Dimitrenko e shtyn drejt pensionit Luan Krasniqin
Aleksandër Dimitrenko i ka shkaktuar Luan Krasniqit humbjen e katërt në 35 ndeshje dhe i ka afruar pensionin e parakohshëm. Në orën 23.42 "Der Löwe" Luan Krasniqi (37 vjeç) u rrëzua për herë të fundit në gjunjë. Një goditje e fortë në nofull nga ylli i ri i boksit Dimitrenko (26 vjeç), pikërisht 6 sekonda para fundit të raundit të tretë. Kështu u mbyll në Dyseldorf ndeshja e vlefshme për një shans të fundit të kosovarit për të luftuar për titullin e Kampionit të Botës në kategorinë WBO. Dimitrenko e ka afruar edhe më shumë fundin e karrierës së Krasniqit, i cili duket se me shumë mundësi do të varë dorezat e boksit në gozhdë. Ishte përgatitur 16 muaj për këtë sfidë. Krasniqi e ndjente veten në formë të mirë dhe hyri në ring me një besim të jashtëzakonshëm te vetja, duke demonstruar një boks prej profesionisti dhe duke e vënë në vështirësi kundërshtarin në dy raundet e para. "Isha në një rrugë të mirë dhe e kisha ndeshjen nën kontroll", do të thoshte më pas kosovari, i cili kishte shumicën e tifozëve në krahun e tij. Gjithçka ndodhi shumë shpejt! Pas goditjes në mjekër Krasniqi qëndroi për disa sekonda i turbulluar, por në këmbë, pastaj përfundoi i rrëzuar në gjunjë. Gjyqtari Manuel Oliver Palomo nga Spanja numëroi deri në 10 dhe më pas e mbylli ndeshjen. 4500 tifozët, gati të gjithë mbështetës të boksierit simpatik me origjinë nga Kosova, përjetuan momente shoku. Ylli i ri i boksit, Dimitrenko, po festonte fitoren. "Gjuajtja më kapi në majë të mjekrës. Një dhimbje të tillë nuk e kisha ndjerë kurrë në 20 vitet e karrierës sime në boks. Nuk mundja të merrja frymë dhe as të ngrihesha më. Më vjen vërtet keq për tifozët", do të rrëfente Krasniqi, i cili tashmë ndoshta do të duhet ta braktisë karrierën e tij si boksier, duke futur në xhep shumën e 1 milion eurove të fituara për këtë ndeshje, kundrejt vetëm 350 mijë eurove të përfituara nga rivali. Për një rikthim të mundshëm ai thotë: "Direkt pas një ndeshjeje të tillë është e sigurt që nuk do të marr asnjë vendim, nëse do të vazhdoj apo do ta mbyll këtu. Për këtë do të këshillohem me familjen time dhe me miqtë e më pas do të vendos se çfarë do të bëj". Pas kësaj humbjeje ai do të pësojë sërish një rënie në renditjen botërore të WBO-së. Shanset që ai të boksojë sërish për një titull të madh tashmë janë zvogëluar së tepërmi. "Luani ka demonstruar se ai nuk është një boksier në moshë të madhe, por krejt të kundërtën, se është një njeri që është stërvitur mirë, tha promotori i tij, Klaus-Peter Kohl. Megjithatë, do të duhet të presim se çfarë do të vendosë për të ardhmen. Ai e meriton të jetë ndër boksierët e rreshtit të parë. Por në sport ndonjëherë ke edhe mundësi të tjera".