e Sergio Aguero i dhanë titullin e kampionit Manchester Cityt, por asnjëri prej tyre nuk mundi të shënojë më tepës se Van Persie apo Wayne Rooney.
Edhe në Angli, 30 golat e holandezit dhe 27 të anglezit vlejnë vetëm për statistikë, sa për t’i dhënë vazhdimësi vitit të çuditshëm të ‘bombarduesve’ evropianë.
Edhe në Gjermani sivjet u parapëlqye loja kolektive më tepër se ajo e mbështetur te sulmuesi i zonës.
29 golat e Huntelaarit e çuan Schalken vetëm në vendin e tretë, 26 të Gomezit (i cili ka edhe një mundësi në Ligën e Kampionëve) nuk i mjaftuan Bayernit për t’i mposhtur talentet e Borussia Dortmundit të Robert Lewandowskit, i cili realizoi 22 gola.
Është e kotë të mohohet: kohët kanë ndryshuar. Tani mund të thuhet: na ishin një herë ‘Bomberët’ vendimtarë. Na ishin dikur. Sot, për të fituar duhet shpirti i skuadrës.