E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi në Kuvend: E ardhmja jonë, nën çatinë e BE-së dhe NATO-s



Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, falënderon shqiptarët

“Përpjekja e një shekulli u finalizua në një pikë të përbashkët”

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dha mesazhin e tij më kuptimplotë në Kuvendin e Shqipërisë, nga ku u shpreh se Shqipëria dhe Kosova do të jenë një së bashku nën çatinë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Vizita e Kryeministrit kosovar në Shqipëri pati kulmin në vizitën bërë në Kuvend, ku Hashim Thaçi gjeti rastin më unik për të falënderuar gjeneratat shqiptare të një shekulli, të cilat realizuar ëndrrën e madhe, lirinë. Atmosfera në Kuvend ka qenë tepër e veçantë nga vizita e ish-luftëtarit të UÇK-së, ku deputetët shqiptarë nuk reshtën së duartrokituri numrin një të qeverisë së Kosovës. “Jam i nderuar që sot, si Kryeministër i shtetit më ri në botë, i Republikës së Kosovës, kam mundësinë t’i drejtohem institucionit më të lartë përfaqësues të Republikës së Shqipërisë. Dëshiroj, që nga kjo foltore e demokracisë shqiptare, t’ju sjell përshëndetjet dhe falënderimet më të përzemërta të institucioneve dhe popullit të Republikës së Kosovës. Përpjekjet e sa e sa gjeneratave të qytetarëve të Kosovës bashkohen në një pikë të vetme: rikthimin e burimit të autoritetit politik te vullneti i popullit të Kosovës. Gjatë tërë shekullit të kaluar ky vullnet ishte shkelur, përbuzur dhe shtypur”, - tha Thaçi.

Mesazhi

“Kosova dhe Shqipëria, si dy shtete të pavarura, kanë një qëllim dhe një vizion: integrimin në NATO dhe Bashkimin Evropian. Epilog i natyrshëm i rrugëtimit tonë të gjatë, të mundimshëm dhe historik, është liria që ne gëzojmë sot, dhe e ardhmja jonë e sigurt nën çatinë e përbashkët: Bashkimin Evropian dhe NATO”, - ky ishte edhe mesazhi më kuptimplotë i Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, gjë që bëri që të gjithë deputetët shqiptarë ta duartrokasin në këmbë. Fundi i fjalimit të tij shënoi edhe fillimin e një bashkëpunimit të ri mes dy shteteve me identitet të njëjtë dhe ambicie politike të ngjashme. Thaçi iu drejtua edhe Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, ku e falënderoi për mbështetjen, si dhe e ftoi që së bashku të dyja vendet të ndjekin rrugën për të hyrë në çatinë e përbashkët të integrimit, në Evropën e Bashkuar, pjesë e së cilës do të jenë një ditë.

Fjalimi

Me një ton emocionues, në çdo paragraf të fjalimit të tij, Thaçi nuk reshti së thënë fjalën “Faleminderit”. “Për një shekull përpjekjesh, Kosova kishte mbështetjen e institucioneve shqiptare dhe gjithë qytetarëve të Shqipërisë. Mijëra e mijëra qytetarë të Kosovës, kur dëboheshin nga shtëpitë e tyre, gjetën strehim dhe ngrohtësi vëllazërore gjithandej qyteteve dhe fshatrave të Shqipërisë. Asgjë nuk është më e rëndësishme për një popull në çastet e mbijetesës kolektive sesa dora dhe shpirti i solidaritetit”, - tha në fjalën e tij Thaçi. “Unë jam rritur duke e dashur Shqipërinë, ashtu si të gjithë kosovarët. Është një dashuri që është bartur brez pas brezi, nga gjyshërit dhe prindërit e mi tek unë, dhe sot, nga unë tek djali im, i cili gjithmonë insiston që pushimet e verës t’i kalojmë në bregdetin e bukur shqiptar. Kam jetuar kohë pas kohe në Tiranë në fillim të viteve nëntëdhjetë, së bashku me babanë e pavarësisë së Kosovës, komandantin e legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharin, kudo, në “Ali Demi”, te 21-shi, tek Oxhaku, te Blloku. Sot Tirana ka ndryshuar, Shqipëria ka ndryshuar, por edhe unë kam ndryshuar, siç keni ndryshuar edhe ju”, - kujtoi Thaçi nga rinia e tij. Në fund të kësaj seance parlamentare domethënëse për të dyja shtetet shqiptare, Thaçi u larguar nga Kuvendi i Shqipërisë, duke shtrënguar duart me të zgjedhurit shqiptarë.

Topalli i premton Thaçit një vizitë në kantierin e rrugës Durrës-Morinë

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, pati rastin e veçantë që të presë në zyrën e saj Kryeministrin e Kosovës. Hashim Thaçi. Përveç urimeve të kryetares Topalli për situatën në Kosovë, ajo dha një premtim për Kryeministrin Thaçi. Topalli i premtoi atij një vizitë së shpejti në kantierin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë, të cilën të dy personalitetet e cilësuan si ura lidhëse mes dy shteteve. "Do të ishte një kënaqësi për mua, - tha zonja Topalli, - që në një kohë sa më të afërt, së bashku me një delegacion nga Kosova, të shkojmë e të shohim nga afër rrugën Durrës-Morinë, e cila është një arterie që do të lidhë më fort shqiptarët, që do të zhvillojë më shumë e më shpejt rrugët e bashkëpunimit rajonal, është një vepër gjigante që do t'i japë sigurisht një stad të ri zhvillimit të gjithë rajonit tonë, veçanërisht zhvillimit ekonomik”, - premtoi Topalli, e cila shtoi se “Shqipëria gjithmonë në krah të Kosovës, ka lobuar e do të vijojë lobimin, jo vetëm për njohjen e saj, por edhe për të bërë të mundur që Kosova të bëhet sa më shpejt pjesë e institucioneve ndërkombëtare”. “Jam shumë i lumtur që në këtë vizitë të parë timen pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndodhem në Kuvendin e Shqipërisë, ku më është dhënë mundësia t’u drejtohem deputetëve dhe popullit shqiptar”, - tha Kryeministri Thaçi në këtë takim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›