Golemi çel sezonin turistik
Biznesmenët e plazhit të Golemit në bashkëpunim me komunën e tyre çelën zyrtarisht sezonin turistik të këtij viti. Pronarët e hoteleve, restoranteve dhe lokaleve njoftuan se ata janë gati të presin pushuesit. Ata nuk kanë ndryshuar asgjë në listën e çmimeve të dhomave apo të ushqimeve. Një dhomë në zonën popullore të këtij plazhi varion nga 10 deri 25 euro nata. Nga ana e tij, kreu i komunës së Golemit, Agron Agalliu, deklaroi: “Janë marrë të gjitha masat për pastrimin çdo ditë të rërës së plazhit dhe mjediseve publike, ndërsa me policinë është bashkërenduar puna për të siguruar rend dhe qetësi gjatë gjithë sezonit”. Nga ana e tyre, drejtuesit e filialit të OSSH-së në Durrës kanë garantuar se furnizimi me energji elektrike do të jetë non stop dhe me parametra normalë teknikë. Golemi ka një kapacitet akomodues për 50 mijë pushues, pa llogaritur banorët e përhershëm. Në këtë zonë, e cila ndodhet mes Durrësit dhe Kavajës, funksionojnë edhe disa qendra rezidenciale dhe komplekse turistike, të cilat ofrojnë standarde të larta kundrejt çmimeve të kripura.