Gjykata e Lartë, me karrige bosh që në 2007-n
Kristaq Ngjela kishte dalë në pension para një viti
Ylvi Myrtjes i kishte mbaruar mandati në janar
Në Gjykatën e Lartë janë disa karrige bosh, në pritje të gjyqtarëve të rinj, që do të zëvendësojnë gjyqtarët që u ka mbaruar mandati. Këto karrige bosh sa vijnë e vështirësojnë më shumë punën e 10 gjyqtarëve të mbetur në detyrë pas përfundimit të mandatit të 7 të tjerëve ndër ta dhe kreut të kësaj gjykate, Thimio Kondi. Që situata është e bllokuar në këtë institucion shumë të rëndësishëm të institucionit të drejtësisë kjo duket qartësisht dhe këtë duket se e kanë kuptuar së fundmi dhe institucionet që duhet të bëjnë zëvendësimet e gjyqtarëve, përkatësisht Presidenca dhe Kuvendi. Por “boshatisja” e Gjykatës së Lartë, megjithëse u mor vesh tani, ka nisur kohë më parë, edhe pse emrat e anëtarëve të rinj mbërritën në Kuvend vetëm në fund të majit. Në Gjykatën e Lartë kërkuam informacion për përfundimin e mandateve të gjyqtarëve të mëparshëm dhe mësuam se njëri prej tyre e kishte lënë punën që para një viti, ndërkohë që kandidati për ta zëvendësuar është dekretuar në maj. Gjyqtari Kristaq Ngjela ka dalë në pension për shkak të mbushjes së moshës, që në qershor të vitit 2007, pra, para 11 muajsh. Por, megjithëse një vend bosh nuk është konsideruar aq shqetësues sa të nisnin procedurat për ta zëvendësuar, në janar të këtij kanë qenë të gjitha arsyet për ta bërë këtë. Pikërisht këtë muaj, pra plot 4 muaj para se të niste debati për dekretet e Bamir Topit, i mbaroi mandati edhe një anëtari tjetër të kësaj gjykate. Përkatësisht bëhet fjalë për Ylvi Myrtjen, i cili e ka lënë mandatin që më 25 janar 2008. Ndërkohë tre gjyqtarëve të tjerë, Nikoleta Kita, Artan Hoxha dhe Agron Lamaj u ka mbaruar mandati më 20 maj 2008. Dekretet për plotësimin e këtyre vendeve nuk kanë vonuar, pasi mbajnë datën 22 maj 2008. Këtë datë mbajnë dhe dekretet për dy anëtarët e tjerë që u kishte mbaruar mandati shumë kohë më parë. Ndërkohë Presidenti dhe Kuvendi kanë një tjetër sfidë për të përballuar, atë të zgjedhjes së kryetarit të kësaj gjykate, zgjedhje që s’duhet të vonojë, pasi ai e ka lënë zyrën e tij që më datë 3 qershor. Akoma nuk ka njoftimin nga Presidenca për fillimin e procedurat për zëvendësimin e Thimio Kondit dhe të një tjetër gjyqtari, që i mbaroi mandati në një kohë me të. Ligjërisht, parashikohet që procedurat e zgjedhjes në organet kushtetuese për vendet vakante duhet të nisin 45 deri 30 ditë përpara mbarimit të mandatit.
Ligji
Në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë bëhet e ditur dhe funksionimi ligjor i kësaj gjykate. Ajo përbëhet nga 17 gjyqtarë. Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga radhët e gjyqtarëve me vjetërsi jo më pak se 10 vjet ose nga radhët e juristëve të shquar që e kanë ushtruar këtë profesion jo më pak se 15 vjet. Ndërkohë po në këtë faqe uebi, tek përbërja e gjykatës gjejmë vetëm emrat e 10 gjyqtarëve që janë në detyrë. Ata janë: Gani Dizdari, Perikli Zaharia, Spiro Spiro, Irma Bala, Evjeni Sinoimeri, Shpresa Beçaj, Ardian Dvorani, Besnik Imeraj, Fatos Lulo dhe Ardian Nuni. Shpresojmë që ndonjërit prej tyre të mos i mbarojë mandati së afërmi, sepse teknikisht do të mbetemi pa Gjykatë të Lartë, duke pasur parasysh rrugën e gjatë të përzgjedhjes së anëtarëve të rinj.