E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregoi vrasjen, u vra me bombë të telekomanduar

 

Prokuroria e Krimeve të rënda paraqiti dje në Gjykatë dëshminë e ish-policit Pëllumb Beqiri, në procesin kundër të pandehurve si anëtarë të “Bandës së Lushnjës”. Ish-polici rrëfeu për vrasjen e xhaxhait të tij nga anëtarët e Bandës së Lushnjës, duke pohuar se ai e kishte zbardhur vrasjen e Idajet Beqirit nga ato çfarë i kishte treguar Enver Rabija, një nga “ushtarët” e Aldo Bares. Rabija, i cili atëherë doli kundër bandës dhe tregoi për një nga krimet e saj, ka mbetur i vdekur si pasojë e shpërthimit të një bombe që ai mbante me vete në rrugën “Don Bosko” në Tiranë. Ngjarja ndodhi në vitin 2005 dhe dyshohet se Rabija u vra nga organizata kriminale ku kishte bërë pjesë. Më poshtë vijon dëshmia e paraqitur dje në gjykatë nga Prokuroria, në mungesë të ish-policit:
Jam banor i lagjes “Kastriot” në Fier. Kam filluar punë si punonjës policie që prej vitit 1995, me detyrë agjent krimesh në Komisariatin e Policisë Lushnjë. Këtë detyrë e kam vazhduar deri në vitin 1998. Në këtë vit, me kërkesën time jam larguar nga kjo punë dhe shkova si emigrant në Greqi. Në vitin 2004 unë fillova përsëri si polic në burgun e Rrogozhinës. Dua të sqaroj se në muajin shkurt të vitit 1998, një javë mbas vrasjes së Nimet Zenelit në fshatin Kolonjë, në rrugën që të çon në fshatin Bitaj, më është vrarë xhaxhai im i quajtur Idajet Beqiri, së bashku me një person nga Fieri i quajtur Masar Aliu. Për këtë vrasje unë kam mësuar nga shtetasi Enver Nazmi Rabija, lindur në fshatin Gradisht të Lushnjës dhe banues në Lushnje, i cili gjatë periudhës 1996 e deri më datë 05.03.2005, kur u vra me bombë në Tiranë, ka qenë një nga pjesëtarët më aktivë të grupit kriminal të organizuar nga Fredi Shkurti.
Nga niseni ju që Enver Rabija ka qenë pjesëtar aktiv i grupit të Fred Shkurtit në Lushnjë?
Unë, Pëllumb, Enver Rabinë e kam njohur që në femini, mbasi ky është nipi i gruas së dajës tim nga fshati Plyk Lushnjë, i quajtur Zija Arapi, i cili e ka pasur djalin e motrës së gruas. Më Enverin unë jam bashkëmoshatar dhe me të kisha krijuar shoqëri që në moshë të vogël, kur ne shkonim tek dajua im në fshatin Plyk dhe këtë shoqëri e kam mbajtur gjatë gjithë kohës. Në muajin qershor të vitit 1997, unë pasi mbarova shërbimin po shkoja për në shtëpi. Para se të shkoja në shtëpi kalova te Fondacioni “Populli”, i cili ishte në afërsi të farmacisë së madhe të qytetit, për të marrë lekët që kisha çuar aty. Kur unë isha duke pritur aty, vjen Leonard Prifti, i veshur me një kostum sportiv, me një kapele ngjyrë të bardhë në kokë, i shoqëruar me dy persona të tjerë të moshës, 18-20 vjeç, të cilët unë nuk i njihja. Sa vjen aty Leonardi nxjerr nga brezi një pistoletë dhe më drejtohet mua pa ndonjë shkak, duke më thënë “Ti polic, çfarë do aty! Largohu prej aty!”