E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Eagle Mobile” do ofrojë shërbime për institucionet publike



“Eagle Mobile”, kompania më e re e telefonisë celulare në Shqipëri, është përzgjedhur si operatori që do të ofrojë shërbimet e tij celulare për punonjësit e administratës publike. Përzgjedhja është bërë pas një gare të organizuar nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, nëpërmjet një komisioni të vlerësimit të ofertave që u shpallën nga operatorët celularë. Gara u zhvillua më datën 12 janar 2009 dhe “Eagle Mobile” propozoi ofertën më të mirë dhe më ekonomike për institucionet. MPPTT me një vendim të datës 20 janar 2009 vendosi t’i japë të drejtën kompanisë “Eagle Mobile” të ofrojë shërbimet e saj për punonjësit e 8 institucioneve shtetërore të rangut ministror. Më se 60 mijë punonjës të administratës do të kenë mundësinë të përdorin shërbimet më të reja që “Eagle Mobile” ka sjellë në tregun shqiptar të telekomunikacionit. Ky besim vjen pas një pune gjigante të kryer nga “Eagle Mobile”. Në një kohë rekord, së bashku me kryerjen e mbulimit dhe dhënien e shërbimeve, “Eagle Mobile” ka shënuar tashmë 300 mijë abonentë në të gjithë vendin. “Puna e “Eagle Mobile” në këta muaj ka treguar fuqinë dhe seriozitetin e kësaj kompanie. Falënderojmë institucionet që na besuan dhe që përzgjodhën të jenë pjesëtarë të familjes sonë. Falënderojmë qytetarët anekënd vendit që presin edhe në radhë për të marrë numrat dhe shërbimet tona”, - tha drejtori i Përgjithshëm i “Eagle Mobile”, z. Ali Taskin, në një deklaratë për mediat. Ai shtoi se punonjësit e administratës publike mund të marrin edhe deri në 2 numra të tjerë për familjarët e tyre. “Eagle nuk mendon vetëm për komunikimin në institucion, por edhe për komunikimin e tyre familjar”, - tha zoti Taskin.

“ProCredit Bank” dhuron 100 pemë bliri për Tiranën

Në vazhdimësi të kujdesit ndaj ambientin dhe përkushtimit ndaj komunitetit, “ProCredit Bank” bëhet pjesë e nismës “Një qytetar - një pemë” të prezantuar nga Bashkia Tiranë. “ProCredit Bank” i ka dhuruar Bashkisë Tiranë 100 pemë bliri dhe 20 kosha për mbeturina për akset kryesore të kryeqytetit. Gjithashtu, stafi i “ProCredit Bank” në mënyrë vullnetare do të bëhet pjesë e kësaj nisme dhe do të jenë të pranishëm për mbjelljen e fidanëve. “ProCredit Bank” beson se nëpërmjet nismës “Një qytetar - një pemë” ndihmon qytetarët e Tiranës për të pasur më shumë ambiente të gjelbra, pastrimin e ajrit, uljen e ndotjes dhe sëmundjeve respiratore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›