E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lista e PD-së, Bumçi: Përzgjodhëm figurat më përfaqësuese



Në listën për deputetët e ardhshëm të PD-së janë përzgjedhur figurat më të mira. Konkretisht, ato që kanë dhënë rezultat gjatë 4 viteve qeverisjeje, ripërtëritja përmes prurjeve të reja, si dhe përfaqësimi i ish-të përndjekurve, pronarëve dhe biznesit. Nisur nga ky fakt, kryetari i ri i PD-së së Tiranës, Aldo Bumçi, pohon qartë se në Partinë Demokratike ka vend për të gjithë, vend për të respektuar figurat e vjetra, si dhe për të ripërtërirë vetveten me brezin e ri. Lista e kandidatëve për deputetë të PD-së në zgjedhjet e 28 qershorit, e dorëzuar brenda afatit të përcaktuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, sipas Bumçit, është përfaqësuese e konceptuar të përmbajë figura, të cilat kanë patur rezultate konkrete në katër vite qeverisjeje. Bumçi, i cili renditet i dyti në listën e Qarkut të Tiranës, bëri dje të ditur se “PD-ja në Tiranë dhe në të gjithë vendin, ka përzgjedhur figurat më të mira përfaqësuese, pjesa më e madhe e të cilave janë personalitete që gjatë mandatit të parë të kësaj qeverie e kanë konkretizuar punën e tyre me vendime dhe vullnete konkrete, në një piramidë që fillon me Kryeministrin Sali Berisha, me ministra, zv.ministra etj., duke dhënë produktin e suksesshëm në përmbushjen e reformave të qeverisë". Ai vuri në dukje se Tirana e meritonte një listë të tillë, sipas të cilit, lista cilësore dhe gjithëpërfshirëse e kandidatëve për deputetë, po shoqërohet edhe me një fushatë zgjedhore intensive. “Pavarësisht nga ndryshimet që ka Kodi Zgjedhor, përsëri kandidatët për deputetët janë një nga shtyllat kryesore, pasi do të ketë një ndarje zonash”, - tha Bumçi. Ai konfirmoi se po mbahen kontakte të drejtpërdrejta me grupe të veçanta si ish-të persekutuarit, ish-pronarët, mësuesit, biznesi i vogël, studentët etj. Sipas tij, me këto grupe, përmes programit të PD-së, po evidentohen realizimet dhe objektivat e mëtejshme që PD do të përmbushë në mandatin e dytë. Bumçi theksoi se PD-ja në këto 18 vite ka dëshmuar se është një parti e respektimit të vlerave, një fakt që u vërtetua edhe me rikthimin e figurave të njohura publike që nga 2005. “Fakti që PD i kishte dhe i ka dyert e hapura për të gjithë ata ish-themelues, anëtarë të hershëm që në një moment të caktuar u larguan dhe u ftuan sërish, është një tregues i respektimit të vlerave në PD”, - deklaroi kryetari i ri i demokratëve të Tiranës.

Sami Gjergji dorëhiqet nga kandidimi

Pakënaqësia me pozicionin e tij në fund të listës së Qarkut të Durrësit ka shtyrë Sami Gjergjin që të japë dorëheqjen dje nga kandidimi nën siglën e PD-së. Gjergji ishte në vendin e 9-të të listës së këtij qarku. Në një deklaratë për mediat, deputeti Gjergji akuzon për mungesë totale të vlerësimit të kontributeve të tij në Partinë Demokratike. “Duke parë zhvillimet më të fundit politike, por edhe garimet brenda radhëve të PD-së, ku nuk jam ndjerë i vlerësuar, pasi kontributi im në këtë parti ka qenë në shkallën më të lartë për këtë arsye, deklaroj se kam marrë vendimin për t’u larguar nga kjo garë politike. Të jesh apo jo pjesë e Parlamentit të Shqipërisë është bërë pjesë e debateve politike, por ajo që sot kërkohet është vlera e vërtetë ose kontributi real, por kur kjo nuk vlerësohet apo anashkalohet, arrihet deri në dorëheqje”, - u shpreh z. Gjergji.

