Goran Paskaljeviç,në Shqipëri për "Muaj mjalti"
• Tani do të jetë armik i vërtetë i Serbisë. Goran Paskaljeviç, regjisori i njohur serb, do të bëjë një film shqiptar, anti-Serbi.
ANILA MEMA
Në bashkëpunim me Genc Përmetin, projekti i tyre "Muaj mjalti" është përzgjedhur dje nga Këshilli Miratues i Projekteve të filmit artistik në Qendrën Kombëtare Kinematografike. Vitin e kaluar "MedFilm Festival" në Romë, regjisori veteran ka dhënë këtë koment të hidhur: Do të jem përsëri tradhtar. Gjë të cilën pas marrjes së lajmit, ia ka konfirmuar sërish edhe vetë Përmetit, nëpërmjet telefonit. "E mora në telefon Goranin që i tregova për projektin tonë, që është përzgjedhur nga QKK. Më tha, tani jam më armik se asnjëherë tjetër", shprehet Genci për gazetën. Projekti i tyre i shkruar kohë më parë, është përzgjedhur fitues nga pesë projekte për filma artistikë në QKK. Veç tij edhe skenari i Pëllumb Kullës, "Një hap nga parajsa", me regji të Vladimir Priftit dhe produksion të shtëpisë kinematografike "Teatër TV Studio". Një komedi sociale që trajton problemin e moshës së tretë, pensionistëve. "Është një temë interesante, temë e ditës dhe origjinale filmi në Shqipëri", shprehet kryetari i Këshillit, Kiço Blushi. Pas përzgjedhjes së dy projekteve fituese, ky këshill i përbërë nga Todi Bozo, Kiço Blushi, Ylli Pepo, Ndriçim Xhepa, Fatos Baxhaku, Kristaq Skrami dhe Elvira Diamanti, ka shqyrtuar dje edhe pesë projekte të tjera që mbeten projekte në zhvillim. Dhe mes tyre janë përzgjedhur vetëm katër: "Via Albania", një projekt me skenar e regji të Fatmir Koçit dhe Stan Dragotit. Një film që flet për çifutët në Shqipëri. Projekti tjetër është "Sorkadhet e trembura", e shkruar nga shkrimtari Ismail Kadare dhe me regji të Dimitri Meskheyev. Ky film flet për gratë ruse të mbetura në Shqipëri. Fatos Kongoli me romanin "Te porta e Shën Pjetrit", është një tjetër projekt i Spartak Pecanit, që bën pjesë në projektet në zhvillim. Po aq edhe "Fundi i një iluzioni", një film me skenar dhe regji të Irvin Muçaj dhe Ibrahim Muçaj. Kryetari i këshillit miratues të QKK, Kiço Blushi, bën me dije se në këtë pjesëmarrje, ndonëse ka pasur projekte mjaft të mira, përzgjedhja ka qenë e paktë në numër për shkak të buxhetit të këtij viti për QKK. "Mes tyre ka pasur projekte të mira, si 'Vrasësi i qenve', një skenar i Isa Qoses, me regji të tij, por që këtë herë nuk mundëm ta përzgjedhim për shkak të buxhetit", thekson Blushi.
Paskaljeviç në Shqipëri
Filmi i parë fitues "Muaj mjalti" është një bashkëprodhim shqiptaro-francezo-italiano-serb, që vjen me regji të Goran Paskaljeviç dhe Genc Përmetit. "Tani na duhet të përgatitemi. Padyshim që është një rrugë tepër e gjatë dhe shumë e vështirë. Skenari, i cili tani është aprovuar nga bordi, anashkalon urrejtjet etnike dhe për këtë ndihem shumë krenar. Janë goditur nacionalizmat e sëmura", shprehet Genc Përmeti për projektin filmik të sapoaprovuar nga Qendra Kinematografike Kombëtare. "Muaj mjalti" është një subjekt filmik që flet për jetën e dy familjeve, një shqiptare dhe një serbe! Dy familje me jetën e tyre, me hallet, gëzimin që ka një familje në Ballkan dhe dëshira për të shkuar në Evropë. E gjitha mbështetur rreth lëmit të pritjes. "Pritja është element i rrethuar me individin, pritja për t'u futur në Evropë... Është shumë i lexueshëm si skenar për të gjithë këto njerëz që jetojnë në Ballkan. Edhe pse është titulluar "Muaj mjalti" dhe filmi ka në qendër dy çifte që janë në fillim të lidhjes, pritja është virtyti që karakterizon më pas. Historia shqiptare është shkruar nga unë, ndërsa historia e familjes serbe është shkruar nga Paskaljeviç", thotë më tej Përmeti. Xhirimet mendohen që të bëhen 50 për qind në Shqipëri dhe pjesa tjetër në Serbi a Mal të Zi. "Financimi i dhënë nga QKK do të jetë për xhirimet në Shqipëri, për pjesën shqiptare", tregon Përmeti, sipas të cilit aktorët që do të marrin pjesë në këtë film do të jenë shqiptarë. Megjithatë është ende herët për të folur për detaje. Për këtë film vlera e akorduar nga Qendra Kombëtare Kinematografike kap shifrën 29.518.000 (njëzetë e nëntë milionë e pesëqind e tetëmbëdhjetë mijë) lekë. Sipas vendimit të këshillit, në zbatim të akteve ligjore në fuqi, financimi i akorduar për këtë projekt të përdoret për kontributin shqiptar në këtë bashkëprodhim. Ndërsa projekti i dytë është "Një hap nga parajsa", me skenar të Pëllumb Kullës e regji të Vladimir Priftit. Vlera e financimit nga QKK ka shumën 39.770.000 (tridhjetë e nëntë milionë e shtatëqind e shtatëdhjetëmijë) lekë. Sipas vendimit të këshillit miratues, kusht për lëvrimin e këtij financimi do të jetë sigurimi dhe paraqitja e kontratës së bashkëprodhimit në QKK, jo më vonë se data 15 nëntor 2008.
Projektet fituese
"Muaji i mjaltit", skenari Goran Paskajleviç, Genc Përmeti, regjia, Goran Paskajleviç, producent shtëpia kinematografike "SKA-NDAL", administrator Genc Përmeti. Vlera e financimit 29.518.000 lekë.
"Një hap nga parajsa", skenari Pëllumb Kulla, regjia Vladimir Prifti, producent shtëpia kinematografike "Teatër TV Studio", administrator: Gëzim Sulaj. Vlera e financimit 39.770.000 lekë.
"Sorkadhet e trembura", (financim për zhvillim projekti), skenari Ismail Kadare, regjia Dimitri Meskheyev, producent shtëpia kinematografike "Albimage", administrator Loreta Mokini. Vlera e financimit 2.000.000 lekë.
"Te porta e Shën Pjetrit", (financim për zhvillim projekti), skenari Spartak Pecani, Naun Shundi, regjia Spartak Pecani, producent shtëpia kinematografike "S.A.E. TRIMEX", administrator Agim Halili. Vlera e financimit 3.000.000 lekë.
"Fundi i një iluzioni", (financim për zhvillim projekti), skenari Irvin Muçaj, Ibrahim Muçaj, regjia Ibrahim Muçaj, producent shtëpia kinematografike "Teatër TV Studio", administrator Gëzim Sulaj. Vlera e financimit 1.000.000 lekë.
Miratohet në parim "Via Albania" (financim për zhvillim projekti), skenari Fatmir Koçi, Stan Dragoti, regjia Fatmir Koçi, Producent shtëpia kinematografike "KKOÇI PRODUCTIONS", administrator Fatmir Koçi. Vlera e financimit 25.000.000 lekë.