Slogani LSI: "Forcë e re, Shqipëri e re"
28/04/2005 "Forcë e Re, Shqipëri e Re”. Ky do të jetë slogani me të cilin Partia Lëvizja Socialiste për Integrim do të paraqitet para elektoratit të vet në votimet e 3 korrikut. Burimet nga kjo parti kanë bërë të ditur se, slogani është miratuar dje në mbrëmje në mbledhjen e Kryesisë së kësaj partie. Në këtë kontekst, krerët e LSI-së shprehen se vetëm një parti e re, që ka mbështetjen e gjerë të votuesve, ka mundësinë që të ndryshojë imazhin dhe jetën në një vend që ka mbetur mbrapa, si rrjedhojë e politikave të vjetra që ndiqen prej forcave kryesore aktuale. Përballë sloganit të socialistëve: “Mbro të Ardhmen” dhe “Koha për Ndryshim” të demokratëve, LSI shfaqet me "Forcë e re për Shqipëri të re", duke deklaruar dhe nisjen zyrtare të fushatës elektorale për këtë parti. Megjithatë gjatë këtyre ditëve, LSI-ja do të bëjë publike dhe sloganet e tjerë me të cilët do të përfaqësohet në fushatën elektorale, ku do të nënvizohen angazhimet më kryesore që do të ketë kjo parti, në rast se do të dalë forcë fituese në zgjedhjet parlamentare të kësaj vere. LSI-ja synon që të marrë 40 mandate deputetësh në votimin e drejtpërdrejtë, duke u renditur në forcë kryesore. Ndërsa është përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi me parti të tjera para zgjedhjeve.