Rama kthen në PS shifrat e Enverit, anëtarësia kërkon rinumërimin e kutive

Shumica e organizatave socialiste kanë refuzuar dje që të klasifikohen si organizatat e ish-Frontit Demokratik dhe kanë kërkuar hapjen e kutive të votimit, në mënyrë që në PS “të ndriçohet errësira e kutive të Edvinit”. Autogoli i Ramës është pritur keq edhe nga opinioni publik, i cili e ka trajtuar si një parodi që s’duhet marrë seriozisht, veç nëse për Edvinin trajtohet si Fitorja e Pirros
Fitorja si në kohën e Fronit Demokratik, pritet të mos ketë shkëlqimin e pretenduar nga Edi Rama. Një lëvizje e kundërshtarëve të tij në parti, e cila do të kërkojë rinumërim votash dhe verifikim listash të anëtarësisë që kanë votuar, është paralajmëruar të zbehë fitoren e Edi Ramës, e cila ishte disa larg kufirit të shifrave të 99.99 për qindëshit.
Nën moton “Do të ndriçojmë errësirën e kutive të Edvinit”, mësohet se “lëvizja për Mendimin Ndryshe”, por edhe anëtarë të tjerë të shumtë të PS-së, do të kundërshtojnë procesin e votimit dhe të numërimit të votave të zgjedhjeve të 26 shtatorit në PS-ë. Burime nga kjo lëvizje kanë bërë të ditur dje, se pas shpalljes zyrtare të rezultateve të votimit të zgjedhjeve për kryetarin e PS-së, ata do të kërkojnë rihapjen e kutive të votimit, si dhe numërimin dhe verifikimin e votave për disa nga qytetet kryesore, Tiranë, Fier, Durrës, Shkodër, Korçë, Berat, Vlorë etj.
Të njëjta burime saktësojnë se ky proces i rihapjes, rinumërimit dhe verifikimit të votave të zgjedhësve socialistë, do të kërkohet pas dyshimeve të falsifikimit të listave të zgjedhësve dhe të mbushjes së tyre me emra që nuk kanë lidhje me anëtarësinë e PS-së. Jo vetëm kaq, por ky proces do të kërkohet edhe për verifikimin e votave në kuti, krahasuar me numrin e zgjedhësve. Të njëjta burime saktësuan se ka dyshime se votat në kuti janë më të shumta në numër se sa numri i zgjedhësve pjesëmarrës në këtë maskaradë zgjedhjesh brenda PS-së.
Burime nga “Lëvizja e Mendimit Ndryshe”, sqaruan se dyshimet për falsifikim votash dhe listash, janë më të mundshme të kenë ndodhur, pas bojkotit të paralajmëruar nga anëtarësia e PS-së, ndaj këtij procesi votimi në PS, proces i deligjimuar nga dhuna për rikandidim e Edi Ramës, në kundërshtim me Statutin e kësaj partie.
Për t’i paraprirë injorimit të anëtarësisë së PS-së, votimit në këto zgjedhje, Edi Rama mësohet se, me ndihmën e Genci Gjonçajt, kryetarit të komisionit të zgjedhjeve në PS, ka mbushur listat e anëtarësisë me joanëtarë të PS-së, ndërsa ka mbushur edhe kutitë e votimit, me vota, numri i të cilëve nuk korrespondon me numrin e pjesëmarrësve në këtë proces.