E Hënë, 2 Nëntor 2026

Krimi në familje, djali vret njerkën dhe plagos rëndë motrën me sopatë

28/04/2005  BERAT - Një i semurë mendor, pasi ngrihet nga krevati i gjumit, vret njerkën dhe plagos motrën e tij. Ndonëse policia është venë në kërkim të autorit që kreu krimin makabër, deri në orët e vona të natës së kaluar, askush nuk dinte se ku ai mund të ishte fshehur. Policia ende nuk ka zbardhur shkakun pse ky i sëmurë goditi për vdekje pikërisht njerkën, ndërsa motrën e ka plagosur, kur kjo kishte ndërhyrë për të shpëtuar gruan, e cila vdiq në vend.

Krimi në mesnatë

Ngjarja ka ndodhur mesnatën e kaluar, rreth orës 23.30 në fshatin Paraspuar, të komunës Tërpan, 36 km në jug të qytetit.

Ka qenë 22-vjeçari Ermal Dokaj i cili ka vrarë me sopatë në kokë njerkën, Dhurata Dokaj, 45 vjeçe, sikurse ka qëlluar dy herë motrën dhe është larguar në drejtim të paditur.

E motra e autorit, e plagosur rëndë në kokë dhe në shpatul, është dërguar menjëherë në spital për të marrë ndihmën mjekësore, kurse për 45-vjeçaren nuk ka patur asnjë shpresë për jetën.

Sipas policisë lokale, Dokaj, pasi ka kryer krimin ndaj nënës dhe motrës së tij, është larguar nga banesa i zbathur, me rrobet që kishte veshur për gjumë.

Largësia e fshatit ku ka ndodhur ngjarja ka detyruar policinë të marrë edhe qen me vete. Ata kanë mberritur në vendin e krimit pas disa orësh. Inspektorët e policisë pas këqyrjes së vendit të ngjarjes kanë bllokuar armën e krimit, sopatën, e cila ishte hedhur nga autori para derës së shtëpisë.

Fshati Praspuar

Sapo lë pas fshatin Tërpan, që është edhe qendra e komunës e 14 fshatrave, në të djathtë të saj rruga gjarpëron poshtë nëpër pisha.

Para shfaqet fshati Paraspuar me banorët në panik pas një nate tragjike. Kur i takon, të flasin për ngjarjen. Të gjithë fshatarët janë të trondiur. Një njeri u çua natën nga shtrati dhe vrau njerëzit e shtëpisë. Është shumë e rëndë për një komunitet, ku njerëzit numërohen me gishta. Natën e kaluar askush nuk ka dalë nga banesa, por në orët e ditës së re, i gjithë fshati shkoi pranë familjes Dokaj.

Në familjen e viktimave, ku një grua mbeti e vdekur dhe viktima tjetër e plagosur, e shtruar në spitalin e Tiranës, situata është e rëndë. Burrat tymosnin duhan në heshtje në dhomën e tyre, ku dhe hynin e dilnin miqtë dhe të afërmit e familjes. Në dhomën tjetër gratë vazhdonin vajin sipas zakonit të zonës.

Xhaxhai Et’hem Dokaj

“I kishte ngulur njerkës sopatën në kokë”

Et’hemi Dokaj, xhaxhai i Ermalit, është akoma shumë i traumatizuar nga gjithçka i kanë parë sytë. Ai ka qenë ndër personat e parë që ka hyrë në shtëpinë e krimit, pas alarmit të dhënë nga mbesa e tij për gjithçka kishte bërë i nipi, Ermali vetëm 150 metra më larg, në shtëpinë e tij.

“Nuk kam për të harruar ngjarjen makabër që pashë me sy”.

Kështu ka filluar të tregoj xhaxhaj i kësaj shtëpie, Et’hemi.

