E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kur “bërtet” një Solomon me shkop

29/04/2005  Festivali i parë Ndërkombëtar i poezisë ka tërhequr në guidën historiko-turistike shkrimtarët në ditën e tij të parë, auditorium për nderim të kujtimit të poetit shqiptar Martin Camaj, në 80-vjetorin e lindjes; Recital poetik- kuintet nga Spahiu, Lleshanaku, Muhiq, Basha dhe poetja maqedonase Kulavkova

Kurioziteti e shtynte Ervin Hatibin që të gërmonte kërrusur me duar mbi dheun e amfiteatrit, duke gjetur m’u në sipërfaqe copëza qeramike për t’ia “dhuruar” mikut të tij, poetit Ferid Muhiqi, i ftuar në Festivalin e parë ndërkombëtar të poezisë, që po organizohet në Durrës.

Ndoshta, ashtu si shumë të tjerë rrotull, krenaria për këtë vend 2-mijëvjeçar, e përligjte këtë nderim për poetin nga Maqedonia. Ndërkohë që Muhiq refuzoi copëzën e qeramikës, nën gërryerje të rëndë ndërgjegjeje.

“Kur ka qëndruar këtu për dy mijë vjet, le të qëndrojë dhe 2 mijë vjet të tjera. Nuk duhet të sillemi si barbarë”. Kjo fjalë e poetit maqedonas u desh, që pas Hatibit, kokëulur të shkonte dhe një tjetër poet, Fatmir Baçi, të cilit i shkoi gozhdë kjo “arsye” e Muhiqit, duke përcjellë gojë më gojë atë përjetim, që në të rrallë, ose nuk ka ndodhur të paktën deri tani, për të dashur pa shkatërruar.

Për poetin dhe filozofin nga Maqedonia, “çdo poet në poezi ngre një monument”. Kjo nuk kishte lidhje me atë historinë e mësipërme. Aty ku gjurmët ruheshin me ca zor të madh, dhe si shumë afër kohës, kur jetoi Aleksandër Moisiu, sot i shndërruar në një muze etnografik, pesë poetë hapën mediumin e recitaleve poetike në ditën e parë të Festivalit ndërkombëtar të Poezisë.

Poetët Eqerem Basha, Luljeta Lleshanaku, Xhevahir Spahiu së bashku me poeten nga Maqedonia, Kata Kulavkova dhe poetin Ferid Muhiq, krijuan laryshinë e forcës poezitike. Veçmas me poezitë e Muhiqit, reagimi i takonte forcës që të shkakton poezia e filozofit. Dija e pashmangshme, merr nga poeti idilin e tempullit, momentin shpirtëror të cilin shkrimtari Mylazim Krasniqi e quan përrallë të jashtëzakonshme “Solomonin me shkop” të Muhiqit.

Krejt ndryshe në leximet e saj, Lleshanaku padashur kërkoi “faljen” për poezinë që shihet rrallë. Poeteka tregoi se ishte bërë një shkak për rrugën e mundishme, qoftë kjo dhe në mes të racës së poetëve.

Guida historike, një kohë para recitaleve poetike, nëpër amfiteatrin e Dyrrahut, me ecjet rreth murit bizantin apo mbi torren veneciane, në mes atij kaosi urbanistik, habiti të ftuarit e huaj, kurse për poetët shqiptarë, ku “ndjeshmëria u duk më e madhe”, panë se gurët antikë qenë bërë mur i një shtëpie rrëzë amfiteatrit. Humori i zi, se ato shtëpi paskan 100 vjetë ndërtuar, aq sa dhe nëna e ndonjë poeti, apo hardhia e ndonjë qejfliu vreshtarie, kalonte mbi vetulla vrenjtur pikërisht m’u te vendi ku flitej se kish humbur çdo gjurmë nga antikiteti. Drejtori i Festivalit, Arjan Leka, bëri me dije se në atë amfiteatër të lashtë përgojohej se dikur zinte afro 20 mijë spektatorë, ndërsa sot nuk dukeshin as gjurmë shkallaresh, ku arena prapë flitet se fsheh një kuriozitet të madh.

Sa i shkon kësaj krenaria për “dheun”, që me kuriozitet shkrimtari Agron Tufa i tregonte poetit kroat, Boris Biletic, se mbi sipërfaqe, pa rrëmuar fort, veç majë gishtave të duarve, mund të gjesh objekte arkeologjike, që i takojnë këtu e 2 mijë vjetëve më parë. Ky qytet që u nis me zërin e nëntë muzave mbrojtëse të artit, do të vazhdojë deri më 2 maj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›