“Skënderbeu”, prezantim i tensionuar në Vjenë
Erald Dushku/ Selver Islamaj
Në vrullin e debateve që solli botimi në gjuhën shqipe i librit “Skënderbeu” nga Oliver Jens Schmitt, u zhvillua para pak ditësh në Institutin e Historisë për Evropën Juglindore të Vjenës prezantimi i kësaj vepre. Menjëherë pas botimit të librit u ndezën debate të zjarrta, që kaluan çdo kufi. Nga një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare, këto debate u shndërruan në protesta. Një reagim fare normal ky, duke marrë parasysh, që bëhet fjalë për figurën më të rëndësishme të kombit tonë. Skënderbeu ishte simboli i ndjenjës kombëtare dhe deri më sot figura e tij ishte e paprekshme. Ndaj autorit u ngritën akuza nga më të ndryshmet dhe për fat të keq u nis një fushatë kundërshtuese, që nuk zhvillohet në nivel shkencor. Shumë komente ndaj këtij libri kanë sjellë në lëndimin e ndjenjave kombëtare. Me këtë prezantim studiuesit e këtij instituti i mundësuan autorit që të prononcohej për përmbajtjen dhe metodikën shkencore të kësaj vepre, si dhe të diskutohej mbi kundërshtimet e saj. Paraprakisht i gjithë stafi i këtij instituti sqaronte në mënyrë të vendosur, që me këtë prezantim ata tregonin detyrimin shkencor për një pasqyrim serioz dhe korrekt të fakteve historike, si dhe kundërshtohej drejtimi nga shkaqe politike dhe financiare. Reagimet ishin shumë të ashpra. Kjo gjë u vërtetua edhe në kontrollin e çantave, që iu bë të pranishmëve në hyrje, gjë që i befasoi të gjithë. Ka shkuar puna deri aty që nga ne shqiptarët të priten akte dhune në një prezantim shkencor? Është ky opinioni që duhet t’i tregojmë botës? Është shumë e rëndësishme që institucionet përkatëse, ekspertët dhe intelektualët shqiptarë ta zhvillojnë këtë diskutim në atë nivel dhe për hir të imazhit tonë duhet të zbusin tensionet, të cilat u treguan dhe gjatë prezantimit në Vjenë, ku diskutimi u zhvillua me një frymë shumë të tendosur. Disa nga bashkatdhetarët tanë të pranishëm nuk e kishin lexuar fare librin, por vetëm kritikat e shumta të tij, ose ato pjesë të cilat sulmoheshin në këto kritika. Dhe kështu ndodhi që shumë diskutime nuk u kryen në një nivel shkencor, por shkuan deri aty, sa disa prej tyre përfunduan në akuza dhe provokime jo të hijshme. Duhet theksuar që kemi të bëjmë me një vepër shkencore, rezultat i një pune 10-vjeçare, që përmbledh në mënyrë po shkencore arkiva të ndryshme në Evropë, si dhe pjesën dërmuese (kryesore) të literaturës. Metodologjia shkencore ndërkombëtare kërkon një konfrontim objektiv me këto materiale.
Argumentet duhet të jenë në një bazë ndërkombëtare dhe të vërtetohen me dokumente, që nuk janë marrë parasysh deri tani.
Po të lexohet libri në mënyrë të kujdesshme dhe pa u ndikuar nga mediatizimi i ashpër, vërehet që nuk trondit asnjë nga shtyllat themelore të figurës së Skënderbeut. Pra, as faktin që ai ishte arbër, dhe as faktin që ai luftoi për 25 vjet me një kosto shumë të lartë në emër të lirisë dhe të mbijetesës. Rroli i Skënderbeut përpunohet në një mënyrë shkencore dhe transformohet nga një aktor i vetëm, në një aktor të aftë të kohës dhe politikës Evropiane në Mesjetë. Personazhi i tij pasqyrohet me shumë veti të veçanta në portikë, strategji dhe në diplomacinë e asaj kohe. Libri nxjerr qartë që Skënderbeu ishte një nga figurat më të rëndësishme në Evropën e asaj kohe, i cili ndikoi në historinë e saj. Pra, ky libër nuk na sjell asgjë negative. Ne jemi një shoqëri demokratike dhe pragmatike që nuk jeton me dogma të vjetra, por pranojmë çdo opinion të ndryshëm dhe jemi në gjendje të diskutojmë atë në nivel shkencor, duke u distancuar nga reagimet ekstremiste.
