Google ankohet për shtim të censurës ndaj tij

Fred Von Lohmann, konsulent përgjegjës në kompaninë Google
SHBA – Në raportin e saj të fundit, kompania Google thotë se ka shtim të përpjekjeve të qeverive gjatë vitit 2011, për të hequr përmbajtje të saj nga interneti.
Raporti vë në pah se shumë kërkesa për heqjen e përmbajtjes, sidomos të videove, kanë ardhur nga demokracitë perëndimore dhe jo vetëm nga vendet që njihen për censurë.
Sipas raportit, autoritetet e Shteteve të Bashkuara kanë kërkuar eliminimin e 187 materialeve për motive të ndryshme, ndërsa Google ka përmbushur 42 për qind të këtyre kërkesave.
Nga qeveria britanike, i është kërkuar të heqë pesë video të YouTube-it, për të cilat është thënë se nxisin terrorizëm. Në këtë rast, Google është pajtuar.
Nga Spanja i kanë kërkuar motorit të kërkimeve Google heqjen e 270 linkeve, që përmbanin artikuj kritikë të gazetave dhe blogerëve për figurat publike.
Në kërkesën e Turqisë për të larguar 149 video të YouTube-it, që thuhej se fyenin themeluesin e Turqisë moderne, Mustafa Kemal Ataturk, Google është përgjigjur duke i bërë të pamundshme pamjet vetëm në Turqi.
Ukraina, Jordania dhe Bolivia për herë të parë kanë kërkuar largimin e disa materialeve, nënvizon raporti për transparencën i kompanisë Google.
Po sipas tij, Polonia ka kërkuar që të hiqet një artikull kritik i agjencisë polake për zhvillimin e ndërmarrjeve dhe tetë linke të tjera, por kërkesa nuk është plotësuar.
Google ka refuzuar edhe kërkesën e zyrtarëve kanadezë për të larguar një video të YouTube-it, e cila paraqet një qytetar duke urinuar mbi pasaportën e tij.
Disa pamje të YouTube-it, që thuhet se fyejnë mbretërinë e Tajlandës, kanë bërë autoritetet e këtij vendi ti kërkojnë kompanisë Google heqjen 149 videove dhe ajo ka zhdukur 70 për qind të tyre.
Raporti thotë se nuk ka shënuar asnjë kërkesë nga Rusia gjatë vitit 2011.
Derisa raporti ofron detaje për një numër vendesh, ai nuk ofron të tilla për vendet si Kina, ku kontrollet e ashpra të internetit bllokojnë vetë përmbajtjet dhe eliminojnë nevojën për të kërkuar nga Google.
Fred von Lohman, konsulent përgjegjës në Google, shpjegon se kompania gjatë vitit të kaluar ka marrë 3.3 milionë kërkesa nga firma, individë e të tjerë për largimin e përmbajtjeve. Ajo, sipas tij, ka përmbushur 97 për qind të tyre.
Google është një koorporatë shumëkombëshe, me seli në SHBA, e cila ofron shërbime dhe produkte që lidhen me internetin, duke përfshirë kërkime, softuerë, reklama e të tjera. Të ardhurat nga reklamat gjenerojnë pothuajse të gjitha fitimet e kompanisë.
Google është themeluar fillimisht si kompani private, në shtator të vitit 1998, ndërsa oferta e saj e parë publike ka qenë më 19 gusht të vitit 2004.
Misioni i kompanisë është të organizojë informacionet botërore dhe ti bëjë ato të arritshme dhe të dobishme për gjithë botën. Slogani jozyrtar i kompanisë është Mos ji i keq.
/M.A./