Hyseni kërkon njohjen e Kosovës nga vendet e Unionit Afrikan
Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, gjatë vizitës së tij dy ditore në Bruksel ku zhvilloi takime të ndara me përfaqësues diplomatikë të vendeve afrikane. Gjatë këtyre takimeve, të cilat kaluan në atmosferë miqësore dhe mirëkuptimi, ministri Hyseni, pasi informoi bashkëbiseduesit për zhvillimet në Kosovë, shprehu kërkesën për njohje sa më të shpejtë të shtetit të Kosovës nga qeveritë e vendeve përkatëse. Ministri Hyseni theksoi se njohja sa më e shpejtë e shtetit të Kosovës nga vendet që akoma nuk e kanë bërë një gjë të tillë do t’i kontribuonte stabilitetit dhe progresit të përgjithshëm në Kosovë dhe rajon. Të njëjtin qëndrim ministri i Jashtëm i Kosovës e shprehu edhe gjatë takimit me Ambasadorin e Misionit të Përhershëm të Unionit Afrikan pranë BE-së, Mahamat Saleh Annadif. Njohja sa më e shpejtë e Kosovës shtet edhe nga vendet e Unionit Afrikan, ishte kërkesa ngulmuese e ministrit Hyseni gjatë të gjitha takimeve.
Vizita e ministrit Hyseni në Bruksel përkon me një aktivitet të ngjeshur diplomatik.
Fillon gjyqi ndaj personit që sulmoi shtëpinë e Hashim Thaçit
Në Gjykatën e qarkut në Prishtinë ka filluar procesi gjyqësor ndaj Fazlli Sejdiut, 19-vjeçar, i cili akuzohet për sulm ndaj shtëpisë së kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe familjes së tij. Sejdiu tentoi të futej në shtëpinë e kryeministrit Thaçi, mirëpo ai u ndalua nga forcat e sigurisë, të cilat edhe e plagosën atë. Nga hetimet e para të policisë, u tha se i dyshuari ka kryer vepër penale me qëllim përfitimi material, duke tentuar të vjedhë në shtëpinë e kryeministrit, pa e ditur se ajo është shtëpia e kryeministrit. Qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera të vendit vazhdojnë ta cilësojnë këtë rast si sulm ndaj kryeministrit dhe familjes së tij dhe kanë kërkuar nga organet e rendit që ta zbardhin rastin në tërësi dhe fajtori të marrë dënimin e merituar. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një deklaratë, tha se qeveria e Kosovës është e vendosur të vazhdojë betejën kundër së keqes, për të mirën e vendit dhe të gjithë qytetarëve të saj. Madje, ai tha se ata që janë kundër bartësve të institucioneve dhe pavarësisë do të ndëshkohen nga ligji dhe nga vota e qytetarëve. Mirëpo ai nuk pranoi të thotë, nëse prapa këtij sulmi qëndron ndonjë formacion politik edhe pse në reagimin e parë të qeverisë të bërë nga zëvendëskryeministri, Hajredin Kuqi, u la të nënkuptohej se prapa sulmit mund të qëndrojë ndonjë formacion politik.
11 Qershor 2008