. Në këtë kohë unë nxora pistoletën time nga brezi dhe e mbaj në dorë dhe në të njëjtën kohë i them Leonardit që çfarë kishte ai me mua. Nga këto fjalë ai acarohet dhe donte të qëllonte me armë drejt meje. Në këto momente papritur ndërhyn Enver Rabija, të cilin nuk e kisha parë më parë që ishte aty. Ai i merr pistoletën nga dora Leonardit. Pasi ia mori atij më thotë edhe mua që “ma jep mua armën që ke në dorë dhe do të vish me mua”. Unë i them se ku do të vemi, por ai më tha se ec e mos bëj zë dhe unë shkova pas tij. Shkojmë dhe futemi mes pallateve që janë ngjitur me Komisariatin e Policisë Lushnjë nga ana jugore. Paraprakisht për t’u futur mes pallateve kalojmë në një postbllok, i cili ndodhej midis pallatit ku ishte fondacioni dhe pallatit të Fred Shkurtit (Aldo Bares). Në këtë postbllok ishin tre vetë, mes të cilëve njoha vetëm Ilir Stërgun. Të tre këta ishin me pistoleta në brez. Pasi u futëm mes pallateve, Enveri më çoi tek godina njëkatëshe e rrethuar me mure rrethues të lartë, ku qëndronte Alfred Shkurti në afërsi të Komisariatit të Policisë. Unë, së bashku me Enver Rabin dhe Leonard Priftin u futëm në një dhomë të kësaj godinë, ku ishte edhe Alfred Shkurti (Aldo Bare), Enver Dondollaku dhe dy persona të tjerë të cilët nuk i njihja mirë. Më pas aty erdhi edhe Ilir Stërgu. Sa u futëm, Fredi Shkurti më tha “Është hera e fundit që t’i gërricesh me çunat e mi. Për hatër të Enver Rabisë, ti nuk po shkon sot në Divjakë”. Sa mbaroi këto fjalë, ndërhyn Enver Rabija duke i thënë këtij “Shef, ky do na duhet se është djalë i mirë”. Pas këtyre fjalëve Fredi më thotë “largohu dhe po të kesh ndonjë hall, tako Enver Rabin dhe ky të më informojë mua. Çdo hall që të kesh në Lushnje do ta zgjidh unë”. Pas këtyre fjalëve unë largohem për në shtëpi. Pas disa ditësh Enver Rabija u plagos në nofull në një përplasje që pati grupi i Fredi Shkurtit (Aldo Bares) me grupin e Artur Dajës në qytetin e Lusnjës, ku si pasojë e kësaj përplasjeje mbeti i vrarë vëllai i Enverit, Bardhi Rabija dhe Vëllai i Fredi Shkurtit, Ramadani. Unë pas disa ditësh shkova në shtëpinë e nënës së Enver Rabisë për ngushëllim. Aty mësova se pas kësaj plagosjeje Enveri ishte fshehur nga Fredi Shkurti (Aldo Bare) dhe këta i bënin mjekim në ambiente të fshehta. Enveri ndenji për një periudhë më shumë se 7 muaj i fshehur. Unë herë pas here interesohesha tek dajua se ku ishte Enveri dhe ata gjithmonë më thoshin se nuk e dinin ku kurohej.
Ka qenë muaji shkurt i vitit 1998. Unë kisha disa punë të mija në lagjen “Gafurr Muço” dhe po lëvizja në afërsi të vilës së Jadhi Mones. Aty më thërret Enver Rabija, i cili ishte i shoqëruar me Ilir Stërgun, Enver Boriçin dhe një djalë tjetër me syze që nuk e njihja. Më tha “Pëllumb dua të bisedoj pak me ty”. Pasi i thashë të vinte, ai vjen e më takon. Më thotë “unë e ti duhet të bisedojmë pak, por jo tani, një ditë tjetër”. Kishin kaluar rreth 20 ditë nga ky takim dhe unë isha duke ndenjur vetëm para Postës së vjetër, kur nga lokali ngjitur me postën doli Enver Rabija e më thërret. Sa më takon më thotë “Çfarë e kishe ti atë që u vra para dy ditësh në Kolonjë me mbiemrin Beqiri?”. Unë i thashë që ai ishte Idajet Beqiri dhe ishte xhaxhai im. Në vazhdim të bisedës Enver Rabija më thotë: Ai u vra gabimisht sepse ne shkuam për të vrarë Gramoz Selmanin. Unë dhe shefi im Fredi duam të takojmë babanë tënd që të bisedojmë për këtë problem. Unë në vend i them që babai im nuk pranon të bisedojë për këtë problem. Pas kësaj bisede u larguam për në shtëpi.
