E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Golden Mask” si e njeh bota teatrin rus

29/04/2005  Në Rusi, prej 10 vitesh organizohet Festivali i teatrove “Golden Mask”, ku ftohen kritikë, menaxherë arti, aktorë, regjisorë me famë nga e gjithë bota, për t’u njohur me teatrin e madh rus brenda një viti; Nga Shqipëria ishin të ftuar drejtori i Festivalit të Butrintit, Alfred Bualoti dhe aktori i njohur, Mirush Kabashi

Prill 2005. Nga dritaret e avionit, së bashku me Mirush Kabashin, duke vështruar me një emocion të veçantë bardhësinë e paanë të tokës ruse, si papandehur filluam të mërmërisim këngët ruse të rinisë sonë. Së fundmi po përsëritnim refrenin e një kënge te shfaqja teatrore “Orët e Kremlinit”.

Po shkonim në Moskë si të ftuar nderi në një festival të madh të quajtur “Golden Mask”. Festivali u zhvillua nga data 24 mars deri më 10 prill 2005. Po çfarë ishte ky festival? Sado që ishim të përgatitur se çfarë do të shihnim, emocionet e artit të gjallë skenik në këtë aktivitet ishin krejt të veçanta. Qendra e artit apo klubi “Golden Mask”, që prej 10 vjetësh organizonte paraqitjen e shfaqjeve më të arrira të artit skenik rus të një viti, respektivisht shfaqje të vitit 2004. Merrnin pjesë në këtë eveniment të madh vlerash, regjisorë, aktorë, balerinë, këngëtarë lirikë, balet maestro, dirigjentë, skenografë, kompozitorë, kostumografë, instrumentistë etj., nga më të shquarit e Rusisë, e pa dyshim edhe të artit skenik botëror. Ndërsa të ftuarit, të ardhur nga shumë vende të Botës për të ndjekur këtë eveniment të artit skenik ishin: kritikë, drejtorë festivalesh, menaxherë, drejtorë revistash teatrore apo gazetash, autorë, artistë etj. Pra, një promovim i shkëlqyer i artit skenik rus në sy të të huajve dhe spektatorit, i cili mbushte në çdo natë sallat e teatrit në Moskë.

Qytet prej 10 milionësh, Moska ka mbi 40 teatro. Për emra të tillë si: Balshoi Teatër, Mali Teatër, Vahtangov Teatër, Teateri i Çehovit “Mhat”, Teatri dramatik i Moskës, Teatri i Pushkinit etj., ne kishim vërtet emocione të rralla, pasi ishim të mbrujtur me shkollën ruse të teatrit. Pedagogët tanë vinin pikërisht nga këto teatro e shkolla teatrore. Por cili ishte programi në “Golden Mask Festival”?

U luajtën në dy javët e Festivalit rreth 25 spektakle të artik skenik si: teatër, opera, balet, operetë, kërcim modern, teatër plastik, teatër kukullash, etj. Sigurisht nga tërë këto shfaqje, gjatë një jave të qëndrimit tonë u përqëndruam në ato të teatrit. Autorë si Shekspiri, Çehovi, Molieri, Gogol e Gorki, ishin repertori kryesor i këtyre shfaqjeve.

“Xhaxha Vanja”, “Tri Motrat”, “Rodshilld” të Çehovit, “Rikardi i tretë”, “Makbethi” të Shekspirit, “Donzhuani” i Molierit apo “Manteli” i Gogolit, do të përbënin evenimentet më të këndshme në ato ditë.

Shumë pak fjetëm atë javë në Moskë (dhe kjo s’ka lidhje me hamendje historirash të njohura moskovite…) porse impresionet goditëse që merrnim nga shfaqjet dhe diskutimet me Mirushin e me të tjerë, ishin të pasosura.

Emra të tillë regjisorësh si: Lev Dodin, Aleksandër Morfov, Juri Butusov, Kama Ginkas, Valeri Fokin, Dragan Klajc etj., u bënë epiqendra e diskutimeve për vlerat e tyre të mëdha, konceptimin, zbërthimin dhe realizimin e shfaqjeve, si nga pikëpamja estetike dhe artistike. Mjetet e përdorura dëshmonin një hulumtim të thellë filozofik e universal mbi pjesët.

