E Diel, 1 Nëntor 2026

Goran Pandev, në gjykatë për "divorcin" nga Lacio

Goran Pandev zgjedh betejën ligjore për të zgjidhur kontratën e tij me Lacion. Gjatë fundjavës, sulmuesi maqedonas është ankuar në Këshillin e Arbitrazhit të Ligës, duke kërkuar prishjen e njëanshme të kontratës me klubin e drejtuar nga Klaudio Lotito. Edhe pse fillimisht avokati i futbollistit, Matia Grasani, e kishte mohuar lajmin për hapjen e çështjes gjyqësore, tashmë ankesa është dorëzuar dhe tashmë pritet që KAS të përcaktojë një datë për ballafaqimin e palëve. Pandev vazhdon të stërvitet jashtë skuadrës në Formelo, përkrah "rebelëve" të tjerë (Ledezma, Manfredini, Firmani, Boneto dhe Stendardo). Synimi i sulmuesit është që të largohet nga klubi bardhkaltër gjashtë muaj përpara përfundimit të kontratës (në qershor 2010), në mënyrë që të zgjedhë një skuadër të re që prej merkatos së janarit. Alternativat kryesore janë Interi dhe Juventusi, që po e ndjekin me mjaft interes problematikën e maqedonasit. Pas Pandev, rrugën ligjore për zgjidhjen e kontratës pritet ta ndjekin edhe Manfredini dhe Boneto.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›