E Diel, 1 Nëntor 2026

“Goli me dorë”, bota e futbollit kryqëzon Francën

Autori i Lajmit: Redaksia
Paris - Të gjitha mediat botërore i kanë kushtuar një rëndësi të jashtëzakonshme ndeshjes së zhvilluar në Paris, duke e quajtur atë një skandal të përmasave të mëdha. Sidomos në Irlandë, dhimbja ka qenë vërtet e madhe, në radhët e tifozëve dhe në titujt e shtypit. “Hajduti Henri vodhi ëndrrat tona”, titullon Irish Independent. “Henri do ta mbajë këtë gol në ndërgjegje për gjithë jetën”, është titulli i Irish Times. “Këto gabime i shtojnë një tjetër kapitull dhimbjeve të irlandezëve, teksa këtë herë protagonist ishte një maskara me emrin Henri”, shkruan më tej kjo gazetë. E ndërkohë, paraqitja e skuadrës së tyre konsiderohet monumentale, heroike, 11 luanë për Belfast Telegraf. Nuk kanë munguar sulmet ndaj FIFA-s. Mbrojtësi Riçard Djun tha se e vendosën zyrtarët kush do të shkonte në Botëror, ku Franca e Platinisë nuk mund të mungonte. Liam Bredi, ndihmësi i Trapatonit e ka quajtur këtë një ditë të trishtuar për futbollin dhe ka kërkuar që ndeshja të riluhet. Por, është e vështirë që kjo të ndodhë. Ndërkohë, mediat në Francë janë marrë sidomos me pikëpyetjen nëse Domenek duhet të vazhdojë apo jo të jetë në krye të kombëtares, ndërsa e kanë krahasuar Henrinë me Maradonën. “Dora e Zotit” titullon në faqe të parë e përditshmja sportive “L’Equipe”. “Është e sigurt se Franca u kualifikua, por rezultati nuk ishte i mjaftueshëm për të kënaqur ndjenjat tona”, shkruan më tej kjo gazetë. “Një Mrekulli” e quan këtë kualifikim ‘Le Parizien’, ndërsa të gjitha gazetat nuk harrojnë të kritikojnë trajnerin e tyre për mënyrën e vendosjes së skuadrës dhe të përgatitjes së ndeshjes. Por, deklarata më domethënëse ka qenë ajo e Tieri Henrisë, lojtari që ndaloi topin me dorë në aksionin e golit të barazimit. “Po, ishte një top i ndaluar me dorë, - tha sulmuesi i Barcelonës. – E di që është e vështirë ta pranosh dhe këtë po u thoja edhe kolegëve irlandezë. Por, topi u përplas në dorën time dhe unë nuk mund të bëja gjë tjetër veçse ta pasoja. Ua thashë edhe futbollistëve irlandezë se unë nuk jam arbitri”, deklaroi Henri, që ka konfirmuar fjalët e Trapatonit se gjyqtari i ndeshjes, Martin Hanson, ka gabuar rëndë. Pas ndeshjes, trajneri Rajmond Domenek mohoi të ketë parë prekjen me dorë të Henri. “Nuk e pashë përsëritjen, nuk pashë asgjë. Pashë vetëm që arbitri dha një gol, por se çfarë ndodhi nuk e di. Nuk mund të shihja asgjë nga aty ku isha”,- u shpreh trajneri i Francës. Domenek shtoi se gjëra të tilla ndodhin dhe, pavarësisht se si u shënua, ai gol e ka lumturuar. “Ndoshta të gjithë prisnin një fitore 2-0 apo 3-0, por në fushë ishin 11 irlandezë që mendonin ndryshe”,- deklaroi ai. Por, ka qenë i papërmbajtshëm trajneri i Irlandës, Xhovani Trapatoni, që në fund të ndeshjes i dha dorën në mënyrë ironike kolegut të tij, Domenek. “I besoj inteligjencës suaj, nuk dua të them fjalë të tjera. Ju të gjithë e patë ndeshjen, të gjithë njerëzit në Evropë e panë atë moment”, - deklaroi Trapatoni. “Jam shumë i mërzitur, sepse arbitri pati kohë të fliste me anësorin, madje të pyeste edhe vetë Henrinë. Jam i sigurt se, nëse do ta kishte pyetur vetë Henrinë, do t’ia kishte pohuar se e preku topin me dorë. Por, gjithçka është çështje biznesi”, - deklaroi trajneri italian.

Ky lajm është publikuar: 20/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›