Pas dy ditësh unë interesohem tek dajoja im në Plyk, i quajtur Zija Arapi, për të takuar përsëri Enver Rabin, për ta pyetur më hollësisht rreth vrasjes së xhaxhait tim Idajetit, që më tha dy ditë më parë. Ka qenë pasdite kur unë po shkoja tek Plastmasi në Lushnjë, me qëllim gjetjen e ndonjë makine për të shkuar në Fier, ku kisha shtëpinë. Kur mbërrij shoh që aty ishte Enver Rabija me një shokun e vet me një makinë tip “Lançia” ngjyrë gri me targa italiane. Emrin e këtij shokut nuk ia di, por di që ishte nga Berati, lidhje shoqërore e grupit të Fredi Shkurtit. Për këtë person me sa kam dëgjuar më vonë është gjetur i vrarë në Divjakë. Sa afrohem aty zbresin të dy këta, Enveri dhe personi tjetër nga makina ku ishin. Të dy kishin nga dy pistoleta në brez. I kam të fiksuara se çdonjëri kishte nga një pistoletë me mulli dhe nga një pistoletë nga ato që mbajnë 15 fishekë, të tipit “zastava”. Pasi takohem me të dy, Enveri i thotë shokut të vet “largohu ti, se kam një muhabet me këtë kushëririn tim. Ai largohet. Në kohën që unë isha vetëm për vetëm me Enver Rabin ky më thotë: “Ne kishim më se dy javë që shkonim në fshatin Bitaj për të ekzekutuar Gramoz Selmanin, i cili rri fshehur tek vjehrri i vet në këtë fshat”. Unë nuk e pyes se ç’problem kishte ky me Gramoz Selmanin, por e pyes se si u vra xhaxhai im dhe kush e vrau. Enveri më thotë: “Ne, si të thashë më parë, kishim dy javë që po zinim pritë në fshatin Kolonjë për të vrarë Gramoz Selmanin, por nuk po e gjenim dot ta vrisnim. Atë ditë që u vra xhaxhai yt, unë së bashku me shokët e mi ikëm me dy makina nga Lushnja për në Kolonjë. Kemi qenë shtatë vetë, në makinën time  tre, ndërsa në tjetrën katër.  Kur shkuam në Kolonjë në pritëm fillimisht tek kthesa e lapidarit që të çonte në fshatin Bitaj për më shumë se dy orë. Gjatë kohës që në rrinim këtu shikonim nga drejtimi i fshatit Bitaj se mos vinte makina me të cilën lëvizte Gramoz Selmani. Nga të gjithë ne që ishim aty disa u futën në një lokal, aty në cep të rrugës, e disa qëndruan në makinë. Të gjithë ishim me automatik të shkurtër “skorpions”. Pas rreth dy orësh që ne ishim duke pritur, mua më thotë Enver Dondollaku, që ti Enver largohu dhe tako shefin (Aldo Baren) në Lushnjë se të kërkon. Unë pas këtyre fjalëve nisem në Lushnje me dy persona të tjerë, emrat e të cilëve m’i tha por nuk i mbaj mend. Kur u larguam ne aty mbeti Enver Dondollaku, përgjegjësi i kësaj pune, Ilir Stërgu, Leonard Prifti dhe Arben Boriçi. Unë shkova në Lushnje tek shefi dhe po rrija aty. Pas rreth 20 minutash vijnë të gjithë personat që ndenjën në pritë në Kolonjë dhe futen brenda tek dhoma ku rrinte Fredi. Së bashku me ta futem edhe unë brenda. Sa u futëm, Dondollaku i thotë Fred Shkurtit që vramë shoferin e Gramozit, por më duket se vramë dhe atë mësuesin, vëllain e Jakupit. Fredi i thotë që s’ka problem se bisedoj unë me ta. Pas kësaj bisede, të gjithë siç ishim shkuam në Divjakë për të ngrënë drekë”.
Un në vazhdim e pyes Enverin se kush qëlloi mbi këta në pritë, por ai më tha “unë pyeta Enver Dondollakun si e vratë mësuesin. Dondollaku tha që qëlluan të gjithë mbi makinën dhe personat që ishin në të se nuk e dinim se kush ishte”.
