Goli i Stratit kthen Flamurtarin e magjishëm
Gjergj Vyshka
Flamurtari është rikthyer në kohët e arta, e pas 22 vjetësh arrin që në stadiumin e tij të fitojë në një ndeshje për Kupat e Evropës. Një ndeshje e madhe e djemve të Eqerem Memushit, që me egon e fortë, e cila i karakterizon në fakt vlonjatët, kanë ditur të mundin Madhëruelli. Dje ka qenë dita e mrekullive për Flamurtarin, që në Ligën e Evropës hyri si fituese e Kupës së Shqipërisë. Në të 59’, Moçka shmang golin e pas shtatë minutash Strataj shënon. Me një stadium të mbushur plot, përjashtim bëjnë vetëm tribunat pas portave, të cilat nuk plotësojnë kushtet e vëna nga UEFA, vlonjatët kanë qenë më të motivuar për të mos u mundur në stadiumin e tyre. Dhe djemtë e Memushit që në fillim janë në portën e skocezëve me Memën e Shehajn. Për minuta të tëra, loja përqëndrohet në rrethin e mesit të fushës, ndërsa vapa e madhe duket se bën efektin e saj. Që do të thotë se ka rënie të ritmit, përkundër asaj që ka dhe faulla të dyanshme. Jo pak ka ndërhyrë austriaku Stushlik, i cili ka nxjerrë pesë herë kartonin e verdhë, tre për Flamurtarin e dy për Madhëruellin. Memushi detyrohet që pa mbaruar pjesa e parë të bëjë zëvendësim të shpejtë, sepse është dëmtuar Shehaj dhe vendin e tij e ka zënë Roshi. Sulmuesi i ardhur gjatë merkatos së verës i ka dhënë një tjetër hop lojës së kuqezinjve e së bashku me Memën dhe Zeqirin bëhen të rrezikshëm për miqtë. Edhe pjesa e dytë ka nisur me vrullin e vlonjatëve, por në të 59’ ka ngrirë buzëqeshja, sepse Stushlik ka dhënë penallti, që edhe mund të mos jepesh. Dy herë e kanë gjuajtur skocezët dhe Moçka ka bërë mrekullinë, kur ka grushtuar topin e gjuajtur nga Sutton. Dhe pas pritjes së bukur të Moçkës, vjen dhe goli i Stratajt, i cili në të 66’ e ka ngritur peshë stadiumin Flamurtari. Një gjuajtje fluturimthi, pas topit të ardhur nga krahu i djathtë i sulmit vlonjat, dhe miqtë janë në gjunjë. Memushi nis të mendojë dhe të ruajë forca për ndeshjen e kthimit, ndërsa ka larguar Memën për t’i dhënë hapësira Galicës, I cili ka qenë i rrezikshëm për mbrojtjen mike. E kur të gjithë kanë besuar se Flamurtari do ta mbyllte në fitore këtë ndeshje, në të 90’+6, Lesli mund ta kishte barazuar rezultatin në 1-1. Por për fatin e mirë të kuqezinjve, ndeshja e parë është fituar dhe Flamurtari ka festuar gjatë së bashku me tifozët e tij. Kanë besuar të gjithë te kjo skuadër, e cila duket se po zëvendëson brezin e artë të përbërë nga Anesti Arapi, Petro Ruci, Rrapo Taho, Kreshnik Çipi, Roland Iljadhi, Latif Gjondeda, Alfred Ziaji, Eqerem Memushi, Vasillaq Ziu, Vasil Ruci, Sokol Kushta, Agim Bubeqi, të cilët më 1987 ia bënë “fora”. Dy ture të kaluara, tre fitore me Partizanin e Beogradit, Vizmut AUE e Barcelona, ndaj dhe këta të sotmit nuk mund të jenë ndryshe. Flamurtari fitoi dhe mrekullia duhet të vazhdojë pas një jave në Skoci. Megjithëse trajneri i skocezëve, i cili e dinte se do të gjente një kundërshtar më të fortë se Laneli, ka shpresën e madhe që gjithçka do të përmbyset në ndeshjen e kthimit. Veçse nuk e di natyrën e vlonjatëve, të cilët në të tilla kushte kanë ditur që me një gol të Sokol Kushtës të skualifikojnë Partizanin e Beogradit. Sot djelmosha të rinj, kur mosha mesatare shkon 25 vjeç, mund të bëjnë gjithçka për këtë Flamurtar.
Memushi: Dominuam gjithçka në fushë
Eqerem Memushi, trajneri i skuadrës vlonjate është shprehur me nota optimiste pas fitores së djeshme kundër skocezëve. Tekniku i vlonjatëve ka vlerësuar lart ekipin e tij, madje nuk ka ngurruar të thotë se Flamurtari do të kualifikohet për në turin tjetër. “Komplimente gjithë skuadrës sepse tregoi se është gjithnjë në përmirësim dhe sot (dje) dha gjithçka në fushën e lojës – është shprehur tekniku – Ne dominuam gjithçka në fushë dhe me pak kujdes mund të kishim shënuar më tepër se një gol, por nuk mund të rrezikonim të zhbilancoheshim, pasi mund ta pësonim. Lojtarët megjithëse të rinj në moshë u treguan profesionistë të vërtetë. Arritën të ruanin ekuilibrat e lojës dhe të mos e linin kundërshtarin që të dilte në lojën e tij. Mendoj se kjo është padyshim fryt i përqendrimit maksimal dhe i punës së
bërë deri tani”.
Ganon: Kualifikimin e marrin në Skoci
Trajneri i Modhëruellit, Ganon, nuk i ka besuar syve, teksa skuadra e tij është mundur 0-1 nga Flamurtari. “Ne e dinim që vlonjatët do të ishin më të vështirë dhe më të fortë se Laneli. Por kurrsesi nuk e kishim menduar që do të na mundnin. Patën fat, sepse nuk shënuam dot me penallti. Megjithatë unë kam besim te skuadra dhe kalimi i turit për ne do të vendoset në ndeshjen e kthimit, në Modhëruell. Sikur të ishim më të kujdesshëm do të mund të kishim dalë me një barazim nga Vlora. Suksese Flamurtarit”, ka thënë në konferencën për shtyp Ganon për gazetarët e pranishëm në sallë. Ai nuk ka pranuar që të komentojë nëse lojtarët e tij patën vështirësi prej vapës së madhe. “Nuk mendoj se ishte kjo arsyeja se përse nuk fituam”, është shprehur ai me gjysmë zëri.
skeda
Flamurtari – Madhëruell 1-0
Golat: Strati 66’
Flamurtari: Moçka, Guga, Begaj, Alvizh, Mema (78’Galica), Ngjela (46’Zhunjor), Veliu, Strati, Zeqiri, Shehaj (37’Roshi), Begaj Trajner: E.Memushi
Madhëruell: Frejzer, Hamëll, Reinolds, Kraigan, Suton, Lesli, O’Brajin, MekGerri (68’Fizpatrik), Forbes (75’Mërfi), Saunders, Slane Trajner: J.Ganon
Gjyqtarë: F.Shtuhlik, R.Heim, J.Uinberger (Austri)
Kartonë të verdhë: Begaj, Mema, Strati/Forbes, Hamell