Gomonia, gjendet një person i gjallë dhe një i vdekur në brigjet kroate
Pas katër ditë kërkimesh forcat e shpëtimit kanë gjetur një person të gjallë dhe një tjetër të vdekur nga gomonia e humbur në ujërat e Adriatikut, ndërkohë që vazhdojnë ende kërkimet për peshkatarin e tretë që ndodhej me ta. I mbijetuari Romeo Pulizi kishte arritur të dilte në tokë në brigjet kroate të bregdetit, në ishullin Mljet. Sipas dëshmive të tij, dallgët kishin përmbytur gomonen, duke i hedhur ata në det dhe duke humbur kështu nga njëri-tjetri. Kur ka marrë veten, Romeo Pulizika bërë të ditur për policinë se gomonia është përmbytur nga dallgët. Sipas deklaratës së tij, konfirmohet prania e tre personave në gomone. Pulizi ka thënë se pas përmbytjes, të tre peshkatarët kanë rënë në det të hapur duke humbur nga njëri-tjetri. Ai, duke notuar, ka arritur që të dalë në breg dhe të shpëtojë.
Kërkimet po vazhdojnë në Dubrovnik, në ishullin Mljet të Kroacisë për gjetjen e personit tjetër të humbur. Ndërkohë, policia ka thirrur familjarët në mënyrë që të bëhet i mundur identifikimi i trupit të pajetë për të mësuar se kush është viktima, Niko apo Sotir Golaj.
Burime zyrtare nga Policia Kufitare Shqiptare bëjnë të ditur se rreth orës 14:00 të ditës së djeshme, forcat e shpëtimit kanë gjetur në tokë, në ishin Mljet të Kroacisë, trupin e pajetë të një burri që më pas u vërtetua se ishte pikërisht i humburi nga Vlora.
Gomonia me tre shtetas nga Vlora, të cilët mendohet se kishin dalë në det për peshkim, humbi ditën e martë, pasi u mor nga erërat e forta detare. Njëri nga personat, Romeo Pulizi, dha alarmin se gomonia po mbytet dhe forcat e policisë detare shqiptare, malazeze dhe kroate u vunë në lëvizje.
Vetëm ditën e djeshme u konstatua se shtetasi Romeo Pulizi arriti të dilte gjallë në breg. Pak orë më vonë, u gjet i vdekur shoku i tij. Ndërkohë, vazhdojnë kërkimet për personin e tretë të humbur. Personi që u gjet i vdekur dhe ai që aktualisht deklarohet i humbur, janë vëllezër.
Pas gjetjes së dy prej peshkatarëve të humbur, përkatësisht Romeo Pulizi dhe njëri prej vëllezërve Golaj, Mali i Zi ndërpreu kërkimet për gomonen ditën e djeshme rreth orës 19:00. Pala kroate do t’i vazhdojë kërkimet e saj intensive edhe gjatë natës. Këto kërkime të palës kroate do të zhvillohen si në terrenin tokësor, ashtu edhe atë ujor. Më tepër kërkimet do të përqendrohen në zonën ku u gjet trupi i pajetë i njërit prej peshkatarëve, i cili i përket njërit prej vëllezërve Golaj. Ndërkohë që mjetet e Malit të Zi rinisin kërkimet për personin e tretë të humbur mëngjesin e ditës së sotme.