Kosovë, miratohet Deklarata e Mijëvjeçarit
Kuvendi i Kosovës miratoi sot Rezolutën përmes së cilës Kosova merr përsipër zbatimin e Objektivave të Deklaratës së Mijëvjeçarit, të miratuar nga OKB-ja në vitin 2000.
Në seancën solemne të Kuvendit, krerët e institucioneve thanë se miratimi i saj ndihmon zhvillimin ekonomik e social si dhe procesin e integrimit të Kosovës në strukturat ndërkombëtare.
Kuvendi inkurajoi qeverinë dhe mekanizmat tjerë shoqëror, që të angazhohen në përmbushjen e kërkesave të Deklaratës.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi tha se objektivat e Deklaratës i shërbejnë zhvillimit ekonomik dhe agjendës evropiane për Kosovën, ndërsa presidenti Fatmir Sejdiu, tha se strategjia e zhvillimit të Kosovës duhet të reflektojë parimet kryesore të parapara me deklaratën e mijëvjeçarit. Ai veçoi zhdukjen e varfërisë si njëri nga objektivat e deklaratës.
Sipas kryeministrit Hashim Thaçi ndërkaq, deklarata është në përputhje me vizionin e së ardhmes për Kosovën.
“Vendimi i sotëm i parlamentit është përshëndetur edhe nga përfaqësues të agjencive të OKB-së, sipas të cilëve objektivat paraqesin sfidë të vërtetë për Kosovën, për faktin se shteti më i ri është vend i varfër, me vështirësi të trashëguara në arsim, në shëndetësi etj” tha Thaçi.
Tetë parimet e axhendës ambicioze të OKB-së, të miratuara në shtator të vitit 2000, përcaktojnë për qeveritë e të gjitha vendeve objektivat që synojnë përmirësimin e kushteve të jetesës për popullsinë botërore deri në vitin 2015. Reduktimi i varfërisë, urisë, sëmundjeve, analfabetizmit, ndalimi shkatërrimit të mjedisit dhe luftimi i diskriminimit ndaj femrave janë objektiva kryesore, të deklaratës së mileniumit, të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 2000. Rreth 190 shtete, përfshirë Kosovën deri tani i kanë pranuar këto objektiva. /rtk/