“Skënderbeu, hero real dhe jo fantazi komuniste”
Si një historian i ri, i pasionuar, Oliver J. Schmitt nuk e kishte menduar se vepra e tij mbi Skënderbeun do të shkaktonte kaq shumë debate. Madje edhe do të kërcënohej me jetë. Ende nuk e kupton arsyen. Sipas tij, ai veçse nxori në dritë dokumente të reja, të cilat nuk e cenojnë figurën e heroit, përkundrazi e nxjerrin atë më njerëzore, më reale dhe jo sipas fantazive të politizuara. Në një intervistë, Schmitt tregon si i ka pritur reagimet për librin e tij dhe arsyen pse e shkroi “Skënderbeun”.
Cila qe arsyeja që ju nxiti të shkruani një vepër shkencore mbi figurën e Skënderbeut?
Historia shqiptare e Mesjetës më ka mahnitur që gjatë kohës së gjimnazit. Një projekt i tillë më ka përcjellë për shumë vite dhe padyshim kemi të bëjmë me një nga figurat më të rëndësishme të historisë evropiane. Një nga shkaqet është dhe fakti, që në sferën perëndimore gjatë viteve të fundit nuk kemi një pasqyrim të figurës së Skënderbeut (d.m.th., nga botimi i biografisë së ALESSANDRO CUTOLO-S , 1940). Një nga të paktat vepra është ajo e Harry Hodgkinson e botuar nga Bejtullah Destani. Pra në radhë të parë më ka mahnitur personaliteti i Skënderbeut. Dhe në radhë të dytë më ka tërhequr interesi për punën arkivore. Gjatë kërkimeve isha i interesuar për të parë se çfarë materialesh të reja mund të dilnin.
Ju flisni shumë mirë shqip. Si ju lindi dëshira për të mësuar gjuhën shqipe dhe të merreni me historinë e Shqipërisë?
Në fillimin e viteve ‘90 bëra një udhëtim në të gjithë Epirin deri pranë kufijve të Shqipërisë, në zonën e Konicës. Tek këta kufij për ne mbaronte bota. Shqipëria ishte në ndryshim dhe në Evropë, për shkak të izolimit komunist dihej shumë pak për të. Afrimi im i dytë ishte deri në Otranto. Pra, Shqipëria (Vlora) dukej shumë afër dhe përsëri ishte shumë larg. Në atë kohë gjuha shqipe ishte akoma disi ekzotike për mua dhe përsëri ishte faktori i mahnitjes që më bëri që të filloja mësimin e gjuhës shqipe. Gjatë seminareve të para të mia si student në Vjenë njoha disa kolegë shqiptarë, me të cilët nëpërmjet bisedave të gjata në kafene mundohesha të praktikoja gjuhën.
Ç’mendoni mbi punimet shkencore për Skënderbeun pas komunizmit në Shqipëri?
Është shumë interesante kur vihet re, që gjatë regjimit të Enver Hoxhës nuk është publikuar asnjë biografi e madhe shkencore për Skënderbeun. Në vitin 1968 u bë një kongres i madh shkencor dhe filluan përpjekjet, që kulti i Skënderbeut të futet si një religjion zëvendësues. Pra, feja ndalohet dhe fillon ateizmi, por njerëzve u duhej dhënë diçka zëvendësuese. Kjo ishte pika kulminante e figurës së Skënderbeut. Ai u pa si paraardhësi i Enver Hoxhës dhe u përdor një pamje shumë ideologjike e figurës së tij. Nëse shihen burimet historike, lind problemi se figura e tij historike me Skënderbeun e ideologjisë komuniste janë shumë të ndryshëm. Pra, ishte e rrezikshme që të punohej mbi figurën historike të Skënderbeut, i cili nuk udhëhiqte një vend të izoluar, por kishte marrëdhënie shumë të ngushta me të gjithë fqinjët. Një kundërshtim ky me politikën e Enver Hoxhës. Dhe kështu u ndërtua një kult i Skënderbeut, i cili ishte pa përmbajtje. Ky kult u përdor edhe në kohët e fundit të regjimit komunist si stabilizator i një regjimi që ndodhej para rënies. Më pas u bënë dy biografi të mëdha nga dy historianë, njëra nga Kristo Frashëri dhe tjetra nga Kasëm Biçoku. Vepra më interesante është ajo e Biçokut, sepse përmbledh edhe gjeografi historike, futet thellë në teren dhe e zmadhon metodikën e të punuarit. Problemi që unë shoh këtu është që kërkohet shumë pak kontakt me shkencat ndërkombëtare të mesjetës. Ndikimi i Skënderbeut nuk mbaron në kufijtë e Shqipërisë, por duhet zgjeruar në një kontekst evropian. Pra, si figurë historike Skënderbeu del shumë i izoluar, ashtu siç ishte vetë Shqipëria në gjysmën e dytë në shekullin e 20. Historiani punon nën ndikimin e kohës, pra kur punohet në një vend totalisht të izoluar, kjo ndikon në mënyrën e interpretimit dhe të punimit shkencor. Një problem tjetër në Shqipëri është vazhdimësia e elitave. Para dhe pas komunizmit, të njëjtët persona punojnë në fushën e historisë. Kjo gjë vihet re dhe në veprën “Historia e Popullit Shqiptar”, ku janë botuar tekste të kohës së Enver Hoxhës dhe interpretohen si të reja.