E ndërsa gjuha ruse për pjesën më të madhe të të huajve ishte e pakuptueshme, kishte një tjetër gjuhë skenike të regjisë, e mbushur me elemetë, vizual e konceptual, e cila në çdo moment vinte qartazi ndër spektatorë. Edhe pse kishte spektakle, të cilët zgjatnin rreth tri orë, si “Rikardi i tretë” me regji të Juri Butusov, apo “Don Zhuani” i Aleksandër Morfov, mjetet shpesh me detajet e përdorura nga artistët e mrekullueshëm ishin të panumërta e tejet të kuptueshme për spektatorin që gozhdohej në sallë. Konceptimi kontemporan i regjisë skenike ndërthurte elementin vizual skenik me artistin e mirëpërgatitur, i cili shpaloste të gjithë arsenalin e tij psiko-fizik, duke bërë që të lançoheshin nivele të majave më të larta interpretative. Emra si: Kostandin Raikin, Valeri Barinov, Aleksandër Batman, Mikail Okinev, Oleg Tabakov, Irina Petova, Arina Hesterova, Alla Pokrovskaja etj., do të mbeten shumë gjatë në kujtesën tonë, e ndoshta edhe të spektatorit moskovit.

Një interes të posaçëm kishin diskutimet që të ftuarit organizonin çdo mëngjes në qendrën “Golden Mask”, ku së bashku me ngrënien në një ambient të këndshëm, shkëmbeheshin edhe përshtypjet dhe eksperiencat personale.

Po sa këndshëm është kur takon edhe të njohur! Ja: Bernard Faivre d’Arcier, drejtori i Festivalit të Avinjonit, miku jonë Jovan Kirillov, drejtori i Festivalit Bitefit, Kostandin Shiriak, drejtor i festivalit të Sibiut, Kristina Meissner, drejtoreshë e festivalit të Vrosllavit, që vitin e shkuar ishte në Festivalin e Butrintit, apo kritikja turke, Zeinep Oral. Shumë shpejt u takuam përsëri së bashku në dy tavolina të rrumbullakëta, të cilat u zhvilluan në ambientet e mrekullueshme të qendrës “Golden Mask”. Njëra iu kushtua problemeve të kritikës, e tjetra Festivaleve Ndërkombëtare të Teatrit.

Po si mund të lihet pa u përmendur kritika e artit? “Sa e përgjegjshme duhet të jetë ajo, sa serioze dhe thellësisht e përgatitur profesionalisht, për të udhëhequr mendimin progresiv të zhvillimit të tij”, kështu e nisi debatin kritiku i njohur, amerikani John Freedman, i cili ishte në të njëjtën kohë edhe kuratori i “Golden Mask Festival”. Në qendër të debatit u vendos teatri rus dhe problemet e kohës. Gjuha e re e përdorur me mjete kontemporane, niveli, regjisorët, aktorët, shteti, privati etj.

Sigurisht që në këtë vend me traditë të vyer në fushat e artit skenik, ka edhe mjaft probleme të rëndësishme, sidomos ato me të cilat përballen sot shoqëritë në tranzicion. Përqëndrimi i vëmendjes nga shteti vetëm në dy qytetet kryesore si Moska dhe San Petërburgu, kishte sjellë diferenca të mëdha dhe çoroditje në fushën e teatrit.

Nga ana tjetër kishte një situatë abuzive të temave që vinin nga një dramaturgji banale. Kështu edhe problemet financiare që ndikonin drejtpërdrejtë në jetën artistike të artistëve të skenës. Sidoqoftë, qendra e artit “Golden Mask”, me një buxhet të pamjaftueshëm prej 3.000.000 USD, e udhëhequr nga themeluesi Eduard Bojakov dhe drejtorët Maria Revjakina e Tamara Arapova, përgatitej për të marrë iniciativën: “Rusia, vendi i zhvillimit të kulturës botërore”.

Ja pra çfarë janë festivalet. “Evenimentet më të rëndësishëm në fushën e artit dhe të kulturës. Ato janë ekonomi, ballafaqim, eksperiencë, zhvillim, bashkëpunim etj.”. Me këto fjalë filloi debati i nisur nga prof.Dasha Krijanskaja, figurë e njohur kjo në shkencat e artit skenik. Sigurisht, brenda këtij debati u sollën mjaft eksperienca. Probleme të auditorit, të suportit financiar, nivelit artistik, të medias, të politikës, të krijuesve, të repertorit, përbënë peshën kryesore në këtë debat.

Interesant! Hungaria, ky vend i shquar në fushat e artit skenik, nuk ka akoma një Festival Ndërkombëtar të Teatrit!!! Së fundmi; si duhet t’i organizojmë festivalet për t’i bërë ato më lëvizës në Evropë, pa pretenduar industrinë e kulturës e të turizmit, siç u quajt festivali i Avinjonit apo ndonjë tjetër.

Kremlini, apo vizita 4-orëshe në vendet dominantë të Moskës, i vunë kapakun e floririt kësaj ftese fatlume dhe artit të madh skenik rus.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›