“Nuk e dija sa ishte ora, por ashtu nëpër gjumë dëgjova një të thirrur të një vajzë që dukej se po qante e thërriste - o xhaxha, o xhaxha… Vajza goditi fort te porta e pastaj te dritarja, aq shumë u tremba sa ashtu si isha shtrirë në krevat u përgjigja me sa kisha në kokë – kush je dhe çfarë do. Hapa dritën dhe më pas derën e dhomës – por ç’të shikoja vajza u shtri në duart e mia dhe më tha: vëllai vrau nënën donte të më vriste dhe mua, por unë munda t’i shpëtoj, prandaj eja shpëto nënën! Në moment nuk dija se çfarë të bëja, por thirra me sa kisha në kokë për të dëgjuar kushërinjtë. Nga të thirrurat e mia ishin ngritur të gjithë njerëzit e shtëpisë, kushërinjtë, gruaja. Në moment, gruaja dhe ata kushërinjtë morën mbesën dhe e futën në dhomë dhe po e qetësonin, por asaj i ra të fikët edhe tani që po flas me ju po mendohem se si arriti të vinte deri te shtëpia që është rreth 150 metra largë ime mbesë ashtu e plagosur, e mbuluar nga këmbët te koka me gjak. Nuk e di kë ka goditur më parë, por sipas meje Ermali që është edhe i sëmurë me kartelë, në fillim ka goditur vajzën dhe kjo duket se ka qenë në krevatin pas derës dhe ndoshta kur e ka goditur ka thirrur me sa zë që ka pasur dhe ashtu në errësirën e natës ka mundur t’i shpëtojë nga duart vrasësit, duke dalë e duke ikur me vrap. Më pas djali i është kthyer të ëmës që në fakt e kishte njerkë dhe aty ka nxjerrë edhe inatin e vajzës që ka mundur t’i shpëtoj. U thash dy kushërinjve të mi që të çonin vajzën në spital dhe me dy të tjerë shkova me vrap te shtëpia e vëllait. Atje pashë dyshemenë e mbushur me gjak, një krevat bosh në anën e majtë dhe kunatën time të shtrirë në krevat me sopat të ngulur në kokë. O Zot, thashë me vete çfarë paska ndodhur?! Çfarë paske bërë o kriminel?! Nuk dija se ç’të bëja, u thashë kushërinjve që të lajmëronin vëllanë, pasi ai kishte ikur te vjehrri në Përmet, se ai ishte i sëmurë dhe në darkë nuk ishte kthyer dot në shtëpi. Më pas së bashku me të afërmit e mi i hoqëm sopatën kunatës nga koka që vazhdonte t’i rridhte gjak e pamë se mos ishte gjallë. Por, ishte e kot. Krimineli e kishte goditur nënën e tij tre apo katër herë në kokë dhe një herë në gjoks. Nuk na ngeli gjë tjetër, veç të lajmronim njerëzit e afërm tanët dhe të Dhuratës për hallin që na ndodhi“, tregon i përlotur vëllai i madh i të zotit të shtëpisë, teksa dhe pret edhe ngushëllimet nga miqtë dhe të afërmit e kësaj familje.

Skënder Dokaj, i zoti i shtëpisë

“I thashë mjekut që ishte bërë i rrezikshëm”

I zoti i shtëpisë, Skënder Dokaj, ka thënë dje për gazetën “Metropol” se nuk ishte në shtëpi kur ka ndodhur krimi i tmerrshëm.

“Sikur e dija se do më ndodhte gjëma, pasi kohët e fundit djali ishte bërë i rrezikshëm. Këtë unë ia kisha thënë edhe mjekut që e vizitoja, pasi ai është me kartelë, se është i sëmurë mendor dhe vazhdon të marrë pension. Ndërsa mjeku më tha që jepi ilaçet, ndonëse për muan ai duhej izoluar me kohë pa bërë këtë krim”.

Më tej, Skënder Dokaj ka vazhduar i pikëlluar rrëfimin e tij, duke thënë se kur ka ndodhur ngjarja ai ka qenë tek vjehrri në spital në Përmet.

“Nuk erdha dot në shtëpi dhe fjeta në fshatin Ballaban të rrethit të Tepelenës, te baxhanaku, pasi ishte natë dhe nuk kishte makinë që të vija në shtëpi. Por në mesnatë më morën në telefon dhe më thanë se djali kishte vrarë gruan dhe vajzën. Menjëherë u nisa për në shtëpi duke më ndihmuar një makinë e policisë së Tepelenës. Unë nuk largohesha nga shtëpia, ka vazhduar më tej ai, por këtë natë më detyroi halli dhe ja se çfarë më ndodhi”.

