E Diel, 1 Nëntor 2026

Ujësjellësi rrit shpenzimet dhe numrin e punonjësve

Ecuria financiare e Ndërmarrjes së Ujësjellësit Fier për dhjetëmujorin e parë të vitit tregon se janë rritur shpenzimet së bashku me numrin e punonjësve. Ndërkohë që faturimet dhe arkëtimet kanë arritur në masën e 70 përqindëshit.

Të ardhurat për periudhën janar-shtator 2008, me gjithë subvencionin, janë realizuar në masën 84.9%, ose 36771000 lekë më pak se nga çfarë është parashikuar në Programin e Zhvillimit të shoqërisë. Shpenzimet në total janë realizuar 14851000 lekë më shumë se plani. Arkëtimet nga shitja e ujit janë në nivele më të mira se në të njëjtën periudhë të vitit 2007. Ndërkohë që faturime-arkëtimet tregojnë se nga 120122000 lekë të faturuara janë arkëtuar 84079000 lekë. Në popull janë faturuar 47369000 lekë dhe janë arkëtuar 27815000 lekë, ose 53.7%. Në industri janë faturuar 56287000 lekë, arkëtuar 3769000 lekë, ose 50.2%, kurse në zërin e buxhetorëve janë faturuar 4511000 lekë dhe janë arkëtuar 3966000 lekë, ose 87.9%. Numri i punonjësve është ulur në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, por është ende më i madh se çfarë është parashikuar në Programin e Zhvillimit të shoqërisë për vitin 2008. Nga 222 + 3, në fakt regjistrohen 234 + 7 të punësuar. Fondi i pagave është më i madh se ai i vitit 2007 dhe më i ulët se në Programin e Zhvillimit të vitit 2008.

Po të analizojmë shpenzimet, pjesën më të madhe e zënë energjia elektrike, e cila ka ardhur në rritje në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe zë 39.7% të totalit të shpenzimeve, si dhe shpenzimet për pagat e personelit, përfshi trajtime e shpërblime. Zëri i dytë i shpenzimeve është më i lartë se ai i vitit 2007. Gjithashtu, amortizimi është më i madh se parashikimi në Programin e Zhvillimit, por i barabartë me atë të vitit 2007, llogaritet saktësisht pas hartimit të bilancit vjetor në rreth 21.7%. Pra, duke analizuar të ardhurat dhe shpenzimet për periudhën janar-qershor 2008, shoqëria ka dalë me 39785000 lekë humbje. Të ardhurat janë më të ulëta se shpenzimet.

"Për të mos u vënë në vështirësi financiare, në përputhje me statutin e shoqërive anonime shtetërore, kemi marrë këto masa: Dega e Shitjes, nëpërmjet një grupi të Task Force, po punon për arkëtimin e debiteve, si nga biznesi ashtu dhe nga abonentët familjarë; Dega e Shitjes po punon për evidentimin e lidhjeve të paligjshme dhe lidhjen e kontratave të reja; po bëhen përpjekje për likuidimin e faturave të TEC-it dhe abonentëve familjarë. Kemi rritje të debitit; po shikohet mundësia e koordinimit me bashkinë dhe komunat, për t‘u vendosur masa shtrënguese klientëve që nuk shlyejnë faturat e ujit; po mbahet nën kontroll të rreptë harxhimi i energjisë", ka thënë drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Fierit, Agim Plepi.

Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve të Fierit kryen shërbimin e furnizimit me ujë dhe pjesërisht shërbimin e kanalizimeve të ujërave të zeza në bashkitë: Fier e Roskovec, si dhe në Komunat: Topojë, Dërmenas, Frakull, Levan, Qendër dhe Kuman. Këto shërbime kryhen duke pasur në pronësi tre ujësjellës rajonalë: atë të Kafarajt, të Poros dhe Ujësjellësin e Roskovecit. Janë 130 mijë banorë që përftojnë shërbimet e kësaj ndërmarrjeje.

Kapaciteti aktual prodhues është rreth 830 l/s, ose 12 milionë m³ në vit. Aktualisht shërbehet në rreth 90% të popullatës, e cila furnizohet me ujë 22 orë në ditë, dhe, në zona të veçanta, 24 orë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›