E Diel, 1 Nëntor 2026

Urologjia mbledh mjekët e Ballkanit në Tiranë

Tiranë-Mjekët urologë të rajonit janë mbledhur këtë vit në Tiranë. Kongresi i Urologjisë zhvillohet për herë të parë në Shqipëri dhe synon të trajtojë temat kryesore të sëmundjeve të rrugëve urinare dhe të veshkave. Sipas, kryetarit të Shoqatës së Urologëve Shqiptarë, Flamur Tartari, gjatë punimeve të kongresit, mjekët do të shkëmbejnë eksperiencat e tyre për problemet e urologjisë, kirurgjisë, anestezologjisë, etj.

Gjatë punimeve pritet të prezantohen rreth 200 referate mbi  probleme të urologjisë, nga mjekë vendas dhe të huaj. Ndërkohë, mjekët shqiptarë nga spitale të ndryshme të vendit do të paraqiten me rreth 20 punime shkencore.

Temat kryesore të referateve janë; Kanceri i veshkave, prostata, gurët e veshkave dhe mjekimi i tyre, si dhe inkontinenca e urinës tek grate. Po kështu edhe  traumat e urinës, të fshikëzës urinare, që mund të jenë dëmtime të aparatit urinar, si duhen mjekuar, etj.

Duke folur për zhvillimin e kësaj dege të mjekësisë, doktor Simon  Çapeli u shpreh se “sot, urologjia shqiptare përballon me sukses dhe nivel të lartë shkencor të gjitha nevojat e popullsisë për një trajtim modern të patologjive të aparatit urogenital dhe vetë ky kongres është dëshmi e këtyre arritjeve”. Sipas tij mjekësia shqiptare në tërësi dhe urologjia do të vazhdojë të përparojë edhe falë bashkëpunimit me spitalet e shteteve të rajonit.

Në kongresin dyditor marrin pjesë mbi 300 mjekë nga gjithë shtetet e Europës Juglindore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›