E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gordon Nuk ka ndarje te Kosoves

Ndihmësekretari Amerikan i Shtetit për Europë dhe Euroazi, Philip Gordon ka kundërshtuar çdo opsion të ndarjes së Kosovës, e cila sipas tij do të ishte e rrezikshme për mbarë rajonin. Gordon tha se qeveria amerikane mbështet tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Kosovës, ndërsa theksoi rëndësinë e bisedimeve praktike midis dy shteteve, siç i quajti ai bisedimet Kosovë-Serbi

“Ne në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kemi qenë shumë të qartë sa i përket ideve për ndarjen e Kosovës. As nuk e marrim në konsideratë këtë çështje, pasi konsiderojmë se ndarje nuk do të jetë praktike e as në interes të rajonit. Ndarja do të kishte pasoja rajonale, do të ishte e rrezikshme dhe negative për tërë rajonin. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë të qartë përkushtimin e tyre për tërësinë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës”-tha Gordon.
 
Këto komente zyrtari i lartë i qeverisë amerikane i bëri pas takimit me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaçi. Diplomati i lartë amerikan kërkoi nga qeveria e Kosovës luftë të pakompromis të korrupsionit dhe krimit të organizuar, sundim më efikas të rendit dhe ligjit, forcim të demokracisë.
 
“Ne i  marrim këto pohime shumë seriozisht, duhet të hetohen. I mbështesim hetimet e plota. Roli i SHBA-së në këto hetime nuk është përcaktuar ende. Mendojmë se EULX-i është i përshtatshëm t’i kryejë këto hetime. Drejtësia duhet të arrihet, dhe faktet të dihen”-theksoi ai.

Ndihmës sekretari Amerikan i Shtetit, Gordon dhe kryeministri Thaçi kanë firmosur edhe një memorandum mirëkuptimi në fushën e arsimit në vlerë prej 9.7 milionë dollarësh.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›