Mbas disa ditësh të kësaj bisede unë takohem përsëri me Enver Rabin tek posta e Vjetër, në afërsi të vendit ku rrinte grupi i Fredi Shkurtit. Sa takohem Enveri më thotë që duhet të largohej urgjent nga Shqipëria sepse “jam ngatërruar keq duke vrarë njerëz që nuk i njoh”. I them përse i vret, ai mu përgjigj që i kam vrarë për hesapet e Fredi Shkurtit. Unë, nisur nga marrëdhëniet që kisha me të i them “largohu direkt, pa lënë adresë se ku do të shkosh. Për të ikur të ndihmoj unë, por pa i thënë gjë asnjë personi të grupit të Fredi Shkurtit. Pas 3 ditësh mësova që Enveri ishte larguar për në Greqi. Më tha që do të shkonte tek motra e në Miras të ishullit Kretë, e cila jetonte atje familjarisht. Gjatë kohës që ishte në Greqi, ne i dërgonim të falat tona me anë të kushërirës sime, vajzës së dajo Zijait, Linditës, me të cilën Enveri bisedonte në telefon.  Në Greqi rrinte i fshehur dhe i shkëputur nga grupi dhe nga vetë Fredi Shkurti. Gjatë kohës që Enveri ndodhej në Greqi në shtëpinë e dajë Zijait kanë shkuar herë pas here pjesëtarë të grupit të Fredi Shkurtit, që kërkonin adresën e Enverit në Greqi.
Pasi u largua Enver Rabija për në Greqi, nga fundi i muajit mars 1998, dhe jam takuar me të përsëri fizikisht nga fundi i muajit janar 2005. Takimi im me Enverin ishte bërë në këto rrethana: Kisha shkuar tek vjehrri im, Themi Petro në fshatin Kemishtaj të Lushnjës. Ka qenë mbrëmja e muajit janar. Isha futur në lokalin e shtetasit Ristan Dano dhe isha në një tavolinë së bashku me shtetasit Elonard Petro dhe Ismail Mamo po nga ky fshat. Kur ne ishim në muhabet e sipër vjen një kushëriri im po nga ky fshat dhe më thotë hajde se të kërkon një shok jashtë. Unë dal dhe shoh diku në errësirë një person që më priste. I afrohem dhe fillimisht nuk e njoha. E pyeta këtë person se kush ishte dhe pse më kërkonte dhe sapo foli e njoha përnjëherë. Nuk e njoha fillimisht, pasi ishte transformuar tërësisht nga fytyra. Pasi u përqafuam i them hajde të ikim në Gradishtë tek pleqtë e mi. Ai nuk pranoi, po tha hajde të bisedojmë pak. I them të shkojmë e të ulemi në një lokal por ai më tha se nuk ulej se e njihnin, pasi kishte mbaruar shkollën e mesme në atë fshat. E binda që nuk e njeh njeri dhe u futëm në lokalin e Koçi Qorrit dhe filluam bisedën me njëri tjetrin. E pyes se kur ke ardhur nga Greqia dhe ai më thotë që “erdha sot me një taksi me targa Fieri. Shkova në Lushnjë fillimisht dhe takova Leonard Priftin, Arben Boriçin, Ilir Stërgun dhe Enver Boriçin, pasi këta më prisnin mua. Kur u takova me ta më thanë që t’i do të vish me ne në Tiranë sepse do të bësh një punë, se ka urdhëruar Fredi së bashku me Verin”. E pyeta se ç’punë i kishin thënë për të bërë, por vetë Enver Rabija më tha që më duket se do më vrasin. Unë në vijim të bisedës i them përse erdhe këtu në Këmishtaj. Enveri m’u përgjigj që erdha të të takoj ty dhe se më kishte gjetur rastësisht. “Unë do të interesohesha tek vjehrri jot sepse dua të më thuash se çfarë të bëj sepse ti më ndihmove për të ikur në Greqi. Ne jemi rritur bashkë, jemi njerëzit tanë dhe ti gjithmonë më ke folur me pastërti.