Zogaj: Me Berishën herë ndahemi, herë bashkohemi

Preç Zogaj, një nga demokratët e tërhequr nga lista e 28 qershorit, nuk e sheh si divorc përfundimtar historinë 19-vjeçare me liderin e PD-së, Sali Berisha. Ai nuk heziton të thotë se historia e tij me Berishën është herë ndarje, herë bashkim. Duke iu referuar një citimi të z. Berisha, e thënë kohë më parë, se ushtarët e vjetër nuk vdesin kurrë, Zogaj bën shpjegimin pse nuk kandidoi në Shkodër. “E kam refuzuar këtë zgjedhje të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, si një zgjedhje të paarsyeshme që injoron lidhjet e mia të fuqishme njerëzore, shpirtërore dhe politike me Lezhën, si dhe kontributin tim si deputet i zgjedhur i PD-së në Lezhë”. Historia ime me të kështu është, herë ndahemi e herë bashkohemi. Është cituar edhe njëherë nga goja e tij, që ushtarët e vjetër nuk vdesin kurrë dhe unë jam tipik një nga ata ushtarët e vjetër”, - deklaroi z. Zogaj. Një ditë pasi Kryeministri Sali Berisha dorëzoi dhe publikoi listën zyrtare të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit, z. Zogaj, që u largua në momentet e fundit nga demokratët për tek partia e Ngjelës, bëri të qartë se ky vendim i tij ka maturuar si pasojë e asaj që ai e quajti vendim i padrejtë i Kryeministrit për ta kandiduar jashtë qarkut të Lezhës.

Biberaj: Nuk largohem nga PD-ja

Aleksandër Biberaj, pavarësisht përjashtimit nga lista e kandidatëve të PD-së, nuk ka ndërmend të largohet nga Partia Demokratike. Edhe Aleksandër Biberaj, ish-deputeti i Tropojës, aktualisht jashtë listës, akuzon për mungesë transparence në përgatitjen e këtyre listave dhe e komenton atë si klanore. “Procesit i ka munguar totalisht transparenca, nuk është marrë mendimi i bazës, nuk janë respektuar forumet e Partisë Demokratike dhe statusi i PD-së. Mendoj se lista ka një frymë të theksuar klienteliste dhe klanore, pasi me sa duket lidershipi i PD-së është kujdesur më shumë për të mbajtur nën kontroll grupin dhe partinë pas zgjedhjeve, sido që të jetë rezultati sesa për të pasur një listë përfaqësuese dhe dinjitoze, në mënyrë që të fitojë zgjedhjet e 28 qershorit. Unë uroj që të mos ketë ndikim në rezultatin e zgjedhjeve, gjithsesi mendoj se ajo do e ketë ndikimin e vet. Unë nuk bëhet fjalë që të largohem nga PD-ja, pasi jam themelues i Partisë Demokratike”, - tha Biberaj.

Kandidimi, Doda jep dorëheqjen nga KKRT

Për shkak të kandidimit në zgjedhjet e 28 qershorit, kryetarja e KKRT-së, Mesila Doda, dha dje dorëheqjen nga posti i saj pas publikimit të listave të Partisë Demokratike dhe zyrtarizimit të tyre në KQZ. Ajo renditet e treta në Qarkun e Fierit. Në bazë të ligjit duhet të dorëhiqen edhe zyrtarë të tjerë, të cilët detyrohen të dorëzojnë postet e tyre, ashtu siç është sanksionuar në nenin 69 të Kushtetutës. Ky nen përcakton qartë se nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë pa hequr dorë nga detyra, gjyqtarët, prokurorët, ushtarakët e shërbimit aktiv, punonjësit e policisë dhe sigurimit kombëtar, përfaqësuesit diplomatike, kryetarët e bashkive apo komunave, prefektët në vendet ku kryejnë detyrat e tyre, kryetarët dhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Presidenti i Republikës dhe funksionarët e lartë të administratës shtetërore të parashikuar nga ligji.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›