Goli, ai që torturon Tiranën e Slishkoviç
Është goli ai që po torturon Tiranën në këto javë të fundit të fazës së parë të Kampionatit të 70-të Kombëtar të Futbollit. I këtij mendimi është edhe trajneri boshnjako-kroat i bardhebluve, Blazhe Slishkoviç, i cili e ka evidentuar mosefikasitetin e sulmit në 3-4 ndeshjet e fundit, si një problematikë që nuk duhet nënvlerësuar. "Kur fiton 1-0 është e sigurt që ke vuajtur shumë, pohoi trajneri i Tiranës. Pra, ne kemi arritur të krijojmë tri apo katër raste të pastra për shënim. Por, për fat të keq nuk shënojmë, gjë që përsëritet nga ndeshja në ndeshje dhe na e bën shumë të vështirë arritjen e objektivit, që i kemi vënë vetes. Për të mos përmendur faktin se pas 30 minutash mbetëm me një lojtar më pak, pas kartonit të Kçirës, gjë që na e vështirësoi edhe mbylljen e hapësirave në mbrojtje. Megjithatë, mendoj se u shfaqëm mirë në fushën e lojës dhe duke marrë atë çfarë kërkonim nga kjo ndeshje, ku mund ta përsëris se krijuam shumë raste të rrezikshme, por na mungoi vetëm goli". Është e vërtetë që pas disa ndeshjesh pa shënuar gol, Tirana nuk e gjeti dot as të shtunën rrugën e rrjetës. Goli i fitores së tyre ishte një autogol i Ndonit të Lushnjës në minutën e 14. Gjithsesi, trajneri Slishkoviç u mundua të minimizonte përgjegjësinë e të tijve, duke i dhënë meritë edhe kundërshtarit. "Mund të them se erdhi kundërshtari në Tiranë për të luajtur futboll dhe ia arriti, pasi dha gjithçka, për shkak se nuk kishte çfarë të humbte, theksoi tekniku i bardhebluve. Lushnja luajti shumë mirë. Krijoi dy-tri raste, por edhe asaj i mungoi fati, kur mund edhe të na kishte barazuar. Pra, në fund të fundit, kampionati shqiptar është i tillë. Nuk them që të gjitha skuadrat janë njëlloj, por nuk ka diferenca të mëdha mes skuadrave që qëndrojnë poshtë dhe atyre që kryesojnë tabelën. Me atë lojë që tregoi Lushnja, çdo skuadër mund të fitojë kundër kujtdo".