E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, BDI-ja do të padisë liderin e PDSH-së për incidentet e zgjedhjeve



Bashkimi Demokratik për Integrim ka paralajmëruar se do të padisë liderin e PDSH-së, Menduh Thaçi, për shkak të deklaratës së tij në fund të muajit maj menjëherë pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme e cila paralajmëronte ngjarjet e 1 qershorit.
“Më një qershor ndodhi ajo që paralajmëroi Thaçi. Në çdo shtet normal ku vlen ligji, pas kësaj ai do të duhej të përgjigjet para institucioneve përkatëse të shtetit, por duke e ditur se ai është i mbrojtur nga institucionet shtetërore ne do të ngremë akt padi kundër tij, do bëjmë atë që duhesh prej kohe ta bënte prokurori publik. Duke ngritur akt padi kundër Thaçit ne duam të zbulohen të gjithë ata që organizuan dhe dhanë urdhër të realizohej kasaphana e një qershorit”,-u shpreh Izet Mexhiti, kryetar i Shtabit Zgjedhor të BDI-së. PDSH-ja e ka cilësuar këtë veprim si një tjerër tentativë të dështuar të partisë së Ali Ahmetit i cili veçse njollos realitetin. “I tërë opinioni edhe i brendshëm edhe i jashtëm e di se gjatë një qershorit apo gjatë ditës së zgjedhjeve Ali Ahmeti së bashku me bashkëpunëtorët e tij urdhërojnë që bandat kriminele të gjuajnë ndaj votuesve në Çair. Ndërsa po ky i njëjti Ali Ahmeti urdhëron që në Haraçin të gjuajnë edhe ndaj policisë. Nëse këto që u përmendën nuk janë vepra kriminele, atëherë edhe çfarë duhet të bëjë Ali Ahmeti, që të ndiqet nga organet e rendit dhe të ngrihet aktpadi penale nga gjyqi”, - u shpreh Adriatik Imeri, zëdhënës i PDSH-së. Partitë shqiptare vazhdojnë të akuzojnë dhe sulmojnë njëra-tjetrën si përgjegjëse të incidenteve të ndodhura më 1 qershor.

Nju Jork, negociata të reja për emrin e Maqedonisë

Ndërmjetësuesi i OKB-së për çështjen e emrit, Metju Nimiç, ndodhet në Nju Jork, ku do të zhvillojë një raund të ri bisedimesh mes Maqedonisë dhe Greqisë. Nimiç këto ditë pritet të zhvillojë takime të ndara me negociatorin maqedonas, Nikolla Dimitrov dhe atë grek Adamantios Vasilakis. Është paraparë edhe një takim i përbashkët mes tre diplomatëve. Gjithashtu Zyra e zëdhënësit të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së konfirmoi më 12 qershor do të zhvillohet një takim zyrtar në Nju Jork në selinë e organizatës botërore. Nga ana e saj Maqedonia ka kërkuar një datë për vazhdimin e negociatave me qëllim që ky vend të anëtarësohet sa më shpejt në Bashkimin Europian. “Nuk jemi të gatshëm të bëhemi anëtarë të BE-së nesër, por jemi të gatshëm t`i fillojmë negociatat. Mendoj se sivjet do të na jepet ky shans”, deklaroi në Bruksel shefi i diplomacisë së Maqedonisë Antonio Milloshoski.
Ai shtoi se obligim i shtetit do të jetë zbatimi i zero-tolerancës ndaj përgjegjësve për dhunën dhe parregullsitë, që dëmtuan zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 1 qershor.
Ministri i Jashtëm Milloshoski theksoi se të gjithë ata që janë të përzier në dhunën zgjedhore do të përgjigjen para autoriteteve gjyqësore.

11 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›