E Diel, 1 Nëntor 2026

“Google” kërcënon me largim nga Kina, Klinton kërkon shpjegime

Autori i Lajmit: RedaksiaPekin – Google ka vendosur të mos u nënshtrohet më diktateve të Pekinit. Motori më i përhapur i kërkimit në botë ka shpallur se nuk do të ketë asnjë lloj filtri në Kinë, duke kërcënuar se do të pezullojë çdo lloj aktiviteti në tregun e pasur kinez. Drejt këtij “hapi ekstrem“ të mundshëm kompaninë Google e ka shtyrë zbulimi se ndaj saj janë ndërmarrë sulme kibernetike (cyberattacks) “shumë të sofistikuar” nga ana e spiunëve kinezë për ti gjurmuar veprimtarët e të drejtave të njeriut. Në një deklaratë të lëshuar dje për media në emër të kompanisë nga shefi ligjor i saj David Drummond, ku shpjegohet vendimi për të ndalur censurën ndaj rezultateve të kërkimeve në Kinë. Me sulme të tilla kompania është përballur që në mesin e dhjetorit të shkuar. E njëjta gjë ndodh edhe ndaj së paku njëzet kompanive të tjera nga më të larmishmet, përfshirë Internetin, financat, teknologjinë, mediat e tjerë. Qëllimi kryesor i sulmeve, thuhet në deklaratë, është marrja e emaileve të shkëmbyera mes veprimtarëve të të drejtave të njeriut. Google i porosit klientët e saj në Kinë të marrin masa mbrojtëse si antiviruse. Deklarata vlerëson reformat ekonomike kineze që kanë nxjerrë nga varfëria qindra milionë njerëz, si dhe rolin thelbësor të Kinës në përparimin ekonomik botëror. Në këtë kontekst, Google.cn filloi në janar 2006 veprimtarinë në Kinë duke besuar në përfitimet e popullit kinez në marrjen e informacionit bashkëkohor, duke treguar njëkohësisht kujdes për të mos rënë ndesh me ligjet e Kinës. “Vendimi ynë për të shikuar operacionet tona të biznesit në Kinë ka qenë i vështirë dhe ne e dimë se do të kemi pasoja të mundshme të konsiderueshme. Ne duam ta bëjmë të qartë se ky vendim është marrë nga drejtuesit tanë në Amerikë, pa dijeninë apo përfshirjen e të punësuarve tanë në Kinë, të cilët kanë punuar pa masë për ta bërë Google.cn kaq të suksesshëm sa është sot. Ne jemi të përkushtuar për të punuar me përgjegjshmëri që ta zgjidhim këtë çështje të vështirë”,- mbyll deklaratën për media shefi ligjor i Google, David Drummond. Zëdhënësi i kompanisë “Google”, Peter Barron, thotë se përpjekjet për të kufizuar lirinë e fjalës kanë çuar në rishqyrtimin e vendimit tonë për të vazhduar aktivitetin tonë në Kinë. Kemi vendosur të ndryshojmë qëndrimin tonë ndaj Kinës, - tha zoti Barron. Ai tha se aktiviteti survejues që “Google” ka zbuluar i ka bindur ata se nuk duhet të vazhdojnë të jenë dakord me censurimin e rezultateve nga makina e kërkimet në Kinë. Prandaj, - tha zëdhënësi i “Google”, kemi vendosur që të marrim një qëndrim të ri duke rishqyrtuar operacionet afariste tona në Kinë. Ndërkohë, sekretarja Amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, tha se akuzat e “Google” ngrenë “shqetësime dhe pyetje shumë serioze” për lirinë e internetit në Kinë, dhe bëri thirrje për shpjegim nga ana e qeverisë kineze. “Google” në Kinë ka marrë shumë ankesa për cenim të postës elektronike të veprimtarëve kinezë për të drejtat e njeriut. Kompania tha se është goditur nga sulme kibernetike që besohet se janë nga Kina. Drejtori i komunikimeve, Ehikson tha se në shënjestër të sulmit janë edhe më shumë se 20 kompani tjera të mëdha. “Ajo që zbuluam ishte sulmi kibernetik. Zbuluam se shënjestra ka qenë Google ndërsa hakerët po hynin në adresat e postës elektronike të aktivistëve për të drejtat e njeriut”, tha Ehikson...
Ky lajm është publikuar: 14/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›