E Diel, 1 Nëntor 2026

Haiti sheh tmerr me sy, tërmeti rrafshon gjithçka

Autori i Lajmit: RedaksiaPort-au-Prince - Në Haiti janë raportuar vdekjet e para pas tërmetit shkatërrimtar që goditi gjatë natës vendin. Kina, Jordania dhe Brazili thonë se disa nga ushtarët e tyre paqeruajtës janë vrarë. Kreu civil i misionit të OKB-së atje nuk dihet se ku është dhe mendohet se ka vdekur. Ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner, tha se pjesëtarë të ambasadës franceze kishin vizituar selinë e OKB-së në Port au Prince dhe kishin njoftuar se të gjithë në ndërtesë duket se kishin vdekur. Njoftimet nga kryeqyteti, Port-au-Prince, bëjnë të ditur se mijëra ndërtesa janë rrëzuar duke bërë që shumë njerëz të mbeten në mes gërmadhave. Një njoftim që citon diplomatë amerikanë përshkruan trupa në rrugë. Qendra e tërmetit prej shtatë ballësh ishte shumë pranë kryeqytetit haitian dhe shumë pranë sipërfaqes së tokës duke shumëfishuar impaktin. Pallati presidencial është dëmtuar rëndë (është thyer në mes), por ambasadori haitian në Meksikë tha se presidenti Rene Preval, i kishte mbijetuar shkatërrimit. Ky është tërmeti më i fuqishëm në Karaibe në 200 vitet e fundit. Një "numër i madh" punonjësish të OKB-së njoftohen të humbur nga organizata. Kryeqyteti ra në errësirë gjatë natës dhe shumë njerëz fjetën jashtë prej frikës së lëkundjeve të tjera. Duke e përshkruar tërmetin si "katastrofë", i ngarkuari me punë i Haitit në SHBA tha se kostoja e dëmit mund të shkonte në miliarda. Shtetet e Bashkuara të Amerikës thonë se do të dërgojnë një ekip të reagimit ndaj katastrofave, si dhe ndihma materiale e pajisje shpëtimi. Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, i ofroi mbështetje Haitit. Banka Ndëramerikane e Zhvillimit tha se do të japë 200 milionë dollarë në formë ndihmash emergjente për Haitin, i cili ishte duke u rimëkëmbur pas uraganëve shkatërrimtarë të vitit 2008. Franca thotë se do të dërgojë dy avionë me ekipe shpëtimi dhe ndihma humanitare. Edhe Venezuela ka thënë se do të dërgojë avionë me ushqime, medikamente dhe ujë të pijshëm. Shumë banorë të hutuar dhe të lënduar në Haiti qëndronin ulur nëpër rrugë, duke kërkuar ndihmë, ndërsa një numër i madh i njerëzve ka mbetur i ngujuar nën gërmadha të ndërtesave, të cilat u shembën si pasojë e tërmetit më të fuqishëm, që ka goditur Haitin në 200 vitet e fundit. Autoritetet theksuan se ende nuk kanë njohuri të sakta për shkatërrimet e shkaktuara nga tërmeti, me një fuqi prej 7.0 shkallë të Rihterit dhe ishte i pamundur edhe vlerësimi për numrin e të lënduarve, e lëre më për numrin e të vdekurve, të cilët mund të jenë mbuluar nga rrënojat e mijëra ndërtesave të shembura në kryeqytetin e Haitit, Port Au Prince. Ajo që ishte e qartë menjëherë pas tërmetit është se me mijëra njerëz kanë mbetur pa kulm mbi kokë dhe se shumë persona konsiderohen të zhdukur. “Spitalet nuk janë në gjendje që të trajtojnë të gjitha viktimat. Haiti ka nevojë për lutje. Ne duhet të lutemi të gjithë së bashku”, - theksoi mjeku Louis Gerard Gilles. Tërmeti kishte një fuqi prej 7.0 shkallë të Rihterit, ndërsa epiqendra e tij ishte rreth 10 km në perëndim të Port Au Prince, në një thellësi prej 5 kilometra, njoftoi Agjencia Gjeologjike e SHBA-së. Ekspertja Kristin Marano theksoi se është ky tërmeti më i fuqishëm, i cili ka goditur Haitin që nga viti 1770. Papa Benedikti XVI ka lëshuar një mesazh për misionin human që duhet të kenë njerëzit pas tragjedisë në Haiti. “I bëj apel zemërgjerësisë së të gjithëve, që motrave dhe vëllezërve tanë të mos u mungojë asgjë në këtë moment dhimbjeje. Solidariteti ynë është në krah të tyre”, - deklaroi Ati i Shenjtë nga Vatikani. Ai siguroi gjithashtu për një impenjim të madh të Kishës në këtë tragjedi. “Mendimi im shkon për popullsinë e prekur, pasi pak orë më parë një tërmet shkaktoi dëme të mëdha në njerëz, duke lënë edhe shumë të pastrehë në qiell të hapur. I ftoj të gjithë të bashkohen me lutjen time ndaj Zotit për viktimat e kësaj katastrofe dhe për ata që qajnë humbjen e tyre”, - shtoi Papa. Ndërkohë, Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq ka dërguar një skuadër vlerësimi në terren, dhe 1.7 milion euro janë akorduar menjëherë për të plotësuar nevojat emergjente. Të 186 shoqëritë e Kryqit të Kuq dhe ato të Gjysmëhënës së Kuqe kanë shpallur gjendjen e gatishmërisë për organizimin e një linje konstante ajrore për dërgimin e medikamenteve, ushqimeve, mbulesave dhe tendave.
Ky lajm është publikuar: 14/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›