Ju keni bërë dy prezantime të librit, në Tiranë dhe në Vjenë. Cilat janë përshtypjet tuaja nga këto prezantime dhe si u zhvilluan ato?
Në prezantimin e librit në Tiranë u diskutua qetë dhe nuk lindën problemet, të cilat dolën më pas dhe fryma ishte shumë pozitive. Distanca kohore mes prezantimit në Tiranë dhe në Vjenë ishte prej dy muajsh. Gjatë kësaj kohe pati shumë komente nëpër media dhe për fat të keq u komentuan gjëra, të cilat nuk janë në përmbajtjen e librit, si për shembull akuza që është një libër i porositur. Dua të them që unë publikoj mbi këtë temë që prej vitit 1998, kur akoma isha student, që do të thotë pra, që libri duhet të ishte porositur shumë kohë më parë, që do thotë ishte shumë herët. Pra, kjo formë e të punuarit shkencor ka zgjatur 11 vjet. Kjo hipotezë është absurde dhe tregon mosnjohjen e punës sime shkencore, por sidomos e standardeve ndërkombëtare në shkencën historike. Diskutimi në Vjenë ishte shumë interesant dhe natyrisht u zhvillua në një formë shumë emocionale, ku dalloheshin dy gjëra: Një pjesë e emocioneve vinin si rrjedhojë e artikujve nëpër media dhe pjesa tjetër ishin ata që e kishin lexuar librin me paragjykime dhe nuk kishin kuptuar (ose pranuar) mesazhin kryesor të tij. Duhen marrë parasysh burimet historike, dhe, duke mos u ndikuar nga pasqyrimi komunist i kësaj figure, mesazhi kryesor është që kemi të bëjmë me një burrë të madh. Dhe gjithë diskutimi lindi duke besuar që libri ka në radhë të parë një tendencë negative. Një gjë kjo që më befasoi shumë!
Mendimi juaj personal si historian mbi Skënderbeun? Çfarë personazhi ka qenë ai sipas jush?
