Gostivar, nesër protestë kundër vrasjes së dy të rinjve shqiptarë

Organizohet nesër në Gostivar një protestë kundër vrasjes së djeshme të dy të rinjve shqiptarë nga ana e një polici maqedonas.
Organizatorët përmes një deklarate kanë informuar se protesta do të zhvillohet në datën 1 mars ku do të shprehet indinjata kundër vrasjes së dy të rinjve.
Sipas organizatorëve marshimi do të nisë nga vendi ku është kryer krimi, pranë Gjykatës së Gostivarit dhe do të përfundojë para stacionit të policisë, informon agjencia e lajmeve INA.
Gjithashtu bëhet thirrje për pjesëmarrje masive në ceremoninë e varrimit të dy rinjve sot në Gostivar. “Pjesëmarrja duhet të jetë sa më masive, dinjitoze dhe paqësore !”, theksojnë organizatorët.
Punonjësi i policisë Jakim Trifunovski, 39 vjeç, qëlloi dje për vdekje dy të rinjtë Imran Mehmeti 29 vjeç dhe Besnik Shehapi 26 vjeç, pas një zënke për një parkim në lagjen ku po jetonin.
Ndërkohë edhe Lëvizja kundër brutalitetit policor sot do të mbajë një konference rreth mesditës në sheshin “Nënë Tereza”, për të reaguar kundër vrasjes së dy të rinjve në Gostivar