E pyes Enverin përse u ktheve në Shqipëri. Ai mu përgjigj se u ktheva se më ka thirrur Fredi Shkurti nëpërmjet Dondollakut. Ndërsa kur e pyeta se si e mori vesh Fredi Shkurti që ti ishte në Greqi, më tha se “kishte treguar vendndodhjen time burri i motrës së martuar në Fier, i quajtur Fatmir, kur unë rrija në Greqi, pasi ky kishte biseduar vetë me Fredi Shkurtin dhe Enver Dondollakun në telefon. Megjithëse unë i them hajde të ikim në shtëpinë time ai nuk pranoi, duke më thënë që do të shkonte tek një shoku i tij në Lushnjë. E pyes se kush ishte ky shoku dhe më tha se është Arben Boriçi që e priste tek shtëpia e tij. “Me që po me pyet-i them- ti nuk duhet të shkosh tek këta persona por largohu sepse nuk dihet se ç’ndodh me ta”. Nisu menjëherë në Greqi, shko atje ku ishte dhe thuaji burrit të motrës të mos tregojë më se ku je. Ai u përgjigj se ai nuk tregon më se ka shkuar në dynjanë tjetër. U largua, ora duhet të ketë qenë rreth 21:00 e mbrëmjes. Aty erdhi e mori një makinë benz 250 me xhama të errëta të pjesës së mbrapse, me targa të Tiranës. Në makinë ishin tre persona. kam dalluar vetëm njërin prej tyre dhe ishte Enver Boriçi, i ulur në sedijen e parë të makinës. Ishin edhe dy persona të tjerë të cilët nuk arrita ti njihja. Gjatë kohës që ishim në tavolinë me Enverin, atë e merrnin shumë herë në telefon dhe e pyesnin se ku ishte dhe me kë. Ai i përgjigjej se jam me një kushëririn tim në Këmishtaj, ndërsa ata i thonë prit se do vijmë aty të të marrim ne. Mbas dy ditësh, rreth orës 15:00 dikur më telefonon në numrin tim celular me numër të fshehtë. Hap telefonin dhe më del një zë femre dhe më pyet se kush isha unë. I prezantohem dhe ajo më thotë që nesër në orën 09:00 do të vish në Tiranë dhe do të takosh një mikun tënd. I them se cili ishte ai dhe ku do ta takoj. Ajo më tha që do të vish tek rruga “Myslym Shyri” tek lokali që në vitin 1998 unë isha takuar njëherë rastësisht me Enver Rabin. Futem brenda në lokal dhe nuk e shoh Enverin aty. U ula në një tavolinë dhe ai erdhi pas rreth një ore. Takohemi e bisedojmë me njëri-tjetrin. E pyes se kur erdhi në Tiranë dhe me kë erdhi. Më tha që “Më solli Ben (Arben) Boriçi me një veturë ‘benz’. Punët me këta unë i kam shumë keq. Ata do të më vrasin dhe jam shumë i shqetësuar. Kërkova të takoja sepse dua ndihmën tënde që të largohem për në Greqi”. I thashë që do të interesohem. Mbas kësaj bisede unë largohem për në Fier. Dy-tre ditë pas kësaj bisede Enver Rabija u hodh në erë me një bombë në rrugën “Don Bosko” në Tiranë.
Kujt i ke thënë për bisedën që ke bërë me Enver Rabijan, për sa deklarove më lart?
Unë, për çka kam deklaruar më lart për bisedën që kam bërë me Enver Rabijan për vrasjen e xhaxhait tim Idajetit, ja kam treguar djalit të Idajetit, Dashnor Beqirit, menjëherë pas bisedave me Rabijan.
A i njihni ju Alfred Shkurtin, Ilir Stërgun, Arben Boriçin, Enver Boriçin, Leonard Priftin etj? Nese po, në ç’rrethana?
Po, unë i njoh shumë mirë që të gjithë personat e sipërpërmendur.   