Elona Dokaj tregon ngjarjen për gazetën "Metropol" nga shtrati i neurokirurgjisë

“Vëllai më ra me sopatë në kokë pas ndeshjes së Milanit”

TIRANË - "Më qëlloi me sopatë drejt e në kokë. Thashë se vdiqa menjëherë, atje në dysheme ku isha e shtrirë me gjakun ngado, sepse isha pa ndjenja, por Zoti më dha forcë e u çova në gjunjë". Ndonësë duken si fjali që i përkasin skenareve të filmave horrorë, nuk janë gjë tjetër veçse skena të përjetuara me tmerr e ankth nga një nxënëse e klasës së tetë, e cila për pak gjeti vdekjen nga marrëzia e vëllait të saj nga babai. Vetëm në orët e mesditës së djeshme, Elona Dokaj, 15 vjeçe, mundi të nxirrte nga goja fjalët e para, pas këshillës së mjekëve të neuokirurgjisë, në Spitalin Ushtarak. Bëlbëzimet e saj flasin për një natë tërësisht të zezë, të mbushura me intriga ngazëllyese të thurura nga 21-vjeçari Ermal Dokaj, vëllai i saj.

Elona, ç’mban mend nga kjo natë e hidhur?

I vetmi moment që më kujtohet qartë, është ngritja e krahut të tij dhe tehu i sopatës që shndërrinte edhe pse ishte natë. Ermali u turr drejt e te nëna ime, Dhurata. U mundova ta ndaloja dhe teksa e shihja me sopatën ngritur i bërtisja "Mos Ermal, mos". Ai nuk ma përtoi. Më qëlloi fort në kokë mua të parën. Rashë në dysheme dhe isha pa ndienja. Nuk e di sa mund të kem ndenjur në atë fazë. Kur hapa sytë nuk e besoja që isha gjallë, ndërsa në çdo cep kishte gjak. E kujtoja veten të vdekur në çdo moment. Më kishte qëlluar vetëm një herë, ndërsa krevati i nënës kullonte i gjithi. U afrova dhe pashë që nëna ishte copë-copë. Ika me vrap për te halla dhe u thirra me sa fuqi kisha në kokë "Më vrau nënën, do t’iu vrasë dhe juve, ruhuni". Pastaj më shtrinë e më fshinë gjakun që vazhdonte të më rridhte.

Tani si ndihesh pas gjithë kësaj?

Më mirë. Më kujtohen disa gjëra. Mjekët më kanë thënë se do të shërohem shumë shpjet dhe kjo më gëzon, por po plas që nuk do të shoh nënën para se ta varrosin. Kjo është brenga ime e vetme.

ǒpo bënit ju para se Ermali të hynte në dhomë?

Po bisedoja me nënën. Ajo më pyeste për notat që kisha marrë ditët e fundit në shkollë. Ermali ishte në dhomën tjetër dhe po shihte ndeshjen e Milanit. Në shtëpi isha vetëm unë dhe nëna, pasi Skënderi, babai im kishte shkuar në Gjirokastër, te gruaja e tij e dytë, pra te nëna e Ermalit. Mali më kishte pyetur nja dy orë më parë "Ku është babi?" Unë iu përgjigja se ka shkuar në Gjirokastër. Ai prapë më pyeti "Do kthehet sot?" Sërish u përgjigja se nuk kthehej. Ai fërkoi duart dhe dukej shumë i gëzuar.

Si i kishit marrëdhëniet me vëllanë, grindej shpesh me ju?

Ermali nuk na shihte dot me sy. Kishte botën e tij. Në mëngjes shkonte me bagëti e në darkë rrallë fliste me ne. Në momentet e pakta që bisedonte, ai vetëm shfaqte pakënaqësitë e tij. Sidomos me nënën time ai kishte një armiqësi të fshehur, që asnjëri nga ne nuk e kuptonte. Nga sa vihej re, ai donte të rrinte me nënën e tij, në Gjirokastër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›