E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gordon Koha qe politika te kaperceje grindjet dhe te perparoje me reformat

Nënkomisioni i Çështjeve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve mbi Europën dhe Euroazinë në SHBA, ka publikuar një raport për rajonin në të cilin jepen vlerësime për të gjitha shtetet.

E duke u ndalur tek Shqipëria, Ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit, Filip Gordon, thekson se “SHBA inkurajon faktin që opozita e ka përfunduar bojkotin e parlamentit pas procesit të zgjatur për vendosjen e rezultatit të zgjedhjeve për kryetar bashkie në Tiranë”.

Gordon në raportin e tij shkruan me tej se “E kemi nxitur qeverinë të miratojë rekomandimet e BE-së dhe OSBE-së për reformë, si edhe të bëjë përpjekje realiste dhe të prekshme për të përfshirë opozitën dhe për të pranuar kompromisin si pjesë e procesit politik. Në të njëjtën kohë, kemi nxitur opozitën të jetë e përgjegjshme dhe e gatshme gjë e cila, në një demokraci të pjekur, kërkon pjesëmarrje të plotë dhe aktive në parlament”.

Sipas vlerësimeve të këtij raporti “Pas dy vitesh mpirjeje, ka ardhur koha që drejtuesit politikë të kapërcejnë grindjet vetjake dhe të bëjnë përparim konkret me programin e reformës ose përndryshe do të rrezikojnë të humbasin hovin e mëtejshëm”.

Gordon thotë më tej në raportin për Shqipërinë se “Jemi duke vepruar si partnerë me Bashkimin Europian, qeverinë shqiptare dhe shoqërinë civile për shqyrtimin e 12 reformave me përparësi që nevojiten për pranimin në BE. Ne raport thuhet se Shqipëria miratoi shpejt reformat e nevojshme për të fituar pranimin në NATO në vitin 2009. Që atëherë vazhdon të ketë një angazhim maksimal te saj në Afganistan, duke kontribuar me më shumë se 300 trupa në ISAF”.

Së fundi, Ndihmës-Sekretari Gordon thotë Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara në lidhje me ngërçin e stërzgjatur politik në parlament, i cili nuk ka mundur të miratojë ligjet e reformës të përcaktuara nga BE-ja si të detyrueshme për të marrë statusin e vendit kandidat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›