Gomonia e humbur, gjendet i mbijetuari në brigjet kroate
Pas katër ditë kërkimesh, është gjetur vetëm një person i gjallë nga gomonia me tre persona e zhdukur në ujërat e Adriatikut. Një prej tyre ka vdekur, ndërsa personi i tretë rezulton i humbur. I mbijetuari, Romeo Pulizi, është gjetur në brigjet kroate të bregdetit në ishullin Mljet. Sipas dëshmive të tij, dallgët kishin përmbytur gomonen, duke i hedhur ata në det dhe duke humbur kështu nga njëri-tjetri. Kur ka marrë veten, Romeo Pulizi ka bërë të ditur për policinë se gomonia është përmbytur nga dallgët. Sipas deklaratës së tij, konfirmohet prania e tre personave në gomone. Pulizi ka thënë se pas përmbytjes, të tre peshkatarët kanë rënë në det të hapur duke humbur nga njëri-tjetri. Ai, duke notuar, ka arritur që të dalë në breg dhe të shpëtojë.
Kërkimet po vazhdojnë në Dubrovnik në ishullin Mljet të Kroacisë për gjetjen e personit tjetër të humbur. Ndërkohë, policia ka thirrur familjarët në mënyrë që të bëhet i mundur identifikimi i trupit të pajetë, për të mësuar se kush është viktima, Niko apo Sotir Golaj.
Burime zyrtare nga Policia Kufitare Shqiptare bëjnë të ditur se rreth orës 14:00 të ditës së djeshme forcat e shpëtimit kanë gjetur në tokë, në ishin Mljet të Kroacisë, trupi i pajetë i një burri që më pas u vërtetua se ishte pikërisht i humburi nga Vlora.
Gomonia me tre shtetas nga Vlora që mendohet se kishin dalë në det për peshkim, humbi ditën e martë, pasi u mor nga erërat e forta detare. Njëri nga personat, Romeo Pulizi, tha alarmin se gomonia po mbytet dhe u vunë në lëvizje forcat e policisë detare shqiptare, malazeze dhe kroate.
Vetëm ditën e djeshme u konstatua se shtetasi Romeo Pulizi arriti të dalë gjatë në breg. Pak orë më vonë, u gjet i vdekur shoku i tij. Ndërkohë vazhdojnë kërkimet për personin e tretë të humbur. Personi që u gjet i vdekur dhe ai që aktualisht deklarohet i humbur janë vëllezër.
Pas gjetjes së dy prej peshkatarëve të humbur, përkatësisht Romeo Pulizi dhe njëri prej vëllezërve Golaj, Mali i Zi ndërpreu kërkimet për gomonen ditën e djeshme rreth orës 19:00. Pala kroate do t’i vazhdojë kërkimet e saj intensive edhe gjatë natës. Këto kërkime të palës kroate do të zhvillohen si në terrenin tokësor ashtu edhe atë ujor. Më tepër kërkimet do të përqendrohen në zonën ku u gjet trupi i pajetë i njërit prej peshkatarëve, i cili i përket njërit prej vëllezërve Golaj. Ndërkohë që mjetet e Malit të Zi rinisin kërkimet për personin e tretë humbur mëngjesin e ditës së sotme. Gomonia me tre personat që ishin në të rezultojnë të humbur prej katër ditësh në ujërat e Adriatikut. Strukturat e Policisë së Shtetit janë informuar nga Kapitaneria e Portit Vlorë rreth orës 08:30 të ditës së diel nga një shtetase nga qyteti i Vlorës, që ka njoftuar se bashkëshorti i saj, Romeo Pulizi, 43 vjeç, gjendej në det të hapur me një mjet lundrues së bashku me dy shokë të tij, Sotir dhe Niko Golaj dhe dallgët po i çonin drejt Malit të Zi. Me të marrë informacionin nga strukturat e Policisë Kufitare dhe Migracionit është kontaktuar me celular me këtë shtetas, por nga ana e tij, nuk ishte e mundur që të përcaktohej saktë vendndodhja, ndërkohë në telefonin celular dilte sinjali i telefonisë së Malit të Zi. Nga punonjësit e policisë është marrë kontakt dhe me familjarët e shtetasit Romeo Pulizi, të cilët deklaruan se ky shtetas ishte larguar nga shtëpia që prej ditës së diel, datë 18.01.2009, rreth orës 16:00, duke u thënë se do të dilte për të peshkuar me shokët. Komunikimi i fundit që ata kanë pasur me shtetasin Romeo Pulizin ka qenë pardje në mëngjes, ku ky shtetas u ka deklaruar familjarëve që gjendej në det të hapur me mjetin lundrues së bashku me dy shokë të tij dhe dallgët po i çonin drejt Malit të Zi. Për t’ju ardhur në ndihmë këtyre qytetarëve nga strukturat e Policisë së Shtetit, përkatësisht Departamenti i Policisë Kufitare dhe Migracionit, u mor kontakt menjëherë me policinë malazeze, për të bërë të mundur fillimin e kërkimeve në ujërat e tyre. Po ashtu, homologëve malazezë iu kërkua që të lejonin fluturimet në hapësirën e tyre tokësore dhe ujore të helikopterëve të Ministrisë sonë të Mbrojtjes. Gomonia me tre persona në bord dha alarmin "SOS" në ujërat territorialë të Malit të Zi, në detin Adriatik. Personat që ndodhen në gomone, njoftuan se arritën të shikojnë në det tragetin "Riviera del Connero" të linjës Ankona-Durrës. Kapitaneria e Portit të Durrësit i dha urdhrin kapitenit të tragetit të ndërpresë udhëtimin dhe të mbikëqyrë zonën. Trageti vijoi kërkimet për rreth tre orë, por pa rezultat. Ndërkohë që po ditën e mërkurë , me gjithë angazhimin e shumë mjeteve dhe forcave të shpëtimit, nuk u arrit që të gjendej mjeti i humbur.