Dua të theksoj që shumë dokumente të reja pasqyrojnë pikërisht figurën njerëzore të Skënderbeut, dhe kjo figurë këtu na del shumë më madhështore se sa në paraqitjet klasike të komunizmit. Këtu dua të bazohem në disa shembuj tipike. Njëri nga këta është një dokument, i cili tregon mbi pritjen që i bëhet Skënderbeut në Romë në vitin 1466. Pritja ishte shumë mbretërore. Të gjithë kardinalët i dalin përpara për ta pritur dhe gjithë Roma është në rrugë për ta përshëndetur. Sigurisht është tragjike që atij nuk i jepet ndihmë nga Roma, por këtu theksohet rëndësia evropiane e figurës së Skënderbeut. Shembulli i dytë buron nga një tekst i një diplomati milanez dhe është një nga pjesët më të pëlqyera të mijat. Skënderbeu ndodhet në vitin 1461 në Itali dhe këtu ai zë rob një aristokrat italian. Kjo është një skenë shumë e mrekullueshme. Në këto kohë Skënderbeu është në moshën 55-vjeçare (në mesjetë një burrë i vjetër). Ata takohen në fushë të hapur për të biseduar dhe Skënderbeu mundohet këtu ta bindë këtë aristokrat që të ndalë tradhtinë ndaj mbretit të tij (Ferrante mbreti i Napolit). Ky aristokrat nuk pranon dhe Skënderbeu vë re që diskutimet janë të kota. Ai e kap këtë aristokrat, e rrëmben atë në kalin e tij dhe e kthen në kampin e mbretit. Dua të them këtu që nuk i kuptoj reagimet negative, sepse pikërisht nga këto dokumente pasqyrohet karakteri i Skënderbeut si një person që e urren tradhtinë. Shumë herë është komentuar se ky libër hedh baltë mbi figurën e Skënderbeut! Unë jam munduar që në bazë të burimeve të nxjerr Skënderbeun si një personalitet shumë karizmatik dhe që kishte mundësinë që njerëzve të tij t’u dhuronte një ndjenjë besueshmërie shumë të lartë. Kjo tregohet edhe në rastin e Betejës së Beratit, ku për Skënderbeun ndodh një disfatë shumë e madhe, dhe shumica e luftëtarëve të tij marrin arratinë. Ai nuk bën të njëjtën gjë, por në moshën 50-vjeçare lufton deri në fund dhe u mundëson njerëzve të tij tërheqjen e sigurt, pra largohet nga beteja vetëm kur njerëzit e tij ishin në siguri. Dua të theksoj që ky është një burim deri tani i pazbuluar dhe një tregim nga të mbijetuarit e asaj beteje, i shkruar një ditë pas saj. Dëshiroj që në këto diskutime të lindë pyetja: Kështu hidhet baltë mbi heroin, kur duke u bazuar në burime deri tani të pazbuluara (të pak njohura) nxirren në pah këto veti shumë pozitive të tij? Pra Skënderbeu nuk është më një produkt i fantazisë komuniste, por heroi real që del nga këto burime.
A mund të thoni diçka për pretendimin që në libër prejardhja e Skënderbeut del jo shqiptare?
Nuk jam absolutisht i këtij mendimi. Emri në kohën e Mesjetës nuk tregon në asnjë mënyrë prejardhjen etnike, por vetëm influencën kulturore të kohës. Nëse ballafaqohemi sot me shoqërinë shqiptare sipas kriterit të emrave, atëherë këtë intervistë po e bëj me një arab dhe me një person tjetër, i cili në kontekstin evropian nuk mund të identifikohet aq lehtë kombëtarisht, kurse ju e bëni këtë intervistë me një anglez, pasi emri Oliver prejardhjen e ka nga Anglia. Njohja e gjuhëve të ndryshme në Mesjetë nuk do të thotë asgjë për origjinën etnike. Mund të përmend një princ të Arianitëve, që u paraqit në vitin 1469 në moshën 14-vjeçare tek Papa Pali II në Romë. Kardinalët i kërkuan që të fliste tërë gjuhët që i njihte. Ai fliste shqip, greqisht, italisht, sllavisht dhe njihte disa poema latinisht. Kjo ishte kultura e aristokracisë shqiptare në mesjetë.
A e keni pritur një reagim të tillë kur punonit për këtë libër?
Jo, nuk kam pritur reagime të tilla! Përkundrazi, u befasova shumë nga to. Disa personalitete që kanë peshë në shoqërinë shqiptare dhanë disa komente negative, që sollën si rrjedhojë reagimin negativ të opinionit shqiptar ndaj librit. Nga shumë njerëz që nuk e kishin lexuar librin lindi besimi, që këtu po ndërmerret një sulm i organizuar diplomatik dhe kur lind një frymë e tillë është e vështirë të argumentosh dhe të vërtetosh të kundërtën.
A është e vërtetë që jeni kërcënuar dhe a solli kjo deri në kontrollimin e çantave të pjesëmarrësve në prezantimin e Vjenës?
Po, por këtë gjë nuk dëshiroj ta komentoj më gjatë. Ky qe dhe shkaku i kontrollit….
Do të vazhdoni të punoni përsëri mbi historinë e Shqipërisë?
Po. Këtë vit kemi disa projekte të ndryshme, si botimin e përmbajtjes së simpoziumit për historiografinë shqiptare. Do të vazhdojmë me aktivitete të ndryshme për historinë shqiptare dhe natyrisht që do të punoj edhe në të ardhmen për këtë temë.
Erald Dushku/ Selver Islamaj