E Diel, 1 Nëntor 2026

Lotar Mateus: Juventusi nuk mund ta fitojë Champions-in

Ish-mesfushori i Interit dhe Bajernit të Mynihut, Lotar Mateus, mendon se Juventusi nuk ka asnjë shans për të fituar Ligën e Kampioneve. Të mërkurën, bardhezinjtë udhëtojnë drejt Gjermanisë për t‘u përballur me gjigantët bavarezë, por në analizën e tij, 48-vjeçari nuk beson se skuadra e drejtuar nga Çiro Ferrara është gati që të fitojë trofeun më prestigjioz për klube gjatë këtij edicioni. "Juventusi nuk ka skuadrën e përshtatshme për të triumfuar në një aktivitet si Champions. Gjithsesi, mendoj se ata mund të arrijnë deri në gjysmëfinale", tha Mateus për gazetën "La Stampa". "Mendoj se ndeshja e mesjavës do të mbyllet në barazim. Natyrisht që do të jem tifoz me Bajernin. Rezultati nuk është i rëndësishëm, por mendoj se këto dy skuadra do të luftojnë për t‘u renditur në vendin e parë në grup. Për sa i takon fituesit, mendoj se në Ligën e Kampioneve do të luftojnë Barcelona ose Reali i Madridit". Mateus ka folur edhe për duelin në kampionatin italian: "Fituesja e trofeut në Serisë A do të jetë njëra ndërmjet Interit dhe Juventusit".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›