Ëndrra shkodrane bëhet makth
Gjergj Vyshka
Vllaznia e ka bërë rrugë që në turin e dytë të Kupave të Evropës të mos e përfundojë një ndeshje pa pesë gola të pësuar. Kështu ka ndodhur dhe dje në Vjenë, ndaj Rapidit vendas, ndërsa austriakët, jo vetëm që nuk e kanë diskutuar fitoren, por e kanë marrë më shumë se lehtësisht. Shkodranët, pa Grimën e dënuar nga Komisioni i Disiplinës në UEFA, por dhe pa Sinanin i ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen e kthimit ndaj Sligos, e kanë pasur shumë të vështirë t’i kundërpërgjigjen Rapidit. Austriakët i kanë vënë nën presion shkodranët që në minutat e para, veçse mbrojtja kuqeblu, me Beqirin dhe Mrvaljeviç luajnë mirë pozicionin jashtë loje. Në të tilla kushte, fillimisht sulmuesit e Rapidit kanë rënë pre e kësaj loje të Vllaznisë, e cila e ka patur të vështirë të dalë në sulm. Megjithatë me disa përpjekje sporadike të Smajlit, Balajt e Kasapit, por dhe Nikës, Vllaznia ka tentuar të jetë në fushën e lojës. Por rezistenca e shkodranëve ka rënë në të 33’, kur Mrvaljeviç ka shkaktuar penallti, të cilën austriakët e kanë kthyer në gol. Ka dhe përpjekje të tjera të austriakëve deri në fund të pjesës së parë, por vetëm 1-0 për Rapidin. Edhe pjesa e dytë është nën dominimin e vendasve, veçse ka ndonjë shkëndijë nga Balaj, apo Kasapi, që nuk kanë ngritur “peshë” shumë për Vllazninë. Dhe rezistenca e shkodranëve ka zgjatur deri në të 68’, kur Jeleviç ka shënuar golin e dytë. Në fushë nuk ka më Vllazni, ndërsa pas pesë minutash, i njëjti futbollist shënon golin e tretë për Rapidin. Vendasit kanë ruajtur dhe dy gola të tjerë deri në fundin e lojës, që kanë ardhur në harkun kohor të dy minutave, 83’ dhe 85’, me autor Trimler dhe Hofman. Ky është fundi i kësaj ndeshje, Rapidi që luan pingpong me shkodranët. Ndoshta për Vllazninë ka prishur punë dhe Shtubina, që ka qenë i dëmtuar. Në një kohë që mungesa e përvojës së Balajt, apo dhe të tjerëve duket se ka qenë pak për të përballuar Rapidin e Vjenës. Vllaznia duket se është mësuar me humbje të tilla, kur duhet kujtuar 6-0 përpara dy vjetësh me Trabzonsporin, 5-0 me Napolin dhe tani 5-0 që në ndeshjen e parë me Rapidin, që nuk lë asnjë hapësirë shprese për takimin e kthimit. Në Shkodër kanë qenë të gjithë të shokuar, sepse nuk e kanë pritur këtë disfatë dhe mungesë rezistence të Vllaznisë, e cila pati fat me Sligon, por nuk e pati fatin me Rapidin e Vjenës. Lika si trajner, përpara nëntë vjetësh, teksa drejtonte Teutën, pat rezistuar në rezultatin 0-0 deri në të 65’, atëherë kur vendasit shënuan dy gola. Shkërmoqja erdhi më pas në “Qemal Stafa”, 4-0, me një Rapid që kishte në krye Dejan Saviçeviçin. Por tani që kjo skuadër ka pak emra të njohur, atëherë Vllaznia duhet të kishte bërë diçka. Më 1978, Austria e Vjenës e pat mundur 4-1, kur Astrit Hafizi shënonte golin e ngushëllimit, kurse tani, as më pak e as më shumë, por 5-0. Dhe duke llogaritur se çfarë forcash mund të ketë Vllaznia për ndeshjen e dytë, atëhere kthimi në Shkodër është më shumë se pa interes. Ndoshta tifozët do të vijnë në stadiumin “Loro Boriçi” për të kujtuar atë që Vllaznia ka bërë më 1978, kur ka mundur Austrinë e Vjenës, 2-0, por jo për gjë tjetër. E thënë më troç, Vllaznia rezistoi 33 minuta, kurse Rapidi luajti pingpong.
skeda
Rapid i Vjenës - Vllaznia 5-0
Golat: Hofman 33’(p), Jelaviç 68’, 73’, Trimel 83’, Hofer 85’
Rapidi: Pajer, Patoka, Heikinen, Majerhofer (51’Jelaviç), Hofman, Katzer, Kavlak (74’Trimel), Eder, Hofer, Dober, Pehlivan (29’Drazhan) Trajner: P.Pakutl
Vllaznia: Bishani, Smajlaj, Mrvaljeviç, Osja, Belisha, Kasapi (77’Vajushi), Nika, Hallaçi, Beqiri, Balaj (87’M.Basiç), Nallbani Trajner: H.Lika
Gjyqtarë: V.Bezborodov, V.Semenov, D.Mosiakin (Rusi)
Kartonë të verdhë: Drazhan
Lika: Gabimet sollën disfatën
Trajneri i Vllaznisë, Hasan Lika, ka bërë komentin e tij pas ndeshjes, duke thënë se humbja e thellë nuk korrespondon me vlerat e skuadrës dhe kapacitetin e saj. Ai ka gjetur edhe shkaqet e humbjes, që sipas tij janë objektivë. “Deri para se të pësonim golin e dytë po luanim mirë dhe po e kontrollonim ndeshjen, por një gafë e portierit bëri që pas shënimit të këtij goli ne të balancoheshim në fushën e lojës dhe të dilnim krejtësisht nga detyrat taktike. Humbja nuk duhej të kishte qenë në shifra të tilla, mund të kishim evituar një rezultat të tillë. Megjithatë, një gabim i portierit kur u shënua goli i dytë solli çorientimin e skuadrës dhe daljen krejtësisht nga detyrat taktike. Ndodhi pikërisht pas këtij momenti. Gjithsesi, nuk është shkaku i vetëm, pasi kundërshtari që kishim përballë ishte në kuptimin e plotë të fjalës më lart se ne”, tha Lika.
Pakult: Fitore e vështirë
Trajneri i Rapidit është treguar më se modest mbi rezultatin e regjistruar nga skuadra e tij në takimin e djeshëm ndaj Vllaznisë. Në të vërtetë, kur të gjithë i kanë kushtuar vëmendje fitores së thellë të skuadrës austriake ndaj shkodranëve, tekniku Pakult shfaqet i qetë dhe jo euforik, duke përgëzuar gjithsesi lojtarët e tij për lojën që zhvilluan, madje dhe kundërshtarin për përpjekjet që bënë. “Unë jam i kënaqur me skuadrën, lojën e saj dhe angazhimin e lojtarëve. Sigurisht që rezultati na kënaq, pasi na jep garanci. Megjithatë, skuadra duhet të përmirësohet”, është shprehur Pakult, i cili ndryshe nga gjithë të tjerët në kryeqytetin austriak, nuk i ka dhënë ngjyra ndezëse fitores së thellë ndaj skuadrës shqiptare, që eliminoi në turin e parë Sligo Roversin irlandeze.