E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gjallë”, Artan Minarolli nis xhirimet për gjakmarrjen



Këto ditë kanë filluar xhirimet për filmin më të ri shqiptar të titulluar “Gjallë”, të regjisorit Artan Minarolli. Filmi do të trajtojë fenomenin e gjakmarrjes në vendin tonë. Historia bën fjalë për një djalë i cili zbulon një “dhuratë” që do t’ia ndryshojë krejt papritur kahun e jetës. Ai është në gjak me dikë, dhe tashmë duke qenë mirë e bukur, ka pas shpine edhe një hasm. Për shkak të gjakmarrjes, djali nga Malësia e Veriut detyrohet të braktisë shkollën. Ai shkon në një tjetër fshat te disa kushërinj dhe detyrohet të punojë në një lavazh, por fshati ka probleme të tjera kështu që djali nuk mund të qëndrojë më as aty dhe kthehet prapë në shkollë. Ai i ruhet shumë hasmit, madje arrin deri në pikën kulminante, sa detyrohet të mbajë me vete një armë, (revoler). Pra personazhi rreth të cilin zhvillohen ngjarjet është pikërisht ky djalë i ri, i cili jeton çdo moment nën ankthin e jetës dhe vdekjes, derisa vjen një moment kur hasmi papritur i shfaqet përpara... Në lidhje me groteskun, sesa ai do të jetë i pranishëm në këtë film, regjisori Minarolli është shprehur për gazetën “Albania” se “Në filmat e mi nuk bëj grotesk, por grotesku është pjesë e jetës, ngjarjeve. Nuk janë njerëzit groteskë, por janë situatat absurde, të cilat unë mundohem që t’i kap dhe shfrytëzoj, por jo që ta imponoj unë këtë absurd.”
P.GROSI

Skenari

Frymëzimi, studenti që u mbyt në Otranto

Minarolli rrëfen se për skenarin frymëzimi është nga një realitet i trishtë shqiptar; “Pata frymëzimin e duhur, -thotë ai ...në anijen që u mbyt në Otranto në 1998-n ishte me të vërtetë një student i cili ndryshe nga gjithë të tjerët që emigronin për kushte më të mira, largohej nga vendi vetëm për shkak të gjakmarrjes. E pra spuntoja që bëri të fillonte projekti im ishte pikërisht ky djalë që arratisej jo si refugjat por për gjakmarrje.”

Titulli

“Gjallë”, jo vetëm për të qenë gjallë...

Sa i takon titullit, (Gjallë) ka të bëjë me mbijetesën. Por ky titull, sipas rrëfimit të regjisorit Minarolli ka edhe një histori tjetër; Atë kur njerëzit përshendeten dhe pasi njëri pyet “Si je?”, tjetri ia kthen “Gjallë”. Ai thotë se “Problemi këtu qëndron te mbijetesa e njeriut, që nuk shikohet më larg sesa të jesh gjallë apo vdekur, por ‘Gjallë’ ka dhe një tjetër simbolikë: “Gjallë, jo vetëm për të qenë gjallë...”

11 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›