Alfred Shkurtin e njoh shumë mirë. Momenti i parë i njohjes me të ka qenë në postbllokun tek hekurudha, kur unë së bashku me Arjan Preshevën ishim në shërbim me blindin e policisë në vitin 1997. Këtu Alfred Shkurti e kërcënoi Ardian Preshevën. Por Fred Shkurtin e kam takuar edhe kur shkova me Enver Rabijan dhe kur rrinte para godinës së Komisariatit. Ndërsa ilir Stërgun e kisha njohur në distancë dhe nëpërmjet Rabijas. Me Enver Dondollakun kisha pirë njëherë kafe në lokalin e Logut me qëllim për të sqaruar problemin e konfliktimit të nipit tim Klodian Buzi nga fshati Daullas i Fierit. Arben dhe Enver boritin i kam njohur nëpërmjet Bledar Kocit, pasi ky ka qenë shok ushtrie me Enver Boriçin. Me Leonard Priftin jam njohur ditën e përplasjes tek fondacioni “Populli”.
Gjë tjetër s’kam. Proces Verbali, pasi u lexua u konfirmua dhe u nënshkrua nga ana ime, pasi thëniet janë shkruar drejt sipas deklarimeve të mija.          ar.ba

“Ushtarët e Aldo Bares më rrahën me karrige”

Armand Bajrami

Izet Kurti, as që donte ta risillte në mendje ditën kur ishte rrahur me këmbë karrigeje deri sa kishte humbur ndjenjat nga katër “ushtarë” të Aldo Bares. Dëshmia tronditëse e tij u dëgjua dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, në procesin penal ndaj të akuzuarve si anëtarë të Bandës së Lushnjës. Dëshmitari Kurti, rrëfeu para gjykatës edhe faktin se kishte parë Artur Dajën teksa kishte qëlluar nga afër mbi Ramandan Shkurtin, vëllain e Aldo Bares dhe Bardhi Rabijan, teksa këta të dy ishin duke dhënë shpirt. Në seancën e djeshme, në ngarkim të anëtarëve të bandës së Lushnjës, dëshmuan para gjykatës 6 persona. Për 4 dëshmitarë të tjerë u lexuan deklarimet e tyre, pasi për shkaqe të ligjshme nuk mund të ishin prezentë në gjykatë. Izet Kurti, kunati i Nimet Zenelit, të ekzekutuar nga eksponentë të bandës tregoi se ditën kur një shkëmbim zjarri mes grupit të Arturt Dajës me atë të Aldo Bares, përfundoi me tre të vrarë ishte në shtëpinë e tij në qytetin e Lushnjës. “Dëgjova krisma përpara pallatit dhe zbrita poshtë. Pashë që në një makinë ngjyrë gri përpara një “saureli” ishin dy persona të plagosur rëndë, duke dhënë shpirt, njëri prej të cilëve, vëllai i Aldo Bares”, tha ai. Pak më larg ai ka parë Artur Dajën me disa persona të tjerë, të gjithë të armatosur pranë tyre, trupin e pajetë të Genci Kasharit. Ndërsa për ngjarjen e viti 1999 ku ishte rrahur mizorisht nga “ushtarët” e Bares, ai pohoi se kishte qenë Erion Cici ai që e kishte marrë nga ambientet e bashkisë duke i thënë “Hajde se të kërkon i madhi (Aldo Bare)”. I dërguar në ofiçinën pranë banesës së Aldo Bares, atij i është “ngrohur shpirti” teksa ka parë aty Arben Boriçin, një të afërmin e tij të largët. Por kjo ka zgjatur shumë pak, pasi katër prej pjesëtarëve të bandës janë lëshuar mbi të duke e goditur pa mëshirë nëpër gjithë trupit dhe duke i thyer të dy krahët. “Më kërkonin djalin tim Yllin. Pasi ishte vrarë daja i tij, Met Zeneli, mbase donin ta vrisnin edhe atë”, tha ai para gjykatës. Dëshmitari Dervish Arapi, vjehrri i Gramoz Selmanit tregoi para gjykatës takimet që kishte bërë me Aldo Baren, ku ky i fundit e këshillonte “Nëse Gramozi vjen në shtëpi, na lajmëro ne, se ai është burrë i poshtër”. Pyetjeve të gjykatës për dijeni mbi episode kriminale në ngarkim të bandës i janë përgjigjur dje edhe Mazllëm Kasi, Afërdita Mërtiri, Bajame Cekani dhe Gramoz Demiri. Ndërsa për Kadri Gjonin, Pëllumb Beqirin, Jorgjie Gjinin dhe Ermira Kajën, janë lexuar deklarime e dhëna prej tyre. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›