E Diel, 1 Nëntor 2026

“Goli” i anuluar për Topin, opozita akuzon për falsifikim



Gabimi i Arjan Madhit kthehet në betejë politike. Deputetët e majtë kanë pretenduar se procesverbali është falsifikuar. Mustafaj: Të verifikohet procesverbali

Opozita ka gjetur një tjetër motiv për t’u rënë tavolinave të Kuvendit. Gabimi i Arjan Madhit në seancën e ditës së hënë kur shpalli fitues dekretin e pestë, Zamir Podën, ka vënë në lëvizje socialistët. Deputetët e opozitës kanë pretenduar se në procesverbalin e kësaj seance kishte falsifikim, pasi mungonte “gafa” e Arjan Madhit, që shpallte fitues këtë dekret. Opozita në bllok ka filluar një debat me deputetët e opozitës, të cilët arritën të protestojnë duke u rënë tavolinave të Kuvendit. Zhurma e krijuar pushoi vetëm kur u mor vesh se Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte në derën e Kuvendit. Drejtuesi i seancës, Fatos Beja, u shpreh se nuk ka pasur falsifikim dhe e cilësoi si një veprim politik reagimin e opozitës në lidhje me zbardhjen e procesverbalit. Shqetësimit të opozitës për falsifikim të mundshëm të procesverbalit të votimit të dekreteve të Presidentit i është bashkuar dhe një deputet i PD-së i njohur si mbështetës i Topit, Besnik Mustafaj.

Debati

Kalimi nga diskutimet e lira të deputetëve në miratimin e procesverbalit, në seancën e djeshme nuk ishte një miratim rutinë, siç ndodh zakonisht. Kërkesës së Fatos Bejës në rast se kishte ndonjë vërejtje për procesverbalin, iu përgjigj kryetarja e grupit kuvendor socialist Valentina Leskaj. “Në procesverbalin e ditës së hënë nuk është regjistruar e plotë procedura e votimit. Procesverbali nuk mban deklaratën e kreut të sekretariatit i cili u shpreh se kandidatura mori pëlqimin e Kuvendit”, - tha Leskaj. Pretendimi i opozitës hasi menjëherë në kundërshtimin e parë të Bejës. “Ju u larguat nga seanca dhe nuk e ndoqët të plotë. Dekreti nuk u shpall votues”, - tha Beja. “Gabimi u pranua edhe para mediave nga zoti Madhi, ndaj dhe duhet të ishte shënuar në procesverbal se kandidatura mori pëlqimin e Kuvendit”, - u kundërpërgjigj Leskaj. Ky debat u përshkallëzua më tej. “Kandidatura nuk u shpall fituese. Rregullorja thotë se duhet të merren 50 plus 1 të votave ndërsa, dekreti mori 65 vota nga 66 që i duheshin. Është e vërtetë se votimi nuk ndryshohet dhe nuk është ndryshuar. Nuk e kuptoj këtë këmbëngulje”, - tha deputeti i djathtë, Aldo Bumçi. “Në lidhje me këtë procedurë, dua të kujtoj se nuk po flasim për procedura apo rregullore por për procesverbalin, i cili nuk është i plotë, por është falsifikuar”, - tha deputeti i majtë Gramoz Ruçi. Më tej, reagimi ka qenë më i ashpër nga opozita. Ky argument ka mjaftuar që Kuvendi të zhurmojë nga goditja e tavolinave të Kuvendit nga ana e deputetëve të majtë. Lajmërimi nga stafi i Kuvendit se Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ndodhej në hyrjen e Kuvendit, ka bërë që deputetët e opozitës të ndalojnë zhurmën, por jo debatin i cili vazhdoi deri në hyrjen e Thaçit në sallën e madhe të Kuvendit.

Deputeti i LSI-së, Spartak Braho, propozoi që një grup prej 6 deputetësh, tre nga opozita dhe tre nga mazhoranca, të verifikojnë procesverbalin, si dhe të përgatisin një relacion për Kuvendin. Propozimi i tij është mirëpritur edhe nga ana e deputetit të djathtë Besnik Mustafaj. “Është i rëndë fakti që procesverbali i Kuvendit mund të jetë falsifikuar. Ndoshta është defekt teknik që i ka ndodhur stafit të Kuvendit, ndoshta jo, por mendoj se duhet të verifikohet”, - tha Mustafaj. Drejtuesi i seancës Beja tha në fund të kësaj vorbulle parlamentare se do të ketë një verifikim të procesverbalit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›