Ukrainasi i hedh dorashkën menjëherë kampionit Klitçko
Të 4500 shikuesit e pranishëm në "Burg Veshter Kastelo" i dhanë një mbështetje të jashtëzakonshme Krasniqit. Por kjo nuk e bezdisi aspak yllin e ri të boksit Aleksandër Dimitrenkon, i cili gjatë ndeshjes u desh të përballej edhe me të sharat e disa tifozëve, për të cilat ai do të thoshte më vonë se "kjo më motivonte më shumë". Goditja në mjekër 6 sekonda para fundit të raundit të tretë ishte lëvizja perfekte e tij, e cila i dha fund të parakohshëm edhe duelit. "Isha përgatitur për të luftuar deri në raundin e 12-të dhe për mua ishte surprizë një mbyllje aq e shpejtë. Por në peshat e rënda, një goditje mund të vendosë gjithçka. Këtë e patë edhe në këtë ndeshje", tha dje Dimitrenko. Edhe e ardhmja e studentit shtatlartë (2.01 metër) është ende e paqartë. Në katër kategoritë botërore, Dimitrenko pozicionohet tashmë në tre më të mirët e botës. Ai do të jetë sfidanti kryesor i kampionit të botës Vladimir Klitçko. "Natyrisht jemi të interesuar për këtë ndeshje. Ky do të ishte kulmi", thotë promotori Kohl. Vetë Dimitrenko është i gatshëm për ndeshjen ndaj idhullit të dikurshëm të tij. Në 2004-ën ai stërvitej me bashkëkombësit e tij, pikërisht me vëllezërit Klitçko. Megjithatë, kampioni i dyfishtë në fuqi do të ndeshet në 13 dhjetorin e ardhshëm në Manhajm, me sfidantin e titullit të tij IBF, Hasim Rahman (SHBA).