Shtohen vjedhjet në plazh, policia merr masa
Vjedhjet janë kthyer në problem shumë shqetësues për pushuesit e plazheve të Qarkut të Fierit, si dhe për banorët e zonave bregdetare. Kjo është deklarata që vjen zyrtarisht për gazetën "Shqip" nga seksioni i krimeve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut. Drejtues të policisë së Fierit thonë për "Shqip" se janë denoncuar vjedhje pushuesish, kabinash, biznesesh, si dhe banesash në zonat bregdetare. Burimet policore tregojnë se dy nga pikat e nxehta ku ka një numër të madh denoncimesh për vjedhje janë zona e Pishë-Poros në Komunën e Levanit dhe Divjaka. Me vjedhje në mes të ditës janë përballur edhe kabinat e plazhit, apo bizneset në zonat turistike. Përballë ankesave të shumta, policia e Fierit ka marrë një sërë masash për të rritur sigurinë në këto zona. Mësohet se me një urdhër të veçantë të drejtorit të policisë së qarkut është rritur numri i shërbimeve policore në bregdet. Ekipe të posaçme të policisë së rendit patrullojnë në çdo plazh të populluar të qarkut. Shërbimi policor është i dubluar dhe është i pranishëm në vijën bregdetare të Fierit përgjatë gjithë kohës së frekuentimit të bregdetit.