Pato rinovon deri në vitin 2014
Në momentin më të vështirë, vjen një lajm i mirë: Milani "blindon" Aleksandre Paton. Kuqezinjtë kanë arritur marrëveshjen me sulmuesin brazilian, i cili rinovoi kontratën deri në vitin 2014, duke përfituar edhe një përmirësim të rrogës. Tashmë 20-vjeçari do të përfitojë 2.5 milionë euro në sezon. Akordi u jep fund negociatave të gjata ndërmjet drejtuesve të klubit dhe përfaqësuesve të lojtarit. Në këtë mënyrë, administratori Galiani i përgjigjet interesimit të Çelsit, që pas direktivave të Karlo Ançelotit synonte të blinte Paton. Ndoshta kjo do të jetë një shtysë që sulmuesi të rikthehet në nivele të larta në fushë, pas paraqitjeve zhgënjyese në javët e fundit.