E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbolli lule me shokët, më pas vari veten në kasolle

28/04/2005  Një 13-vjeçar tjetër i jep fund jetës në fshatin Ndërnënas, Fier

FIER – Një 13-vjeçar, nxënës i kasës së VI, pasi disa orë më parë, së bashku me shokët e shoqet e klasës kishte mbjellë lule në shkollë, më pas në mënyrën më enigmatike, var veten. Policia e motivon këtë veprim si ndikim i sekteve fetare, ndërsa familjarët e mohojnë.

Ka qenë familja e Viktor Dhanit, në fshatin Ndërnënas, komuna Libofshë, e cila është tronditur thellë nga vetëvrasja e djalit të tyre 13-vjeçar Viron Dhani, mbasditen e së martës.

Ngjarja

Viron Dhani është gjetur prej të afërmve të tij, mbasditen e së martës, në kasollen e bagëtive. Ngjarja ka ndodhur në Ndërnënas, një fshat i largët i komunës së Libofshës, shumë kilometra larg Fierit.

Mbasditen e së martës, Vironi, siç tregojnë të afërmit e tij, i ishte drejtuar kasolles së bagëtive. Askush prej familjarëve nuk kishte dyshuar.

“Ora ka qenë rreth 17.30, kur Vironi, 13 vjeç, është futur në kasolle dhe nuk ka dalë më i gjallë prej aty”, tregojnë të afërmit.

Pasi ka kaluar rreth një orë, prindërit e Vironit të vogël janë shqetësuar dhe kishin dalë ta kërkonin. Ka qenë mamaja e tij, Lindita, ajo që ka vënë kujën kur ka parë djalin e saj të vetëvarur në kasollen e bagëtive me një litar të varur në njërin prej trarëve të saj.

Djali është gjetur i vdekur pa asnjë shpresë për shpëtim. Sipas rrëfimeve të të afërmve, mësohet se djali kishte në kasollen e bagëtive dy biçikleta. Ndërsa njëra ka qenë në trarin e kasolles, tjetrën e kishte rrëzuar dhe mbi lartësinë e saj kishte hipur për të kryer veprimin e vetëflijimit.

Motivi

Në xhepat e pantallonave të tij, policia, e cila ka shkuar menjëherë në vendngjarje, ka gjetur disa fletë, ku Vironi i vogël kishte mbajtur shënim disa thënie fetare të shkëputura nga broshurat e Jehovait. Lidhur me këto elementë, policia bëri të ditur se 13-vjeçari mund të jetë varur nën ndikimin e këtyre shënimeve fetare.

Ky motiv bëhet edhe më i besueshëm, kur nga shokët mëson se Vironi ndiqte mësimet në një sekt fetar, ndërsa nuk dinë asgjë më shumë për këtë sekt konkret.

Mësuesit e Vironit pohojnë se ai ishte një djalë dhe nxënës i shkëlqyer në mësime, mjaft i dashur dhe i shoqërueshëm. Sipas mësuesve, ai lexonte me etje shumë libra, midis të cilave edhe broshurat fetare, të cilat binin në duart e tij. Mësuesit e djalit të vogël, tregojnë se në fshatin e tyre, kohët e fundit “Shërbëtorët e Jehovait” vinin shpesh, duke shpërndarë pothuajse në çdo shtëpi broshurat ku predikonin fenë e tyre.

Edhe daja i Vironit të vogël me lot në sy, bënë fajtor për vdekjen e tij pikërisht këta misionarë, të cilët vërtiteshin shpesh në ato anë.

Kundër këtyre pretendimeve të policisë e dëshmive të shokëve e mësuesve, janë shprehur prindërit e Vironit, të cilët mohojnë që djali i tyre të ndiqte mësime fetare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›